Qeveria miratoi sot projektligjin për krijimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kryeministri Berisha e konsideroi krijimin e kësaj Agjencie si finalizimin e një reforme të thellë që bëhet në sistemin e investimeve private, vendase dhe të huaja.
“Pas një pune intensive, - u shpreh Kryeministri - që Ministria e Ekonomisë, por edhe Task Force për rregullimin e tregut në Shqipëri ka bërë gjatë një periudhe mëse 2 vjeçare, krijohet një Agjenci e Zhvillimit të Investimeve, e cila udhëhiqet nga një bord, i përbërë nga disa ministra dhe ku janë të pranishëm edhe disa përfaqësues të biznesit privat. Bordi kryesohet nga Kryeministri. Krijimi i kësaj Agjencie përbën një zhvillim madhor në reformën ekonomike të vendit. Ajo krijohet pas suksesit të konfirmuar të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit. Agjencia do të ketë tani të gjitha mundësitë të funksionojë pothuaj si një sportel i vetëm. Ligji është hartuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen e ekspertëve më të shquar të Europës dhe botës në këtë fushë, të cilët kanë ndërtuar me sukses të madh edhe në vende të tjera Agjenci të tilla”.
Me anë të këtij projektligji rregullohet e organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
30/06/2010