Kryeministri Berisha i kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Ministrit të Jashtëm që me përparësi të përgatisë ndryshimin në ligjin për Protokollin e Shtetit, për të kaluar në autoritetin e Protokollit të Shtetit detyrimin e të gjithë ceremonialit dhe dekorit, në rastin e festave kombëtare.
Duke u nisur nga rasti më i fundit i mospërgatitjes nga ana e bashkisë së Tiranës të dekorit me rastin e ditës së pavarësisë, Kryeministri Berisha tha se më 28 nëntor, kryetari i bashkisë së Tiranës ka fyer çdo shqiptar, duke bllokuar dekorin festiv të qytetit.
Duke folur për këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti zëvendësministër i Jashtëm, në këtë rast ministër në detyrë, kërkohet që me përparësi të madhe ligji i Protokollit të Shtetit të kalojë në autoritetin e Protokollit të Shtetit detyrimin e të gjithë ceremonialit dhe dekorit, në rastin e festive kombëtare. Atë që Edvin Kristaq Rama bëri dy vite rresht me ditën e pavarësisë, mund ta bënte vetëm një apatrid, për të cilin vendi dhe kombi nuk ekziston. E them këtë, sepse më 28 nëntor, ai ka fyer çdo shqiptar. Ne, shqiptarët, kemi një specifikë. Ne themi dita e flamurit. Kombe të tjera nuk e kanë këtë, e quajnë dita e pavarësisë apo me emër tjetër. Ndërsa ne i kemi bërë sinonim të njëra-tjetrës. Në fakt, ajo është dita e pavarësisë, por në të gjithë ecurinë ka mbetur si dita e pavarësisë-dita e flamurit. Asnjë komb nuk e ka më të fuqishëm se shqiptarët simbolin e flamurit. Edhe himni kombëtar, po ta shqyrtojmë, është një këngë për flamurin. Kurse ky zotëri, dy vite rresht, ofendon duke bllokuar dekorin e qytetit.
Dua t’i them sot, nga kjo mbledhje, se unë të shkarkoja njëqind herë ty, zoti Edi Rama dhe dije mirë se të shkarkoja e të jepja shumë më tepër, se ç’meriton, se e konsideroj këtë një rrugaçëri kombëtare, një fyerje shumë të rëndë që t’i i bën çdo shqiptari, që sillesh si biri i Enverit, ndaj një dite që është kaq e shenjtë për shqiptarët. Por nuk e bëj këtë, sepse duke qenë edhe kryetar i Partisë Socialiste, do të merrte një konotacion, të cilin nuk dëshiroj që ta marrë. Por sot e përgjithmonë, Protokolli i Ditës Kombëtare do të jetë tjetër, në mënyrë që kurrë ndonjëherë apatridë si ty të mund të mos fyejnë flamurin, qytetarët, kryeqytetin dhe kombin, me një qëndrim të tillë ekzistencialist, të papajtueshëm, të papranueshëm.
Në të gjitha qytetet, ku janë trojet shqiptare e ku jetojnë shqiptarë u valëvit flamuri, përveçse në rrugët e Tiranës, sepse Edvin Kristaq Rama merr urdhra nga ati i tij shpirtëror. E bëri për herë të dytë, por nuk do të mund ta bëjë kurrë më. Dua t’u kërkoj ndjesë shqiptarë që nuk e shkarkoj, se mund ta shkarkoja dhe e meriton njëqind herë për aktin e rrugaçërisë publike ndaj kombit, flamurit dhe vendit, por rregullat e pluralizmit më imponojnë të përshtat këtë qëndrim. Kam besim se qytetarët e Tiranës e të mbarë Shqipërisë do t’i japin përgjigjen këtij apatridi, këtij njeriu që nuk ka respektin më minimal për flamurin e vendit të tij, i cili është njëkohësisht edhe flamuri i kombit të tij, flamur i njomur me gjak më së fundi se gjithë të tjerët në Europë.
Ndaj, zoti ministër do të sillni ndryshimin në ligjin e Protokollit dhe kurrkush më nuk do të mundet të nëpërkëmbë as flamurin e këtij vendi, as ditën e pavarësisë e të flamurit të këtij vendi. Kjo është zgjidhja përfundimtare që duhet t‘i bëjmë. Kurse atij zotërisë dua t’i them se nuk shkarkohesh sot, me gjithë dëshirën e madhe që do të kisha që kjo mbledhje të vendoste shkarkimin tënd, sepse je edhe kryetar i PS-së, partisë kryesore opozitare, por nuk do të kesh më kurrë rast që ti të fyesh shqiptarët. Këtë nuk do të mund ta bësh, pasi dita e flamurit dhe pavarësisë nuk është për t’u sjellë si apatrid në kryeqytetin e vendit. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë, e turpshme. Edhe homazhet bëhen me një kuptim të caktuar. Ti mund të zgjedhësh ditën dhe ke bërë zgjedhjen tënde, por ti do respektosh dhe jo të shfrytëzosh pushtetin, njëlloj si i biri i Enver Hoxhës, për të fyer shumicën e shqiptarëve.
Akti është jashtëzakonisht i rëndë. Këshilli bashkiak ka marrë nismën për të kërkuar ndjekje penale ndaj tij dhe unë kam besim se drejtësia do të thotë fjalën e vet. Kjo është mënyra më e mirë. Fyerja që u ke bërë shqiptarëve është më e rënda që mund t’u ketë bëtë kush ndonjëherë. Dhe je recidivist, pasi e bën për herë të dytë.”
01/12/2010