Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 

Faqja Arkivë e Këshillit të Ministrave

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
PROJEKTLIGJ PĖR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NĖ REPUBLIKĖN E SHQIPĖRISĖ
 

P R O J E K T L I GJ

PËR


SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN   E SHQIPËRISË
 
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe nenit 83, pika1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
 
V E N D O S I:
 
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Objekti, qëllimi dhe fusha e zbatimit të ligjit
 
1.       Ky ligj ka objekt përcaktimin e parimeve bazë për strukturën, veprimtarinë dhe qeverisjen e sistemit arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.
 
2.       Qëllimi i këtij ligji është garantimi i së drejtës kushtetuese për arsimim, nëpërmjet përcaktimit të kuadrit ligjor përkatës për funksionimin e sistemit arsimor parauniversitar.
 
3.       Fusha e zbatimit të këtij ligji është sistemi arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, përveç aspekteve të strukturës, veprimtarisë dhe qeverisjes së arsimit profesional, që  rregullohen me ligj të veçantë.
 
 
Neni 2
Qëllimi i sistemit arsimor parauniversitar
 
Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim formimin e çdo individi me kompetencat themelore, që nënkuptojnë dijet, aftësitë, vlerat dhe qëndrimet, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes, të jetë  i përgjegjshëm për familjen, shoqërinë e kombin dhe në mënyrë të veçantë:
 
a)     të respektojë, të mbrojë identitetin kombëtar e të zhvillojë trashëgiminë tonë kulturore;
b)    të zhvillohet në aspektin etik, intelektual, fizik, social dhe estetik, të jetë i aftë të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi, të jetë i gatshëm të ofrojë ndihmesën e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë;
c)     të ketë bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia, bashkëpunimi dhe respekti për të tjerët janë vlerat më të larta njerëzore;
    ç)   të respektojë traditat e popujve të tjerë;
d)       të ndërgjegjësohet për të përmbushur përgjegjësitë e tij për mbrojtjen e mjedisit.
 
Neni 3
Përkufizime
 
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
 
1. “Arsimi parauniversitar” përfshin nivelet arsimore me kodet 0, 1, 2 dhe 3, sipas “Klasifikimit Ndërkombëtar Standard të Arsimit”, të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në sesionin e 29-të të saj, në nëntor 1997, përkatësisht,:
 
a)         “Niveli me kod 0”,  arsimi parashkollor, kopsht;
b)         “Niveli me kod 1”, arsimi fillor;
c)         “Niveli me kod 2”, arsimi i mesëm i ulët, arsimi pasfillor;
ç)   “Niveli me kod 3”, arsimi i mesëm i lartë.
 
2. “Arsimi i mesëm i lartë” përfshin arsimin e mesëm të përgjithshëm, arsimin profesional dhe arsimin e orientuar.
 
3. “Arsim në distancë”, mënyrë shkollimi, ku pjesa më e madhe e mësimit kryhet kur mësuesi dhe nxënësi nuk janë në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë dhe procesi zakonisht kryhet me ndihmën e teknologjisë. Kalimi i klasës bëhet nëpërmjet provimeve në sesione të caktuara.
 
4. “Gjimnazi”, shkolla e mesme e përgjithshme.
 
5. “Institucion arsimor”, kopsht ose shkollë.
 
6. “Kurrikula”, tërësia e dokumentacionit si: korniza kurrikulare, plani shkollor, programi mësimor, teksti dhe materiale të tjera të një lënde apo fushe lëndore dhe e tërë veprimtaria e organizuar në mjedisin e të nxënit, që shërben për të siguruar një formim të caktuar të atyre që mësojnë.
 
7. “Kornizë kurrikulare”, dokumenti themelor i kurrikulës, ku përshkruhen synimet e përgjithshme të saj, kompetencat themelore, rezultatet e pritshme për nxënësit për sa i përket dijeve, aftësive dhe qëndrimeve në fund të arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë, synimet e fushave të të nxënit dhe parimet e përgjithshme të procesit të mësimdhënies e nxënies e të vlerësimit të nxënësve.
 
8. “Kompetencë themelore”, ndërthurja e dijeve, aftësive, qëndrimeve dhe vlerave që u nevojiten nxënësve për zhvillimin vetjak, qytetarinë aktive, përfshirjen shoqërore dhe punësimin.
 
9. “Kurrikula bërthamë”, kurrikula e përbashkët për të gjithë nxënësit e një klase.
 
10. “Mësues”, personi që ka fituar të drejtën të ushtrojë profesionin e mësuesisë në nivelet me kode 0 ose 1 ose 2 ose 3.
 
11. “Nxënës”, personi që arsimohet në nivelet me kode 0, 1, 2, 3.
 
12. “Nxënës me aftësi të kufizuara”, personi i cili ka dëmtime afatgjata fizike, mendore, shqisore, të sjelljes ose të kombinuara, që, në ndërveprim, mund ta pengojnë të marrë pjesë në mënyrë të plotë dhe të barabartë në arsimimin e tij dhe në jetën shoqërore.
 
13. “Partner social”, sindikatat me të cilat ministri i Arsimit dhe Shkencës nënshkruan  kontratën kolektive të punës.
 
14. “Shkollë”, institucioni që ofron shërbim arsimor për nivelet me kode 1, 2, 3.
 
15. “Shkollë private”, shkolla jopublike.
 
16. “Veprimtari plotësuese”, veprimtaritë që planifikohen nga institucioni arsimor dhe kanë për qëllim pasurimin e përvojave mësimore e jetësore të nxënësve.
 
17. “Ministri”, ministri që mbulon çështjet e arsimit.
 
18. “Ministria”, ministria që mbulon çështjet e arsimit.
 
 
Neni 4
Kuadri rregullator dhe mbështetës i sistemit arsimor
 
Sistemi arsimor parauniveristar mbështetet në traditën e arsimit shqiptar, funksionon në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin shqiptar në fuqi dhe zhvillohet sipas vlerave të përbashkëta të sistemeve arsimore bashkëkohore.
 
 
Neni 5
E drejta për arsimim
 
1.       Në Republikën e Shqipërisë garantohet e drejta për arsimimin e shtetasve shqiptarë, të huaj dhe personave pa shtetësi, pa u diskriminuar nga gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, orientimi seksual, bindjet, politike a fetare, gjendja, ekonomike a sociale, mosha, vendbanimi, aftësia e kufizuar ose për arsye të tjera që përcaktohen në legjislacionin shqiptar.
 
2.       Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas.
 
Neni 6
Parime të përgjithshme
 
1.      Në veprimtaritë e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar, interesi i nxënësit është parësor.
 
2.      Në sistemin arsimor parauniversitar respektohen dhe mbrohen të drejtat e liritë e njeriut dhe të drejtat e fëmijëve.
 
3.      Në sistemin arsimor parauniversitar, nxënësve dhe punonjësve u ofrohet  mbrojtje nga çdo formë veprimi ose mosveprimi që mund t’u shkaktojë diskriminim, keqtrajtim ose dëm moral.
 
4.      Në institucionet arsimore zbatohet parimi i gjithëpërfshirjes së nxënësve.
 
5.      Cilësia e arsimimit për çdo nxënës përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme.
 
6.      Nxënësve të familjeve në nevojë, nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me vështirësi në të nxënit u ofrohet përkujdesje e posaçme sipas përcaktimeve në këtë ligj.
 
7.      Veprimtaria e institucioneve në sistemin arsimor parauniversitar dhe e punonjësve të tyre është transparente.
 
8.      Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e nxënësve, e punonjësve, e prindërve dhe përfaqësuesve ligjorë, më tutje “prindër”, për të shprehur pikëpamjet e tyre për cilësinë e shërbimit arsimor.
 
9.      Sistemi arsimor parauniversitar funksionon mbi bazën e decentralizimit  dhe autonomisë së institucioneve arsimore.
 
10.  Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e organizimit të nxënësve dhe të prindërve për të mbrojtur të drejtat e tyre, si dhe për të dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e institucionit.
 
11.  Shërbimi arsimor mbështetet dhe vlerësohet mbi bazën e standardeve. Vlerësimi është i brendshëm dhe i jashtëm.
 
Neni 7
Laiciteti
 
Arsimi parauniversitar është laik, përveçse në shkollat private ku zhvillohen edhe lëndë fetare.
 
Neni 8
  Depolitizimi
 
Arsimi parauniversitar është i depolitizuar.
 
Neni 9
Gjuha e arsimimit
 
Në institucionet arsimore, gjuha e arsimimit është gjuha shqipe, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe në këtë ligj.
 
Neni 10
Arsimimi për pakicat kombëtare
 
1.       Personave, që u përkasin pakicave kombëtare, u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre sipas planeve dhe programeve mësimore.
 
2.       Për të mundësuar pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, nxënësve të pakicave kombëtare u krijohen kushte për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e historisë e të kulturës shqiptare.
 
3.       Planet e programet mësimore, si dhe raportet e përdorimit të gjuhës amtare dhe asaj zyrtare në procesin mësimor, përcaktohen me akte të veçanta  të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, në vijim “Ministri”.
 
Neni 11
Arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit
 
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në vijim “Ministria”, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe institucione të tjera shtetërore, mbështet zbatimin e programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e trashëgimisë kulturore shqiptare për fëmijët e diasporës, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
 
Neni 12
Arsimimi në dy gjuhë
 
Arsimimi në dy gjuhë në arsimin e mesëm të lartë realizohet sipas marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
 
Neni 13
Kompetencat themelore
 
Veprimtaria e institucioneve të sistemit arsimor synon që çdo nxënës, si qytetar i shoqërisë demokratike, të pajiset me shprehitë e të nxënit afatgjatë dhe të zotërojë kompetenca:
 
a)      të komunikimit në gjuhën amtare e atë zyrtare dhe në gjuhë të huaja;
b)      në matematikë, shkencat e teknologjinë dhe ato dixhitale;
c)      të të menduarit të nivelit të lartë, si ato të zgjidhjes së problemit, të arsyetimit dhe të argumentimit, të të menduarit kritik dhe krijues;
ç)    për punë individuale, të pavarur dhe në bashkëpunim;
d)      të sipërmarrjes;
dh)   shoqërore dhe qytetare;
e)      të shprehjes në mënyrë krijuese të ideve, përvojave e ndjenjave me llojshmëri mënyrash.
 
 
KREU II
INSTITUCIONET ARSIMORE DHE FORMAT E ARSIMIMIT


Neni 14
Institucionet në sistemin arsimor parauniversitar
 
Në sistemin arsimor funksionojnë kopshtet, shkollat dhe institucionet plotësuese të cilat janë publike ose private.

Neni 15
Institucione plotësuese
 
Qendrat kulturore të fëmijëve janë institucione plotësuese, të cilat janë në varësi të njësive të qeverisjes vendore dhe hapen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 16
Format e arsimimit
 
Format e arsimimit në shkolla janë:
 
a)      Arsimim me kohë të plotë;
b)      Arsimim me kohë të pjesshme;
c)      Arsimim në distancë.
 
Neni 17
Arsimimi në kushtet e shtëpisë
 
Arsimimi në kushtet e shtëpisë ofrohet në raste të veçanta, për të gjitha klasat e arsimit bazë ose vetëm për disa prej tyre. Ministri përcakton rastet e veçanta, kriteret dhe procedurat për arsimimin në kushtet e shtëpisë.
 
Neni  18
Arsimimi në institucionet joshkollore
 
Ministria, në bashkëpunim me organet përkatëse, siguron arsimimin për individët e moshës shkollore në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit dhe në institucione të përkujdesjes shoqërore.
 
Neni 19
Përkujdesje për kategori të veçanta të nxënësve
 
Kategorive të veçanta të nxënësve u sigurohet kujdes i posaçëm nga shteti. Format dhe kriteret e përkujdesjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
 
Neni 20
Shërbimi psikologjik në institucionet arsimore
 
Njësitë arsimore vendore u sigurojnë shërbim psikologjik nxënësve dhe punonjësve të institucioneve arsimore për aspekte të mbarëvajtjes së nxënësve.
 
                                                   
KREU III
NIVELET E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
 
Neni 21
Arsimi parashkollor
 
1.      Arsimi parashkollor synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo fëmije, ushtrimin e rregullave themelore të sjelljes e të higjienës, kultivimin e vlerave, si dhe përgatitjen për arsimin fillor.
 
2.       Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë me synim integrimin në arsimin e detyruar.
 
Neni 22
Arsimi bazë
 
1.      Arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave, përkujdesjen për shëndetin, si dhe përgatitjen e mjaftueshme për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë ose për tregun e punës.
 
2.       Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.
 
3.      Shkollat e arsimit të orientuar mund të nisin në klasa të caktuara të arsimit bazë duke siguruar formimin e mjaftueshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme.
 
4.       Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç,  me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Nxënësit, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme.
 
5.       Nxënësi, që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë, ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
 
Neni 23
Arsimi i mesëm i lartë
 
1.      Arsimi i mesëm i lartë synon zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë, konsolidimin e individualitetit të çdo nxënësi dhe tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, përgatitjen për arsimin tretësor ose për tregun e punës. Këshilli i Ministrave zhvillon politika që synojnë krijimin e mundësisë për çdo nxënës që përfundon arsimin bazë të regjistrohet në arsimin e mesëm të lartë, të përgjithshëm ose profesional.
 
2.       Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar.
 
3.      Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç. Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lartë              3-vjeçar apo njëzet e dy vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.
 
Neni 24
Llojet e arsimit të mesëm të lartë
 
1.       Gjimnazi përbëhet nga tri klasa. Nxënësve, që kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.
 
2.       Arsimi i mesëm profesional është me kohëzgjatje 2 deri 4-vjeçare dhe është i strukturuar në tri nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
 
3.       Shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit. Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
 
KREU IV
DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR
 
Neni 25
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
 
Funksionet kryesore të ministrisë për arsimin parauniversitar janë:
 
a)     përgatitja e akteve, ligjore dhe nënligjore, të sistemit arsimor; 
b)    zbatimi i  i Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar;
c)     vlerësimi i cilësisë së shërbimit arsimor;
    ç)  kontrollimi i zbatimit të ligjshmërisë në institucionet arsimore dhe i 
         përdorimit të  fondeve publike në institucionet arsimore publike;
d)    hartimi dhe zbatimi i politikave të zhvillimit profesional të punonjësve arsimorë dhe akreditimi i programeve trajnuese;
    dh) sigurimi i mbështetjes profesionale nga institucione të specializuara, 
           vendase ose të huaja,  për kërkime dhe eksperimentime në fushën e 
           arsimit;
    e) bashkëpunimi në fushën e arsimit me ministritë e linjës, njësitë e
        qeverisjes vendore dhe me organizma të tjerë, qeveritarë ose 
        joqeveritarë, të vendit ose të huaj;
   ë)  publikimi për çdo vit shkollor i raportit të arritjeve të sistemit arsimor
        parauniversitar.
 
Neni 26
Ministri


1.       Ministri është përgjegjës për realizimin e programit politik qeverisës në fushën e arsimit parauniversitar.
 
2.       Përveç detyrave të tjera të përcaktuara në këtë ligj, ministri:
 
a)     nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji;
b)    propozon buxhetin e arsimit parauniversitar sipas përcaktimeve në aktet e tjera, ligjore dhe nënligjore, në fuqi;
c)     miraton dokumentacionin kurrikular sipas përcaktimeve në këtë ligj;
     ç)  miraton strukturën e vitit shkollor;
d)    miraton ngarkesën mësimore, javore e vjetore, të punonjësve arsimorë dhe numrin e nxënësve për klasë për institucionet arsimore publike;
dh)    miraton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e regjistrimit të nxënësve në institucionet arsimore;
e)  miraton rregulloren tip të institucioneve arsimore;
ë)  miraton kriteret për dhënien e medaljeve, certifikatave e çmimeve dhe i lëshon ato për nxënësit dhe punonjësit e sistemit arsimor.
 
Neni 27
Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar
 
1.     Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, në vijime “inspektorati”, është institucion në varësi të ministrit dhe funksionon në mbështetje të ligjit nr.10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
 
2.       Inspektorati krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton rregullat e organizimit dhe të funksionimit të tij. Struktura dhe organika e tij përcaktohen me urdhër të Kryeministrit. Kryeinspektori emërohet nga  Kryeministri, me propozim të ministrit, pas konkurrimit të hapur. Inspektorati ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me udhëzuesin e inspektimit, të cilin e miraton ministri.
 
3.       Funksionet kryesore të inspektoratit janë:
 
a)     vlerësimi i cilësisë së shërbimit të institucioneve arsimore dhe të  
     njësive arsimore vendore;
b)      kontrollimi i pajtueshmërinë së veprimtarisë të institucioneve arsimore
     dhe të njësive arsimore vendore me aktet, ligjore dhe nënligjore, në  
     fuqi;
c)       këshillimi i drejtuesve dhe i punonjësve të institucioneve arsimore e të  
     njësive arsimore vendore;
ç)    vendosja e masave administrative sipas përcaktimeve të ligjit  nr.10 433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe të këtij ligji;
d)    informimi i ministrit, njësive arsimore vendore dhe institucioneve për  
     gjetjet e inspektimeve arsimore, si dhe  bërja publike e tyre;
dh)     përhapja e praktikave të suksesshme të institucioneve arsimore dhe të njësive arsimore vendore.
 
Neni 28
Njësia bazë  e qeverisjes vendore 
 
1.       Njësia bazë e qeverisjes vendore ka detyrë përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor për të gjithë nxënësit në institucionet arsimore parauniversitare publike, në përputhje me ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
 
2.       Kompetencat kryesore të njësisë bazë të qeverisjes vendore janë:
 
a)      ndërtimi dhe rikonstruksioni i godinave të institucioneve arsimore publike, sipas standardeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, me fonde të buxhetit të shtetit ose me fonde nga transferta e pakushtëzuar ose të ardhurat e veta;
b)      garantimi i paprekshmërisë së institucioneve arsimore  në juridiksionin e saj, si dhe i mjediseve të tyre;
c)      ruajtja dhe mirëmbajtja  e institucionit arsimor publik;
ç)  garantimi i kushteve higjieno - sanitare e atyre të ngrohjes në godinat e institucioneve arsimore publike.
 
3.       Njësia bazë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me njësinë përkatëse arsimore vendore dhe institucionet arsimore publike, është përgjegjëse për regjistrimin e nxënësve në shkollat publike të arsimit të detyrueshëm me kohë të plotë.
 
4.       Njësia bazë e qeverisjes vendore, mbështetur në propozimet e njësive arsimore vendore dhe këshillave pedagogjikë të institucioneve, sipas kritereve të miratuara në këshillat e njësive vendore, mbështet:
 
a)      nxënësit e familjeve në nevojë;
b)      nxënësit me arritje të shkëlqyera;
c)      punonjësit e institucioneve arsimore për trajnime për zhvillimin e tyre profesional dhe për zhvillimin e kurrikulës.
 
 
Neni 29
Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar
 
1.       Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar është organ këshillimor i ministrit për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar.
 
2.       Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar  jep mendime për:
 
a)         hartimin e strategjive, programeve kombëtare dhe akteve ligjore;
b)         projektbuxhetin për arsimin parauniversitar;
c)   çështje të tjera të politikave arsimore, me kërkesën e ministrit.
 
3.       Veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar ushtrohet në përputhje me rregulloren, që miratohet nga Këshilli i Ministrave.
 
4.       Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga dhjetë anëtarë, me këtë përbërje:
 
a)      Përfaqësuesi i ministrit të Financave;
b)      Përfaqësuesi i ministrit të Brendshëm;
c)       Dy përfaqësues të shoqatës së bashkive dhe komunave në Republikën e Shqipërisë;
ç) Gjashtë personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, shkencës dhe në jetën publike, të cilët zgjidhen me konkurrim publik.
 
5.       Anëtarët e Këshilli Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, të cilët i nënshtrohen konkurrimit publik, përzgjidhen nga një komision, i ngritur pranë ministrisë, i përbërë nga një përfaqësues i kabinetit të Kryeministrit, një përfaqësues i ministrit dhe një përfaqësues i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe bëhen publike.
 
6.       Këshilli i Ministrave cakton në detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar gjashtë nga kandidatët e përzgjedhur me konkurim publik.
 
7.       Anëtarët, personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, zgjidhen me mandat 4-vjeçar.
 
8.       Anëtarët e përmendur në shkronjën “ç”, të pikës 4, të këtij neni, përfitojnë pagesë, në masën dhe mënyrën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 30
Njësitë arsimore vendore
 
1.             Ministria përfaqësohet në nivelin vendor nga njësitë arsimore vendore, të cilat krijohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Struktura dhe organika e tyre miratohen me urdhër të Kryeministrit.
 
2.             Njësitë arsimore vendore janë drejtoritë arsimore, në nivel prefekture, dhe zyrat arsimore, në nivel nënprefekture.
 
3.             Njësia arsimore vendore është përgjegjëse për funksionimin e institucioneve arsimore brenda juridiksionit të saj.
 
4.             Njësia arsimore vendore:
 
a)     zbaton Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar;
b)    mbështetet institucionet arsimore për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor;
c)     bashkëpunon me njësinë bazë të qeverisjes vendore për planifikimin, realizimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e institucioneve arsimore;
ç)   siguron për institucionet arsimore publike mjetet mësimore sipas 
     formulës “për nxënës”.
d)  përdor fondin e veçantë të buxhetit vjetor për shpërblimin e punonjësve të institucioneve arsimore me arritje të shquara. Kriteret e përdorimit të këtij fondi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
5.      Drejtuesi i njësisë arsimore vendore, përgjegjësit e sektorëve dhe specialistët e tyre përzgjidhen me konkurrim të hapur, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
 
Neni 31
Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar
 
1.     Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar është organ këshillimor, në nivel prefekture, për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar, brenda juridiksionit territorial të prefekturës. Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar krijohet me vendim të Prefektit dhe funksionon sipas rregullores së miratuar prej tij.
 
2.      Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga prefekti dhe përbëhet nga përfaqësues të qeverisjes vendore dhe personalitete të njohura për kontribute në jetën publike. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitar përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 32
Institucioni arsimor
 
1.       Institucioni arsimor ka për detyrë krijimin e mjedisit miqësor për nxënësit dhe të mundësive që secili nxënës të shfaqë, të zhvillojë individualitetin dhe të realizojë potencialin e tij në përputhje me këtë ligj.
 
2.       Institucioni arsimor funksionon sipas rregullores së tij të brendshme, e cila është në përputhje më këtë ligj e aktet e tjera ligjore në fuqi dhe miratohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse.
 
3.       Institucioni arsimor u ofron nxënësve mjediset dhe pajisjet për veprimtari sportive, kulturore e zbavitëse edhe pas orëve mësimore, si dhe në ditët e pushimit.
 
Neni 33
Komisioni i Etikës dhe Sjelljes në institucionin arsimor
 
Në institucionin arsimor funksionon Komisioni i Etikës dhe Sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës të arsimit të mesëm. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit ndaj shkeljeve të normave të etikës dhe të sjelljes dhe t’i propozojë drejtorit të institucionit masat përkatëse.
 
Neni 34
Bordi i institucionit arsimor
 
1.       Çdo institucion arsimor ka bordin e tij të përbërë nga prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të qeverisë vendore dhe të komunitetit. Bordi kontribuon për mbarëvajtjen e institucionit arsimor dhe i raporton për veprimtarinë e tij këshillit të  prindërve të institucionit.
 
2.       Bordi merr pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit.
 
3.      Përbërja e bordit, të drejtat, detyrat dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve përcaktohen në udhëzimin e ministrit.
 
Neni 35
Këshilli i mësuesve
 
1.       Këshilli i mësuesve të institucionit arsimor, i cili ka në përbërje të gjithë mësuesit dhe kryesohet nga drejtori, është organ kolegjial këshillimor për drejtimin e veprimtarisë së institucionit.
2. Detyrat dhe funksionet e këshillit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 36
Qeveria e nxënësve
 
1. Qeveria e nxënësve është organizëm që promovon të drejtat e nxënësve dhe ndihmon në mbarëvajtjen e shkollës. Ajo ngrihet dhe funksionin sipas udhëzimit të ministrit.
 
2. Në shkollë funksionojnë edhe organizime të tjera të nxënësve, të ngritura për interesat e tyre shkencore, kulturore dhe sportive.
 
KREU V
FINANCIMI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
 
Neni 37
Planifikimi i financimit në arsimin parauniversitar publik
 
1.      Burimet për financimin e arsimit parauniversitar janë:
 
a)     buxheti i shtetit;
b)    të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore;
c)     dhurimet e sponsorizimet;
ç)    të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore;
dh)     të ardhura të tjera të ligjshme.
 
2.       Financimi nga buxheti i shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike.
 
3.       Në buxhetin e shtetit, për njësitë bazë të qeverisjes vendore, caktohet një fond “për nxënës”, i cili përdoret për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike, në përputhje me standardet e mirëmbajtjes për institucionet arsimore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
4.       Mallra dhe shërbime të caktuara për institucionet arsimore publike njehsohen me formulën “për nxënës”, sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit të Financave.
 
5.       Shtesa mbi pagë ose përfitime të tjera për punonjësit arsimorë, në veçanti për mësuesit që punojnë në zonat larg vendbanimit të tyre, jepen sipas kritereve të vendosura nga Këshilli i Ministrave.
 
Neni 38
Financimi i institucioneve arsimore publike
 
1.       Institucioni arsimor publik përfiton nga njësia bazë e qeverisjes vendore përkatëse një fond sipas formulës “për nxënës”, që e përdor për shpenzime të vogla, për ndërhyrje emergjente, sipas kritereve dhe procedurave të vendosura nga Këshilli i Ministrave.
 
2.       Nga buxheti i ministrisë veçohet një fond, fondi i cilësisë, për të cilin konkurrojnë institucionet arsimore publike me projekte për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit dhe ministrit të Financave.
 
3.       Ministria dhe Ministria e Financave miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarisë buxhetore të një institucioni arsimor publik. Institucionet arsimore publike të miratuara mbajnë llogari buxhetore pranë degës së thesarit në njësinë përkatëse arsimore vendore. Rregullat e administrimit financiar janë të njëjta me ato të institucioneve të tjera publike.
 
Neni 39
Mbështetja financiare për arsimin parauniversitar privat
 
1.       Ministria mund të mbështetë financiarisht institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private. Sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, mbështetja financiare për shkollat private diferencohet sipas renditjes së tyre në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të maturës shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare.
 
2.       Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare vetëm për nxënësit e shkëlqyer në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.
 
Neni 40
Mbledhja dhe përdorimi i fondeve financiare në institucionet arsimore publike
 
1.      Institucionet arsimore publike, në pajtueshmëri me politikat e tyre, përfitojnë fonde financiare ose mbështetje materiale nga dhurues ose sponsorizues sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me ministrin e Financave. Dhurimet dhe sponsorizimet shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor.
 
2.      Institucionet arsimore publike lejohen të sigurojnë të ardhura nga shërbime për të tretët, në përputhje me fushën e veprimtarisë së institucioneve. Fondet e siguruara nga shërbimet për të tretë përdoren sipas akteve, ligjore e nënligjore, në fuqi.
 
KREU VI
HAPJA DHE MBYLLJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE
 
Neni 41
Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore publike
 
1.    Hapja dhe mbyllja e një institucioni arsimor publik bëhen me urdhër të ministrit, me propozim të përbashkët të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe të njësisë arsimore vendore. Kriteret dhe procedurat e hapjes dhe të mbylljes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
2.    Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore të pakicave kombëtare bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
 
Neni 42
Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore private
 
1.    Institucionet arsimore private krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji, përveç rasteve kur ligji ka formulim të veçantë për institucionet arsimore publike, si edhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to.
 
2.  Licencimi i institucioneve private bëhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit, sipas vendimit të ministrit. Institucioni arsimor privat fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet sipas përcaktimieve të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
 
3.       Pezullimi dhe revokimi i institucioneve arsimore private, të cilat nuk përmenden në pikën 2, të nenit 45, të këtij ligji, kryhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit, me vendim të ministrit.
 
4.       Shkollat private, në të cilat zhvillohen lëndë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, mbështetur në kërkesën e  përfaqësuesve të bashkësive fetare. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
5.       Shkollat private, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhë të huaj, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
6.    Në shkollat private të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të këtij neni, lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e kombit shqiptar dhe gjeografi e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.
 
7.    Një institucion arsimor privat ndërpret veprimtarinë e tij vetëm në fund të vitit shkollor.


Neni 43
Vlefshmëria e licencës
 
1.    Licenca vlen vetëm për subjektin përgjegjës dhe vetëm për atë nivel arsimor, vendndodhje dhe mjedise, për të cilat është dhënë fillimisht.
 
2.    Çdo ndryshim i bërë nga ana e subjektit të licencuar duhet të miratohet nga ministri dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Në rast se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, licenca revokohet dhe kërkesa trajtohet si aplikim i ri.
 
Neni 44
Pezullimi dhe revokimi i licencës
 
1.       Ministri pezullon ose revokon licencën e institucionit arsimor privat me propozim të IKAP-it ose të njësisë arsimore vendore.
 
2.       Një institucion arsimor, licenca e të cilit është pezulluar, mund ta fitojë atë për vitin pasardhës shkollor, në qoftë se plotëson kriteret e licencimit. Vendimi përfundimtar për revokimin e licencës është i pakthyeshëm për subjektin dhe institucioni mbyllet.
 
3.       Në rast të pezullimit dhe revokimit të një licence, njësia arsimore vendore përkatëse i vendos nxënësit në institucione të tjera arsimore, publike ose private. Shpenzimet për përfundimin e një viti shkollor për të gjithë nxënësit e regjistruar në atë shkollë private përballohen nga garancia bankare e institucionit arsimor privat të mbyllur. Modalitetet e transferimit të nxënësve  përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
KREU VII
KURRIKULA
 
Neni 45
Parime të përgjithshme
 
1.       Kurrikula zhvillohet si një e tërë për të gjitha nivelet arsimore për sa i përket formimit të vlerave, aftësive e koncepteve kryesore, si dhe parimeve të mësimdhënies, të të nxënit dhe të vlerësimit të nxënësve.
 
2.       Kurrikula është në përputhje me ecurinë e zhvillimit fizik, mendor, shoqëror të nxënësve dhe veçoritë e tyre individuale të të nxënit.
 
3.       Kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve.
 
4.       Kurrikula sipas niveleve arsimore dhe klasave hartohet dhe zhvillohet në bazë të kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar.
 
5.       Kurrikula mishëron parimin e integrimit nëpërmjet fushave të të nxënit dhe lëndore.
 
 
 
6.       Kurrikula u mundëson nxënësve zgjedhje individuale sipas nevojave dhe interesave të tyre.
 
 
Neni 46
Dokumentacioni kurrikular
 
1.       Kurrikula përbëhet nga kurrikula bërthamë, kurrikula me zgjedhje si dhe kurrikula për veprimtaritë plotësuese.
 
2.       Ministri, pas konsultimit me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, miraton:
 
a)      kornizën kurrikulare;
b)      planin mësimor për çdo nivel arsimor;
c)       standardet e të nxënit;
ç)    programet lëndore, përveç atyre që hartohen nga institucioni arsimor.
 
3.       Kurrikula, që hartohet në nivel institucioni arsimor, miratohet nga drejtori i tij pas marrjes së pëlqimit nga njësia arsimore vendore.
 
Neni 47
Kurrikula në institucionet arsimore private
 
Institucioni arsimor privat zbaton planin dhe programin mësimor të miratuar në momentin  e licencimit. Për çdo ndryshim kërkohet miratimi i ministrit. 
 
Neni 48
Tekstet shkollore
 
1.       Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga shkollat pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
2.       Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese përmes një procesi konkurrimi sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
 
3.       Botimet, të prodhuara jashtë vendit, përdoren në institucionet arsimore vetëm pas miratimit nga ministria.
 
KREU VIII
VLERËSIMI I NXËNËSVE
 
Neni 49
Qëllimi, kriteret dhe mënyrat e vlerësimit
 
1.       Vlerësimi i nxënësve ka për qëllim të evidentojë arritjet e të nxënit.
 
2.     Nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët kaluese është pesa. Nxënësit e arsimit të mesëm të lartë vlerësohen edhe me kredite dhe me shprehje në vlerësimin përfundimtar.
 
3.     Nxënësi i klasave të para, të dyta dhe të treta nuk e përsërit klasën, me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga prindërit e tij.
 
4.     Rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës dhe të njehsimit të notës vjetore lëndore, të notës së tij mesatare për një vit shkollor, si dhe të krediteve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 50
Provimet kombëtare dhe testet ndërkombëtare
 
1.       Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet provimit të arsimit bazë dhe provimit të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ai me një numër të caktuar nxënësish.
 
2.       Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.
 
3.       Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.
 
4.       Ministria siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në testime ndërkombëtare.
 
Neni 51
Provimet kombëtare të arsimit bazë
 
1.       Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët: gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
 
2.      Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët: gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj.
 
3.      Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 52
Matura shtetërore
 
Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e maturës shtetërore. Në provimet e maturës shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe një gjuhë e huaj. Lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit. Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore rregullohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 53
Dokumente të përfundimit të shkollimit
 
1.       Dokumenti i përfundimit të arsimit bazë është dëftesa e arsimit bazë, e cila lëshohet nga drejtori i shkollës pas përfundimit me sukses të provimeve kombëtare të arsimit bazë. Dokumenti i përfundimit të arsimit të mesëm të lartë është diploma e maturës shtetërore, e cila lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve pas përfundimit me sukses të provimeve kombëtare, të detyruara dhe me zgjedhje,  të maturës shtetërore.
 
2.       Në përfundim të çdo klase, nxënësi pajiset me dëftesë klase. Kriteret për lëshimin e dëftesës përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
3.       Një shkollë private e arsimit të mesëm të lartë e licencuar mund të lëshojë një diplomë të një institucioni arsimor të huaj ose të ngjashëm me të. Ministri përcakton procedurat e njehsimit të këtyre diplomave.
 
4.       Kriteret dhe procedurat e njëvlershmërisë së dëftesave dhe diplomave të nxënësve të ardhur nga jashtë vendit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
KREU IX
STATUSI I PERSONELIT MËSIMOR
 
Neni 54
Drejtori i institucionit arsimor
 
1.       Drejtori udhëheq veprimtarinë e institucionit arsimor.
 
2.       Drejtori i institucionit arsimor, publik ose privat, është përgjegjës për:
 
 
• a)      zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
• b)      përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor;
• c)      zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;
     ç)  menaxhimin e personelit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin 
          profesional të punonjësve të institucionit.
 
3.       Drejtori i institucionit arsimor publik kryen edhe këto detyra:
 
a)Menaxhon institucionin, përfshirë edhe menaxhimin financiar;
b)     Përdor një fond të veçantë vjetor nga buxheti i njësisë arsimore vendore për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, pas këshillimit me partnerët socialë dhe bordin e institucionit;
c)    Ka të drejtë, që, me fonde të siguruara nga institucioni, të punësojë, me kohë të plotë ose të pjesshme, mësues ndihmës, sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe ministrit të Financave. Masa e pagesës kryhet sipas akteve nënligjore në fuqi.
• 
Neni 55
Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor
 
1.      Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që përzgjidhen me konkurrim të hapur nga komisioni përzgjedhës. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë arsimore vendore, një përfaqësues i njësisë përkatëse bazë të qeverisjes vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i qeverisë së nxënësve për arsimin e mesëm të lartë, si dhe një mësues me përvojë dhe me arritje të spikatura në atë institucion arsimor, i cili zgjidhet nga këshilli i mësuesve.
        Kriteret dhe procedurat për emërimin dhe/ose shkarkimin e drejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
2.       Titullari i njësisë arsimore shkarkon drejtorin e institucionit arsimor publik për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve të tij nënligjore, shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, si dhe për mosrealizime të institucionit.
 
3.       Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit në institucionin arsimor privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara për drejtorin e institucionit arsimor publik, janë të njëjta edhe për drejtorin në një institucion arsimor privat.
 
4.       Drejtori i institucionit emëron dhe shkarkon nëndrejtorin pas marrjes së pëlqimit të këshillit të mësuesve.
 
Neni 56
Mësuesi
 
1.      Mësuesi zhvillon mësimdhënien me synim zotërimin e kompetencave themelore, në bazë të standardeve të të nxënit dhe duke përzgjedhur ndërmjet praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja.
 
2.       Mësuesi ka të drejtë:
 
a)      të ketë, në përputhje me këtë ligj, liri profesionale në zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;
b)      t’i sigurohen kushtet e mjaftueshme në institucion për mësimdhënie efektive;
c)       t’i krijohen mundësi për zhvillim profesional; 
ç)    të zgjidhet dhe të zgjedhë në bordin e institucionit dhe në Komisionin e Etikës dhe Sjelljes.
 
3.       Mësuesi ka detyrë:
• 
• a)      të zbatojë këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij;
• b)      të përkujdeset për mbarëvajtjen e çdo nxënësi të tij;
• c)       të zbatojë dhe të zhvillojë kurrikulën;
•      ç)       të përditësojë kompetencat profesionale;
• d)      të zbatojë rregulloren e institucionit;
•    dh)  të japë ndihmesën e tij për mbarëvajtjen e institucionit ku punon.
• 
Neni 57
Profesioni i mësuesit
 
1.       Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:
 
a)Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;
b)      Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
 
2.       Mësuesi i shkollave të arsimit profesional, që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.
 
3.       Diplomat e njëvlershme me diplomat e sipërpërmendura përcaktohen me udhëzim të ministrit.
4.       Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10 171,                datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij.
 
5.       Institucionet arsimore, që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
 
6.       Mësuesi, që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit, regjistrohet në ministri.
 
Neni 58
Zhvillimi i vazhdueshëm profesional
 
1.       Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit.
 
2.      Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata.
 
3.       Mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 (tri) ditë në vit.
 
4.       Trajnimet zhvillohen sipas sistemit “kërkesë - ofertë” në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë, publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga ministria.
 
5.       Njësitë arsimore vendore organizojnë kualifikimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me agjenci trajnuese me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.
 
6.       Burimet financiare për trajnimet janë nga kontributi vetjak i punonjësit arsimor, buxheti i shtetit, projekte të organizatave jofitimprurëse, të fondacioneve, të institucioneve, vendase ose të huaja, dhe burime të tjera të ligjshme.
 
Neni 59
Kualifikimi i mësuesve
 
1.       Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:
a)      “Mësues i kualifikuar”;
b)      “Mësues specialist”;
c)      “Mësues mjeshtër”.
 
2.       Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
3.       Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
Neni 60
Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit
 
1.       Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues, me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit dhe me arritje të spikatura, në atë institucion, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve.
Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
2.       Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për:
 
a)      shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore;
b)      shkelje të etikës e të sjelljes në institucion;
c)       arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet  që kanë kolegët e tjerë me këta nxënës a me nxënës të tjerë në klasa analoge.
 
3.       Drejtori i institucionit arsimor publik vendos largimin e tij pas konsultimit me komisionin e përmendur në pikën 1, të këtij neni.
 
KREU X
TË DREJTAT DHE DETYRAT E NXËNËSVE DHE PRINDËRVE
 
Neni  61
Të drejtat dhe detyrat e nxënësit
 
1.       Nxënësi ka të drejtë:
 
a)      të ndjekë institucionin arsimor publik që është në zonën e përcaktuar nga njësia bazë përkatëse e qeverisjes vendore;
b)      të përzgjedhë një institucion arsimor, publik ose privat;
c)       t’i sigurohet nga institucioni shërbim arsimor sipas interesave, nevojave dhe mundësive të tij, si dhe ndihmë e posaçme për të përballuar vështirësitë e tij të veçanta të të nxënit;
•     ç)   të informohet për të drejtat e detyrimet e tij, rregulloren e institucionit 
•           arsimor, për kurrikulën që institucioni i ofron, për format e vlerësimit, 
•          për provimet kombëtare, si dhe të vihet në dijeni me shkrim për
•               rezultatet e ndërmjetme dhe përfundimtare të arsimimit të tij;
•     d)  të shprehë pikëpamjet për çështje të arsimimit të tij, të ankohet për  
•           qëndrimet ndaj tij dhe të ketë vëmendjen e punonjësve të institucionit 
•          arsimor për këto pikëpamje e ankesa;
•    dh)  të zgjidhet në bordin e shkollës pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç;
•         e)  të transferohet nga një shkollë në një shkollë tjetër të të njëjtit nivel     
•             arsimor.
• 
2.      Nxënësi ka detyrë:
• 
• a)      të respektojë të drejtat e nxënësve të tjerë dhe të punonjësve të institucionit, të njohura me ligj;
• b)   të mësojë rregullisht;
• c)   të vijojë rregullisht dhe të marrë pjesë në veprimtari të tjera të   
•  institucionit;
ç) të respektojë rregullat e institucionit për mbrojtjen e shëndetit, të   
    sigurisë e të mjedisit dhe të kërkojë respektimin e tyre nga nxënësit e tjerë dhe punonjësit arsimorë;
• d)      të respektojë rregulloren e institucionit.
 
Neni 62
Të drejtat dhe detyrat e prindërve
 
1.       Prindërit janë partneri kryesor i institucionit arsimor në mbarëvajtjen e fëmijës dhe të institucionit.
 
2.       Prindi ka të drejtë:
• 
• a)      të informohet nga institucioni arsimor përkatës për legjislacionin arsimor në fuqi, për rregulloren e institucionit dhe për kurrikulën që institucioni i ofron fëmijës së tij;
• b)      të informohet për kushtet e sigurisë, të shëndetit dhe të mjedisit të institucionit dhe të kërkojë përmbushjen e tyre sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar;
• c)       të informohet për veprimtarinë e fëmijës së tij në institucion dhe të japë pëlqim për veprimtaritë plotësuese dhe jashtëshkollore që organizon shkolla;
• ç)    të vihet në dijeni  për drejtimet kryesore të veprimtarisë së institucionit dhe arritjet e institucionit në krahasim me institucione të ngjashme.
• 
3.       Prindi ka detyrë:
 
a)   të kujdeset që fëmija i tij të ndjekë rregullisht institucionin arsimor dhe të mësojë rregullisht;
b)   të njoftojë për ndryshime të shëndetit dhe të sjelljes së fëmijës së tij;
 
c)    të marrë pjesë në takimet për çështje që kanë të bëjnë me fëmijën e tij;
ç)    të kontribuojë në mbarëvajtjen e institucionit.
 
KREU XI
ARSIMIMI I FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
 
Neni 63
Parime të arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara
 
1.      Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara synon zhvillimin e plotë të potencialit, intelektual e fizik, dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre për t’i përgatitur për integrim të plotë në shoqëri dhe në tregun e punës.
 
2.       Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara për ta është përgjithësisht e përkohshme. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore.
 
3.       Nxënësve, që nuk dëgjojnë e nuk flasin, u garantohet e drejta e komunikimit në gjuhën e shenjave, ndërsa atyre që nuk shikojnë, përdorimi i shkrimit Brail.
 
Neni 64
Ndjekja e institucioneve arsimore nga fëmijët me aftësi të kufizuara
 
1.       Nxënësi me aftësi të kufizuara qëndron në shkolla të specializuara deri në moshën 19 vjeç.
 
2.       Sipas kritereve të miratuara nga ministri dhe ministri i Shëndetësisë, nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohet arsimimi në shkollat e arsimit të mesëm të lartë.
 
4.       Njësia arsimore vendore krijon një komision, të përbërë nga mjekë, psikologë, mësues dhe specialistë për fëmijët me aftësi të kufizuara, i cili, pasi shqyrton kërkesën e prindit ose të drejtorit të një institucioni arsimor, jep  rekomandimet përkatëse për ndjekjen nga fëmija të një institucioni arsimor të zakonshëm a të specializuar.
 
5.        Prindërit vendosin nëse fëmija e tyre me aftësi të kufizuara do të ndjekë një institucion të specializuar ose të zakonshëm të arsimit bazë. Prindërit mund të largojnë në çdo kohë nga shkolla fëmijën kur e gjykojnë se ai nuk përfiton nga mësimet ose ka mundësi të tjera më të mira.
 
6.      Ministria, në bashkëpunim me njësinë bazë të qeverisjes vendore dhe në këshillim me prindërit e me komisionin, siguron arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në njërin nga dy llojet e institucioneve arsimore, të zakonshme ose të specializuara.
 
7.       Njësia arsimore vendore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit të Shëndetësisë, i siguron arsimim në shtëpi nxënësve që nuk munden të ndjekin një shkollë të zakonshme ose të specializuar të arsimit bazë.
 
Neni 65
Organizimi i arsimimit të fëmijëve më aftësi të kufizuara
 
1.       Nxënësit me aftësi të kufizuara mësojnë sipas planit mësimor e programeve lëndore të zakonshme, planit mësimor e programeve lëndore të zakonshme, por të përshtatura për ta, ose sipas planit mësimor e programeve lëndore të specializuara për ta.
• 
• 2.       Në institucionet arsimore të zakonshme, programi i personalizuar për nxënësin me aftësi të kufizuara hartohet nga një komision, në përbërje të të cilit janë  mësues të fushave të ndryshme të të nxënit të institucionit e psikologë. Hartimi i këtij programi bëhet në bashkëpunim me prindërit e nxënësit. Ndryshimi i programit të personalizuar brenda një institucioni arsimor vendoset nga komisioni brenda institucionit në bashkëpunim me prindërit e fëmijës.
• 
• 3.       Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohen mësues ndihmës dhe shërbim rehabilitues sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Punonjësit arsimorë të institucioneve, që kanë nxënës me aftësi të kufizuara, certifikohen në programe trajnimi për trajtimin e këtyre nxënësve.
 
4.       Njësia përkatëse bazë e qeverisjes vendore u siguron nxënësve me aftësi të kufizuara mjediset e përshtatshme të mësimdhënies e të të nxënit sipas standardeve të përcaktuara nga ministria.


KREU XII
TË DHËNAT PERSONALE
 
Neni 66
Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale
 
1.       Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave personale të nxënësve dhe të punonjësve të sistemit arsimor bëhen në përputhje me ligjin nr.9887,         datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
 
2.      Nxënësit janë të detyruar të japin të dhënat personale sipas pikës 1, të këtij neni. Institucioni arsimor njofton paraprakisht personat për këtë detyrim ligjor.
 
3.      Institucioni arsimor mbledh e përpunon të dhëna personale të personave dhe i vendos ato në dokumentet zyrtare, si dhe në dosjen vetjake të personit. Këto të dhëna personale përcaktohen me udhëzim të ministrit, pasi merret mendimi i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
 
4.      Pëlqimi për t’i përdorur të dhënat personale jepet nga vetë personi kur ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, përndryshe jepet nga prindërit e tij. Pëlqimi paraqitet me shkrim.
 
Neni 67
Mbrojtja e të dhënave personale të nxënësve
 
1.       Personi ka të drejtë të njihet me të dhënat e tij personale, që disponon institucioni arsimor përkatës.
 
2.       Punonjësit e institucionit arsimor nuk kanë të drejtë t’u vënë në dispozicion të tjerëve, jashtë institucionit, të dhëna personale të një personi, duke treguar identitetin e tij, me përjashtim të rasteve kur personi paraqet kërkesën ose jep pëlqimin.
 
3.       Drejtuesi i institucionit arsimor u dërgon zyrtarisht institucioneve, që përcaktohen me udhëzim të ministrit, të dhëna personale pa identifikuar personat.
 
4.       Rezultatet e nxënësve në provimet kombëtare dhe të dhënat e tyre për hyrjen në institucionet e shkollave të larta, si dhe rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimit nuk zbulojnë identitetin e personit.
 
5.       Punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar që të japë të dhëna për arritjet mësimore dhe sjelljen e një nxënësi të institucionit arsimor në mënyrë publike ose t’ia japë ato një personi të veçantë.
 
6.       Të dhënat personale të një grupi personash mund t’u vihen në dispozicion institucioneve të tjera  për studime, vetëm  pas miratimit me shkrim të drejtorit të institucionit arsimor, pa zbuluar identitetin e tyre.
 
 
KREU XIII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
 
Neni 68
Ndjekja e arsimit të detyrueshëm
 
Mosregjistrimi dhe mungesat e paarsyeshme të fëmijës në mësim për më shumë se 25 për qind të orëve mësimore gjatë një viti shkollor vlerësohen si rast i neglizhencës prindërore dhe trajtohen në përputhje me ligjin nr.10 347,  datë 4.11.2010, “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”.
 
Neni 69
Kundërvajtjet administrative
 
1.       Hapja e institucioneve arsimore private në kundërshtim me procedurat dhe kriteret e licencimit përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësit në çdo rast dënohen me gjobë,  në vlerën nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë, dhe me me ndërprerje të veprimtarisë së filluar. Të drejtën e konstatimit dhe të shqyrtimit të kundërvajtjes e ka Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar.
 
2.       Kundër vendimit përfundimtar të dënimit, mund të bëhet ankim në gjykatën e shkallës së parë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit.
 
3.       Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative dhe ekzekutimi i vendimeve të dënimit me gjobë bëhen sipas dispozitave të caktuara në ligjin nr.10 279,              datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
 
 
KREU XIV
DISPOZITAT E FUNDIT DHE KALIMTARE
 
Neni 70
 
1.       Ligji nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i ndryshuar, si dhe çdo dispozitë tjetër që lidhet me arsimin parauniversitar dhe është në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
 
2.       Aktet e tjera normative, të  miratuara para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
 
3.       Institucionet arsimore private dhe institucionet arsimore private plotësuese, të licencuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për lejet, licencat dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, dhe ato të licencuara me ligjin e sipërpërmendur, përshtatin dokumentacionin e organizimit dhe të  funksionimit institucional, si dhe atë mësimor në përputhje me këtë ligj,  brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
 
4.       Struktura e re e arsimit bazë, neni 22, i shtrin efektet duke filluar nga viti shkollor 2015 - 2016. Provimi i gjuhës së huaj i maturës shtetërore i shtrin efektet e zbatimit në maturën shtetërore 2014. Provimi i gjuhës së huaj i arsimit bazë i shtrin efektet e zbatimit në vitin 2015.
 
5.       Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe ka formimin përkatës universitar, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin.
 
Neni 71
Zbatimi këtij ligji
 
1. Ministri nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji, brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.
 
2. Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.
 
 
Neni 72
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
 
 
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
 

 


15/02/2012
Votoni per projektligjin
PO:       JO: 

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Qeveria miraton vendimin pėr shpronėsimin e pasurive tė paluajtshme, pronė private, qė preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit tė Tiranės”
Deklaratė e Kryeministrit
Kryeministri Berisha pret Drejtoren pėr Shqipėrinė nė Bankėn Botėrore, Ellen Goldstein
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Austrisė nė Shqipėri Florian Raunig
Kryeministri Berisha pret kryetarin e Partisė Aleanca pėr Ardhmėrinė e Kosovės, zotin Ramush Haradinaj
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri tė Gjermanisė nė Tiranė, zotin Helmut Hoffman
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e qeverisė
Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit tė lartė tė kompanisė azere tė prodhimit tė naftės dhe gazit SOCAR
Kryeministri Berisha pret njė grup biznesmenėsh amerikanė
Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Azerbajxhanit, zotin Rahman Mustafayev
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave