Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, i cili është njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës mbajti sot një konferencë për shtyp, pas miratimit në mbledhjen e fundit Këshillit të Ministrave të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
Gjatë konferencës për shtyp Ministri Pollo tha: “Sot para jush po dal si Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, për t’ju njoftuar se Qeveria miratoi një projektligj, i cili synon të formalizojë pronësinë në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo një tjetër, 20 vitet e fundit, toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar. Në disa raste kjo tokë është ndarë edhe në parimin e tokës së babës. Projektligji synon që pronarëve tu lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës do të jenë kryetarët e këshillave të komunave. Ky proces, dhe zbatimi rigoroz i procedurave të tij, do të monitorohet nga komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe nga Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut dhe përfundimisht titujt e pronësisë do të regjistrohen në ZRPP. Përjashtohen nga ky proces tokat në proces gjyqësor, apo në proces legalizimi, si dhe ato për të cilat janë lëshuar tapi dhe janë regjistruar në ZRPP.
Benefitet, për pronarët dhe për shoqërinë, janë të mëdha, sepse të gjithë subjektet e këtij procesi do ta gëzojnë pronën, bazuar mbi dokumente, mund ta shesin, ta trashëgojnë dhe ta lënë si kolateral sipas normave ligjore.”
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave shqyrtoi e miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
Shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore po kryhet prej 3 vjetësh në vendin tonë. Komisionet Vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur e po funksionojnë pranë Prefektëve të secilit Qark.
Ndarja e tokës bujqësore në territoret e ish-kooperativave bujqësore është shoqëruar me probleme të plotësimit të dokumentacionit ligjor. Komisionerët e ngarkuar me këtë detyrë nuk e kanë finalizuar procesin e ndarjes së tokës, ndërkohë që përfituesit e disponojnë atë, e përdorin për qëllime bujqësore dhe e kanë burim të të ardhurave dhe jetesës së tyre, por nuk disponojnë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi. Kjo i pengon qytetarët të disponojnë lirisht pronën e tyre, të përfituar me ligj. Qëllimi kryesor i këtyre shtesave dhe ndryshimeve ligjore është pikërisht rregullimi ligjor dhe dhënia fund e problemeve të mbartura ne vite, në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor, në territoret e ish-Kooperativave Bujqësore.
Ligji ngarkon Kryetarët e Komunave/Bashkive, që për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjorë të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore.
Kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, administrata e komunës/bashkisë dhe kryetari i komunës/bashkisë, do të realizojnë proçesin e evidentimit, përcaktimit e saktësimit të përdoruesve realë të tokës, vendodhjen e saj, sasinë dhe kufitarët për çdo përdorues, ndërsa Këshilli i Komunës, do të jetë organi vendimmarrës, i cili shqyrton informacionin e mësipërm së bashku me pretendimet e mundshme. Vetëm pas kësaj vendimarrje, do të fillojë proçesi i plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës në pronësi nga Kryetari i Komunës, sipas një procedure të mirëpërcaktuar.
Në ligj përcaktohen sipërfaqet e tokave bujqësore në të cilat nuk lejohet të plotësohen AMTP-të dhe konkretisht:
1) Toka bujqësore rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private.
2) Toka bujqësore, rezulton e përfshirë në proçesin e legalizimeve sipas Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 ”Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.
3) Toka bujqësore është dhënë në pronësi nëpërmjet AMTP, të lëshuar deri në datën 15.08.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
4) Toka bujqësore është objekt i një konflikti gjyqësor dhe Komuna apo Bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.
Ligji ngarkon Këshillin e Ministrave të përcaktojë:
a) detyrat, përgjegjësitë dhe proçedurat për përcaktimin përfundimtar të përdoruesve të tokave bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, në komunat apo bashkitë ku komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi.
b) dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë si dhe dokumentacionin dhe informacionin që duhet të kërkojë dhe kontrollojë kryetari i Komunës apo Bashkisë, që përfituesi të jetë subjekt ligjor i trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit nr. 7501 datë 19.07.1991 “Për tokën”;
c) institucionet ku zyrtarisht do të kërkohet plotësimi i kërkesave të parashikuara në paragrafin 1/1 të nenit 17 të këtij ligji, procedurat dhe rregullat e hollësishme të bashkëpunimit, si dhe afatet e komunikimit me këto institucione;
ç) formën e dokumentit përfundimtar të pronësisë dhe mënyrën e ruajtjes dhe të përcjelljes së tij pranë institucioneve që drejtojnë dhe kontrollojnë proçesin, deri në dërgimin e tij për regjistrim në ZVRPP.
Dokumentacioni ligjor i pronësisë i përgatitur nga komuna/bashkia do të jetë i gatshëm për regjistrim në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme. Ky veprim ka një rëndësi të veçantë pasi përveç respekton edhe standardet e sigurisë juridike të të drejtës së pronësisë si dhe procedurave e kritereve të sakta që vendos. Realizimi i dhënies të titujve të pronësisë i fut këto prona në qarkullim civil duke ju dhënë subjekteve mundësinë t’i përdorin e shfrytëzojnë ato, si pronarë me të drejta të plota.
Për të mos e zvarritur pafundësisht plotësimi i Akteve të Marrjes së Tokës në pronësi është propozuar që proçesi të përfundojë brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
16/03/2012