- Ky projekt është një investim tërësisht gjerman i Lindner Group, prej rreth 100 milionë euro dhe parashikon ngritjen e një parku biznesi dhe qendre ekonomike, i cili do të krijojë mbi 9 mijë vende pune.
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e fillimit të punimeve për projektin e grupit gjerman Lindner, për ngritjen e një parku biznesi dhe qendre ekonomike, “Tirana Business Park”. Ky projekt është një investim tërësisht gjerman i Lindner Group, prej rreth 100 milionë euro. Projekti është i vendosur në komunën e Prezës, pranë aeroportit “Nënë Tereza” dhe synon t’i japë zonës një fuqi të re zhvillimi ekonomik dhe shoqëror.
Tirana Business Park do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 210 mijë metra katrorë. Ceremonia e fillimit të punimeve starton fazën e parë të ndërtimit të projektit, duke ndërthurur dy koncepte në të cilat bazohet: ambiente moderne për biznes dhe ambient miqësor (parqe, ambiente pushimi, shëndetësie, etj.), për ta bërë biznesin sa më produktiv. Ky projekt, krahas investimit prej 100 milion euro, sjell gjithashtu një koncept të ri në mënyrën e organizimit e të bërit biznes.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtarë të kabinetit qeveritar, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë znj. Carola Müller-Holtkemper, anëtarë të familjes së nderuar gjermane Lindner dhe të këtij grupi prestigjioz gjerman, Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, biznesmenë dhe të ftuar të tjerë.
Kryeministri Berisha vendosi gurin e parë që simbolizon nisjen e ndërtimit të këtij parku, duke shprehur urimet më të mira për një fillim dhe vazhdim të mbarë të punës në ngritjen e “Tirana Business Park”, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Ky investim, theksoi Kryeministri në fjalën e tij, sjell në Shqipëri kulturën më të mirë të biznesit në kohët e sotme. “Një nga leksionet e mëdha që bota mund të mësojë nga Gjermania është qëndrimin ndaj tregut të punës dhe krahut të punës, ndaj, ne jemi shumë të lumtur që ju sillni sot këtu, këtë eksperiencë të shkëlqyer, jetike për konsolidimin e kompetivitetit të një ekonomie”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen më të thellë familjes Lindner, anëtarëve të saj të pranishëm sot këtu dhe të gjithë anëtarëve të këtij grupi të kësaj familjeje të nderuar, për besimin e madh që kanë treguar ndaj Shqipërisë, me projektin e tyre që ne inaugurojmë sot.
Në historikun e biznesit të këtij vendi, kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sot nis punimet Tirana Business Park, i pari i këtij lloji në Shqipëri, një investim prej 100 milionë euro, investim i cili do të krijojë mbi 9 mijë vende pune.
Por, ky investim sjell në Shqipëri, në Tiranë, kulturën më të mirë të biznesit në kohët e sotme. Vend juaj është një vend i cili dëshmon se me reformat që ka ndërmarrë, ekonomia mund të përballojë krizën dhe mund të zhvillohet. Një nga leksionet e mëdha që bota mund të mësojë nga Gjermania është qëndrimin ndaj tregut të punës dhe krahut të punës. Ne jemi shumë të lumtur që ju sillni sot, këtu, këtë eksperiencë të shkëlqyer, jetike për konsolidimin e kompetivitetit të një ekonomie. Unë dua të shpreh admirimin tim për ju, sepse persistuat në një projekt jo të thjeshtë dhe jam dëshmitar i përpjekjeve tuaja shumë serioze.
Por ju theksuar këtu se ky është një premtim i mbajtur dhe unë dua të theksoj se mbajtja e premtimeve është dëshmia më e fuqishme e integritetit të personit, individit, në çdo fushë. Ju jeni të tillë, një familje me integritet të shkëlqyer, me një ekip me integritet të shkëlqyer. Por dua të theksoj gjithashtu, se keni bërë një nga zgjidhjet më të mençura. Pak vite me parë, kompania e madhe e konsulencës e njohur në mbarë botën, Mckenzie, ka bërë një studim për këtë rajon. Ata kanë konkluduar se ky rajon mund të bëhet “Shenzheni” i Evropës. Ju garantoj se guri që vendosim sot është guri i themelimit të një Shenzheni të vërtetë në Evropë.
Ju theksuat të gjitha avantazhet e pozicionit gjeografik të Tirana Bisnes Park, portin, aeroportin, autostradën, panoramën e shkëlqyer që ka përreth, krahun e punës të leverdishëm. Nga ana tjetër, Shqipëria sot, në thithjen e investimeve të huaja për frymë, është një nga vendet më kampion në botë.
Por, unë dua t’ju garantoj se qeveria ime do të bëjë gjithçka për një mjedis edhe më shumë miqësor, ndaj jush, afaristëve dhe biznesmenëve të tjerë që duan të investojnë në këtë vend. Ambicia jonë është e thjeshtë; të vendosim në Shqipëri praktikat më të mira që ekzistojnë në botë për biznesin. Unë dje vizitova Qendrën Kombëtare të Licencave dhe leje, sistemin e gjurmimit të dokumenteve në këtë qendër. Ne nuk do të lëmë praktikë të përparuar pa qëmtuar dhe vendosur në këtë vend, në mënyrë që t’ju ndihmojmë ju. Ne besojmë te taksat e ulëta dhe ju garantoj se, sa të jetë kjo qeveri, do të ketë vetëm ulje taksash. Kështu që, sot ne vendosim një gurë themeli shumë më të rëndësishëm se sa parku që do inaugurojmë në vitet që vijnë.
I dashur Majkëll,
Do ta mbyll fjalën time duke ju falënderuar me shumë mirënjohje, juve dhe Elisabetën për mbështetjen që ajo ju ka dhënë, por dua të theksoj se në tokën gjermane, dhëndër më të mirë se ju, familja Lindner nuk mund të kishte gjetur. Faleminderit”.
25/07/2012