- Shqipëria priti gjatë 7 muajve të parë të vitit, rreth 277 mijë turistë të huaj, më shumë, se sa një vit më parë
- Fuqizimi i turizmit shënoi krijimin e 190 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët shqiptarë, të shtrira nga Velipoja në Ksamil.
- Investimet e qeverisë në sektorin e turizmit shënojnë këtë vit më shumë se 220 milionë euro
- 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit mbi ndërtimet e paligjshme në bregdet, nga Ksamili deri në Velipojë.
Kryeministri Berisha u përqendrua sot në fjalën e tij mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tek sezoni turistik i këtij viti, i cili ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë. Kryeministri iu drejtua me një falënderim të gjithë shtetasve të huaj dhe atyre shqiptarë, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre. “Me vendimin e tyre fisnik, ata bënë që sezoni turistik i deritanishëm të jetë sezoni më i paprecedent në historinë vendit. Me këtë vendim ata bënë që Shqipëria të presë turistë të huaj, rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të viti, se sa një vit më parë dhe kjo është një nga rritjet më të ndjeshme.“ u shpreh Kryeministri.
Kryeministri bëri të ditur se ky vit fuqizoi së tepërmi turizmin, degë kryesore e ekonomisë shqiptare, i cili shënoi krijimin e 190 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët shqiptarë, të shtrira nga Velipoja në Ksamil.
Kryeministri u shpreh se investimet e qeverisë në sektorin e turizmit, të cilat shënojnë më shumë se 220 milionë euro këtë vit kanë dhënë frytet e tyre, duke shndërruar zona të tëra turistike, në perla të vërteta për turistët. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi investimet në rrugë të tilla si autostrada Levan-Vlorë apo Levan- Dams, ndërtimin e Terminalit të ri të pasagjerëve në Durrës, si dhe ndërtimin e rindërtimin e rrugëve, në të gjitha vendet turistike të trashëgimisë kulturore.
Gjithashtu, kryeministri bëri me dije se investimet në turizmin malor i kanë dhënë atij një zhvillim të vrullshëm, duke nxjerrë në pah zona të mrekullueshme, të pa eksploruara më parë që nxisin së tepërmi kërshërinë dhe interesin e vizitorëve, në mënyrë të veçante atyre të huaj, duke bërë që turizmi të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe të mos kufizohet vetëm në atë bregdetar. “Investime janë bërë dhe po bëhen drejt të gjitha zonave malore, nga maja e Çajupit deri rreth Bjeshkëve të Nemuna, drejt Valbonës, Shishtavecit, Prespës, Voskopojës, pra ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kurrë ndonjëherë malet e Shqipërisë nuk kanë pritur kaq shumë vizitorë sa këtë verë, nuk kanë njohur një numër kaq të madh vizitorësh, sa këtë verë.” tha kryeministri.
Duke vlerësuar punën e mirë të bërë në tërësi nga autoritete lokale, Kryeministri tha se ka ende shumë për të bërë, në drejtim të përmirësimit dhe të përsosjes së sistemit të turizmit, në vend, por kjo nuk justifikon përpjekjet e kryetarit të PS i cili përmes kasnecëve të tij kërkon të hedhë baltë mbi faktet reale që dëshmojnë zhvillimin e këtij sektori të fuqishëm. “Unë shfrytëzoj rastrin ti them zotit Rama se kasnecë të tij që hedhin baltë duke cituar qytete, nuk i bëjnë nder PS, sepse ato qytete administrohen nga qeveritarë vendorë, të cilat janë larg të qenurit të përsosur, por nuk mund të mohosh kurrë në atë shkallë nihilizmi që ata dëshmojnë për mikpritjen dhe mbarëvajtjen e sistemit turistik.” tha kryeministri
Më tej, nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha iu drejtua me një mesazh të gjithë ndërtuesve të paligjshëm në bregdetin e vendit, të cilët me ndërtime pa kritere po dëmtojnë imazhin e bregdetit, duke bërë të ditur se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. “Unë jam këtu sot për tu dërguar një mesazh të gjithë atyre që marrin përsipër të rrënojnë brigjet e vendit, unë ju jap fjalën e nderit se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. Të babëzitur që ndërtoni në rërë tregoni se morali juaj është inekzistent ,në një kohë kur ke një sipërfaqe të pafundme ku mund të ndërtosh.”
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Më lejoni të shpreh kënaqësinë që sot kjo sallë mbledhjesh është më pluraliste se kurrë. Rrethana të caktuara e kanë sjellë që të jetë e tillë, por kjo mua më pëlqen sepse pluralizmi është një veti e mrekullueshme e sistemit demokratik,
Zotërinj ministra,
Kryefjala e kësaj mbledhje nuk mund të jetë tjetër veçse sezoni turistik. Unë në emër të qeverisë dua të falënderoj se pari të gjithë ata shtetas të huaj dhe shqiptarë, të cilët pjesën më të ëmbël të vitit, pushimet ia besuan Shqipërisë. Me vendimin e tyre fisnik, ata bënë që sezoni turistik i deritanishëm të jetë sezoni më i paprecedent në historinë vendit. Me këtë vendim ata bënë që Shqipëria të presë turistë të huaj, rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit, se sa një vit më parë dhe kjo është një nga rritjet më të ndjeshme. Ata bënë që të fuqizohet më tej, si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune, një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja ne Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Nga Velipoja në Ksamil, kurrë ndonjëherë nuk ka patur një dyndje të tillë turistike.
Dyndje të jashtëzakonshme ka njohur Jugu. Këshilltari i një ministri që nuk është sot këtu fjeti në makinë, në Sarandë, sepse nuk gjeti dhomë të lirë, kurse këshilltari im e konsideronte veten fatlum se kishte arritur te gjente një dhome të lirë në Orikum, por miku i tij kishte mbetur ne makinë. Të tilla janë kërkesat këtë vit, i tillë është fluksi.
Qeveria ka bërë shumë këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, për kushte më të mira. Me dhjetëra dhe qindra mesazhe vijnë nga Jugu me inaugurimin e dy rrugëve të bukura në një hark kohor një javor, rrugë këto të cilat kanë transformuar njëherë e përgjithmonë zonat jugore, turistike të vendit. Autostrada Levan-Vlorë e cila ishte padiskutim dhurata më e bukur që i bëhej këtij qyteti në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, si dhe autostrada Levan-Dams që ka shkurtuar në mënyrë të jashtëzakonshme autostradën Gjirokastër-Tiranë. Në tërësi këtë vit janë investuar në turizëm më shumë se 220 milion euro. U inaugurua Terminali i Ri në portin e Durrësit një nga terminalet më të bukura në brigjet e Adriatikut. Janë ndërtuar dhe rindërtuar një nga një, të gjitha rrugët në vendet turistike të trashëgimisë kulturore, që nga Finiqi, në Drisht. Turistët kanë mundësi në një kohë të shkurtër të shijojnë dhe të pasurohen me trashëgimin e jashtëzakonshme që ka ky vend, pasi pothuajse të gjitha perandoritë e mëdha të kohës erdhën dhe shkuan dhe lanë gjurmët e tyre shumë të mëdha dhe lavdi Zotit ne mbetem shqiptarë, falë nënave tona që ruajtën të pastër gjakun në shekuj dhe mijëvjeçarë.
Turizmi ka njohur investime të mëdha në infrastrukturë, ujë, energji elektrike, në të gjitha fushat, por investime janë bërë dhe po bëhen drejt të gjitha zonave malore, nga maja e Çajupit, deri rreth Bjeshkëve të Nemuna, drejt Valbonës, Shishtavecit, Prespës Voskopojës, pra ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kurrë ndonjëherë malet e Shqipërisë nuk kanë pritur kaq shumë vizitorë sa këtë verë, nuk kanë njohur një numër kaq të madh vizitorësh , sa këtë verë.
Kontributi në ekonominë shqiptare është shumë i madh, qindra miliardë lekë, por mbi të gjitha kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit pasi krahas qindra e mijëra vende pune që krijon direkt në të gjithë infrastrukturën e tij, ai përbën një avantazh të jashtëzakonshëm për prodhuesit shqiptarë, të cilët kanë tashmë një popullatë të disafishur në zonat turistike të vendit për prodhime e tyre dhe krijojnë të ardhura, zgjerojnë fermat, bëjnë investime, punësojnë, etj. Në fakt një nga shtyllat kryesore që mbrojti Shqipërinë nga kriza, që bëri që ekonomia shqiptare ti rezistojë presionit të tmerrshëm të krizës ekonomike financiare të Evropës dhe të botës është turizmi. Në qoftë se lexoni statistikat, kriza ka prekur në një farë mënyre intensitetin e trafikut ajror, por nga ana tjetër është shtuar në mënyrë thelbësore trafiku rrugor. Ata që udhëtojnë në fundjavë në rrugët e Shqipërisë harrojnë se janë në këto rrugë. Ka autokolona të pafundme që hyjnë në vend nga të katër anët e pikave kufitare.
Natyrisht do të ishte e gabuar në qoftë se ne do të mendonim se kemi bërë gjithçka për sezonin aktual turistik, edhe më shumë duhet të kishim bërë, por unë dua të përgëzoj të gjitha autoritetet vendore, ministritë përkatëse për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në suksesin e këtij sezoni turistik. Unë shfrytëzoj rastrin ti them zotit Rama se kasnecë të tij që hedhin baltë duke cituar qytete, nuk i bëjnë nder PS, sepse ato qytete administrohen nga qeveritarë vendorë, të cilët janë larg të qenit të përsosur, por nuk mund të mohosh kurrë në atë shkallë nihilizmi që ata dëshmojnë, për mikpritjen dhe mbarëvajtjen e sistemit turistik. Ata të cilët sulmojnë Vangjushin për turizmin e Durrësit e kanë me ligësi. Unë nuk dua ta mbroj zotin Dako, se më rreptë se unë nuk qëndron kush ndaj tij, por tu biesh sirenave se ka rënë numri i pushuesve në plazh, në një kohë që po tu shtosh atyre të gjithë ata që pushojnë në plazhin e Hamallajt dhe të Gjirit të Lalzit, janë të gjithë në territorin e Durrësit. Në Durrës, jo vetëm që nuk janë pakësuar turistët por janë shtuar të paktën me 40 deri në 60 %. Sigurisht, që ky breg është për tu zbuluar e zhvilluar. Së bashku kemi qenë njëherë në inaugurimin e rrugës së Divjakës me Pushimin e Shoferit dhe aty gjetëm një zonë tërësisht të pacenuar, të pa ndërtuar. Sigurisht që ajo do të ndërtohet pas rrugës dhe nuk do të ketë një grumbull aq të madh në Divjakë, por do të ketë një shpërndarje më proporcionale. Sigurisht që ka shtrirje të turizmit në të gjithë territorin. Unë mund tu kujtoj ju sot se në statistikat e vitit të kaluar, Velipoja ka pasur një hotel më pak se sa Saranda. Njëra kishte 90, ndërsa tjetra 91. Pra ka një dinamizëm, nuk dua të mbroj kryekomunarët dhe kryebashkiakët, por puna e tyre, përkushtimi i tyre nuk mund të shkelmohet, siç shkelmoi me një logjike fataliste përfaqësuesi i zotit Rama dy ditë më parë. Natyrisht, një punë më e madhe duhet bërë dhe unë ftoj autoritetet lokale të ngrihen në lartësinë e duhur sepse kanë shumë punë për të bërë në drejtim të mjedisit dhe të pastërtisë, por absolutisht një ndryshim është evident. Jam shumë dakord që një punë më e mirë dhe e konsoliduar duhet bërë për forcimin e disiplinës fiskale, një punë më të mirë dhe rigoroze duhet të bëjmë për mbrojtjen e brigjeve.
Në këtë kontekst, unë jam këtu sot për tu dërguar një mesazh të gjithë atyre që marrin përsipër të rrënojnë brigjet e vendit, unë ju jap fjalën e nderit se 1 shtatori do të shënojë zbatimin më rigoroz të ligjit nga Ksamili deri në Velipojë. Të babëzitur që ndërtoni në rërë, tregoni se morali juaj është inekzistent, në një kohë kur ka një sipërfaqe të pafundme ku mund të ndërtohet. Ato plazhe nuk janë jetime dhe unë ju garantoj ju, se ju që ndërtoni aty dhe ata që ju bëjnë ju sehir do të jenë përgjegjës. Shikon një zonë të tërë të ndërtuar dhe sheh që del çibani në rërë, si e si të rrënojë plazhin dhe hapësirën, si e si të pushtojë një sipërfaqe që është tërësisht e publikut. Thirrja imë është kjo: Prishini vetë në mënyrë që të përdorni edhe materialet që keni aty sepse ato do të kenë vetëm një fat, ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe unë do ti qëndroj fjalës time. Sidomos në bregun Jon, por edhe në atë Adriatik. Perlat janë perla, po shkove dhe i vure një njollë të zezë aty, i bën njerëzit të kthejnë kokën, ndaj edhe njëherë mos shpenzoni para, të nderuar zotërinj, të babëzitur deri në palcë, sepse me qetësimin e sezonit, me rënien e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar, prishini vetë se do të paguani edhe për prishjen e tyre. Një dekret i veçante do të përgatitet nga ministria e punëve publike dhe ministria e drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit ndaj këtyre pak njerëzve që duan tu shkatërrojnë shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti.
* * *
Nuk mund ta mbyll këtë kapitull pa thënë dy fjalë për javën që kaloi. Më ndodhi ajo që më ndodh çdo vit, por këtë vit më shumë se çdo vit tjetër. Njeriu shndërrohet në njeri ujor. Një rekord që desha ta mbaj sekret nuk e mbajta dot sepse deti jo vetëm që ka sy, por ka dylbi dhe unë sa dola nga deti i pashë titrat në televizione. Unë mund tu them se e pyeta veten çfarë ndodhi këtë vit që notova më shumë se kurrë ne jetën time. Dy faktorë, olimpiada dhe zgjedhjet e ardhshme. Nuk kishte arsye tjetër, të jem i sinqertë, ky është një ogur i bardhë. Më mbetet dhe një moment tjetër i rëndësishëm, dua të shkoj dhe në një majë patjetër, sepse dua tu them një gjë këtu, ditën që takova ata tre të rinj që kishin ngjitur Everestin, ishte hera e parë në jetën time që më shkoi mendja sikur të kisha qenë njëri prej tyre. Imagjino, mendova po të kisha filluar jetën si këta, duke ju ngjitur Everestit, se ku do të isha.
Rendi i ditës është një rend i ngjeshur dhe duhet të falënderojmë administratën që edhe në këtë periudhë normale pushimi sepse gushti është një periudhë e tillë, është angazhuar në hartimin e një seri aktesh shumë të rëndësishme, ndër të cilat është akti që i jep fund therjes së mishit jashtë kontrolleve. Do të leme mënjane dhe mbrapa praktikat mesdhetare dhe të dalim siç na takon. Këtu kemi të bëjmë me një praktikë, jo vetëm të papranueshme dhe të prapambetur, por edhe kërcënuese për jetën e qytetarëve dhe nga një produkt me vlerë të plotë biologjike,siç është mishi, i therur jashtë kontrolleve, shndërrohet në një faktor ndër më kërcënuesit për jetën e qytetarëve në tërësi, ndaj dhe me këtë akt i jepet fund therjeve dhe rrjepjeve, shitjeve të mishit buzë rruge apo nëpër kthina. Me tolerancë zero ndaj këtij fenomeni. Toleranca e deritanishme është dëshmi e korrupsionit të sigurt të autoriteteve përgjegjëse. Sidoqoftë ky dekret i jep fund dhe nuk le më asnjë hapësire për inspektorë dhe të tjerë që të tolerojnë një situatë absolutisht shumë të dëmshme.
Një vendim tjetër është ai për emërimin e zotit Avenir Peka, si drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe lirimin nga detyra e zv/ministrit të punëve të brendshme , pastaj janë një seri vendimesh të përgatitura nga ministria e brendshme dhe ministri i financave për rrogat, ku rritja është modeste për institucionet e larta. Siç kemi deklaruar ne i përmbahemi parimit tonë të ngushtimit të diferencës midis rrogës mesatare, rrogës minimale dhe rrogës maksimale në vend dhe ky parim është një parim i drejtë, i ndershëm, njerëzor. Kur erdhëm këtu gjetëm diferencën midis rrogave më të larta dhe rrogave të ulëta 12 herë dhe në disa raste më shumë. Kjo periudhë është arkivuar dhe po shkohet në një diferencë 5 deri në 6 herë , madje ka zbritur nën 6 dhe ky është një qëndrim konstant, rezultat i kësaj politike. Gjithashtu ka vendime për përcaktimin e kuotave të ushqimeve për konviktet dhe bursat dhe pranimet në universitet publike, masterat në artet e bukura, etj.
16/08/2012