- Eksportet shqiptare drejt Gjermanisë rriten me 38 %
Kryeministri Berisha vlerësoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se bashkëpunimi ekonomik me Gjermaninë i ka dhënë qartë frytet e veta, duke vënë në dukje se tashmë konstatohet me kënaqësi rritja e eksporteve shqiptare drejt Gjermanisë , sikundër është bërë i njohur suksesi i kompanive gjermane si Hochtief dhe kompani të tjera në Shqipëri. “ Konkretisht eksportet shqiptare drejt Gjermanisë këtë vit janë rritur me 38 %”- tha Kryeministri. Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi se konferenca e ardhshme ekonomike që do të zhvillohet në 10 ditshin e fundit të tetorit ka një rëndësi shumë të madhe.
Kryeministri u shpreh se zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë dhe përpjekjet e përbashkëta për të ngritur këtë bashkëpunim drejt niveleve të bashkëpunimit politik, përbëjnë një detyrë madhore për qeverinë.
Kryeministri informoi se në kuadrin e këtij bashkëpunimi, zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm me Sekretarin Parlamentar, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë, zotin Hartmut Schauerte. “Diskutuam gjerësisht me zotin Schauerte për mënyrën sesi të nxisim më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kompletimin sa më shpejt të gjithë kuadrit ligjor të domosdoshëm për një infrastrukturë solide të këtij bashkëpunimi.” tha kryeministri.
Kryeministri informoi ndër të tjera, lidhur me takimin e zhvilluar me afaristët gjermanë, të cilët duke shprehur vlerësimin më të lartë për reformat në Shqipëri dhe krijimin e klimës pozitive për investime, shprehën vendosmërinë e tyre për të investuar në vendin tonë, në projekte madhore në të gjitha fushat.
10/10/2008