08/06/2008
“Është një kënaqësi e madhe dhe nder i madh për mua personalisht të flas sot përpara jush, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili është një eveniment shumë i rëndësishëm, në kuadrin e përpjekjeve të Shqipërisë për të nxitur mundësitë dhe potencialin përkundrejt investitorëve të huaj. Gjithashtu, kjo është dëshmi e marrëdhënieve afatgjata midis Austrisë dhe Shqipërisë. Ju theksuat, zoti Busek, në fjalën tuaj të hapjes, kontributin e shqiptarëve si Karl Gega, Aleksandër Moisiu, por për mendimin tim, kontributi i austriakëve për Shqipërinë, për kombin tim, është shumë më i madh. Është pikërisht një austriak, i cili shkroi librin më realist e më të mirë të të gjitha kohërave për Shqipërinë, duke u shndërruar në një libër reference, një libër në lidhje me të gjitha shfaqjet dhe zhdukjet e Shqipërisë në historinë afatgjatë. Ishte një tjetër austriak shumë i shquar, një shkencëtar shumë i madh austriak, i cili bëri një punë shumë të madhe kërkimore, shkencore në lidhje me identitetin, origjinën, të kaluarën, gjuhën e kombit tim.
Vendi im, që para dy vjetësh dhe për dy vjet me radhë ka kaluar nëpër ndryshime radikale, ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ka qenë pikërisht miku im, zoti Shussel, i cili në atë periudhë ka drejtuar Bashkimin Evropian dhe që ndihmoi shumë Shqipërinë, vendin tim.
Në datën 3 prill, kombi im, Shqipëria, mori ftesën për anëtarësim në NATO. Kjo është një arritje historike për shqiptarët, nga pikëpamja historike por edhe në të gjitha aspektet e tjera. Kjo do të thotë që ju, zonja dhe zotërinj, do të keni stabilitet dhe ky stabilitet është fondamental, për të sjellë projektet tuaja dhe besimin tuaj në një vend, në mënyrë përfundimtare. Tani jemi një vend tek i cili njerëzit kanë më shumë besim.
Shqipëria është një vend i vogël, por përpjekjet tona për të krijuar një klimë shumë miqësore për investitorët e huaj janë të jashtëzakonshme. Ju jeni sot një vend i cili, në mënyrë të suksesshme, kaloi në një proces reformash për të ulur barrierat politike. Nga 42 ditë që duheshin për regjistrimin e biznesit, sot kemi iniciativën “One Stop Shop”, nga një administratë fiskale tepër burokratike, tani jemi një vend me një linjë të vetme taksash të cilat janë online, prokurimet tashmë bëhen online. Eshtë shumë i rëndësishem fakti se Shqipëria ka barrierën më të ulët fiskale në gjithë Evropën, ka një taksë të sheshte prej 10 për qind, kemi ulur ndërkohë me 31 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore, po ulim numrin e taksave, nga 24 taksa kombëtare në 6 taksa kombëtare.
Ne po punojmë shumë për të proceduar shpejt, së afërmi, me iniciativën “One stop Shop” për licencat dhe lejet, por para se të arrijmë këtu, ne po heqim mbi 58 për qind të gjitha licencave në këtë vend.
Para dy javësh, qeveria që unë drejtoj vendosi të krijojë 6 parqe industriale, nga veriu në jug të Shqipërisë. “Shqipëria një euro” është një iniciativë që po përhapet çdo ditë e më shumë. Kontraktorët mund ta kenë të gjithë tokën, qoftë për qëllime bujqësore, turistike, apo për qëllime të tjera, vetëm për një euro. Ka edhe shumë tarifa të tjera, duke përfshirë edhe tarifën e regjistrimit të biznesit, të cilat tashmë kushtojnë vetëm 1 euro.
Ekonomia e Shqipërisë është një ekonomi e re, dinamike, entuziaste. Në një vend që ka një rritje ekonomike 6 për qind, inflacioni, pavarësisht nga zhvillimi në këtë drejtim, është nën kontroll. Muajin e kaluar ishte 4.2 për qind dhe do të ulet edhe më tej.
Eksportet në këtë vend janë duke u rritur çdo ditë. Një vit më parë ishin 28 për qind më shumë sesa vitin më përpara. Këtë vit, eksportet e produkteve shqiptare “Made in Albania” këtë muaj janë 32 për qind më të larta sesa një vit më parë.
Investimet e huaja direkt kanë ardhur duke u rritur. Një vit më parë patëm 57 për qind më shumë se sa në vitin më përpara. Nga viti 2006, investimet janë rritur 3 herë, krahasuar me mesataren e 3 viteve të fundit.
Ka një interes të jashtëzakonshëm nga investitorë të ndryshëm për të investuar në Shqipëri. Investitorët austriakë janë më të interesuarit. Kompania e Sigurimeve vjeneze, UTIKA, e të tjera kompani austriake kanë ndjekur shembullin e Reiffeisen Bank, Rognerit apo kompanive të tjera lider austriake, ashtu siç kanë vepruar edhe shumë kompani të tjera nga vende të tjera, të cilat janë duke investuar në vendin tonë.
Shqipëria është një vend i vogël, por ofron mundësi e shanse për çdo kompani të madhe ndërkombëtare. Kjo është shumë e vërtetë. Këtu ka një potencial shumë të madh turistik për t’u përdorur. Janë 400 kilometra të mrekullueshëm, panoramikë, pra një bregdet i jashtëzakonshëm. Gjithashtu, jemi një ndër vendet që ka pasuri të jashtëzakonshme ujore. Në periudhën e krizës energjetike, Shqipëria duhet të përdorë mbi 20 miliardë kilovat orë nga lumenjtë e saj. Shumë kompani të mëdha evropiane kanë projekte për kaskadat për lumenjtë tanë. Do të ndërtohen mbi 400 hidrocentrale me fuqi dhe përmasa të ndryshme. Është shumë e rëndësishme nëse ju do t’i shikoni këto.
Shqipëria ofron potencial shumë të jashtëzakonshëm nafte. Nuk ka asnjë vend tjetër më të përshtatshëm se vendi im që ka një lartësi mesatare, më e larta në Evropë, 640 metra, që ka një bregdet të gjatë.
Jemi vendi me më shumë diell në rajon. Interesi për prodhimin e energjisë solare është duke u rritur në vendin tim. Shqipëria është e hapur ndaj burimeve të ndryshme të energjisë, duke përfshirë edhe ato nukleare, pra bërthamore. Mbetet bindja ime e thellë se nuk duhet t’i përjashtojmë shqiptarët, por ata duhet të përfitojnë nga ky burim i shkëlqyer që është burimi bërthamor i energjisë elektrike.
Minierat janë një tjetër sektor shumë i rëndësishëm. Shqipëria është një vend me depozita të jashtëzakonshme minerare. Jemi një nga vendet më të pasura në botë me krom. Kemi qenë dikur në vend të tretë ose të katërt. Në rast se përpara 3 vjetësh, një ton krom kuotohej me 70 dollarë, tani është 480 dollarë në treg. Por, jemi edhe më të pasur me bakër dhe nikel. Prandaj ka edhe kompani austriake të cilët punojnë në Shqipëri në këtë drejtim. Ne po punojmë ngushtësisht edhe me Bankën Botërore, veçanërisht me Departamentin e saj të minierave, për të adaptuar një qasje sa më transparente dhe sa më miqësore ndaj mjedisit për sa u përket depozitave minerare.
Shqipëri gjithashtu ka tregun më të mirë të punës. Është një treg i ri, dinamik, i arsimuar siç duhet.
Kemi gjithashtu një sistem bankar të zhvilluar mirë. Ndonëse para disa vjetësh ai është përballur me disa vështirësi, aktualisht, ky sistem ka rregullat më të mira. Për të shmangur problemet që mund të lindin nga transaksionet bankare, ne jemi në dialog të vazhdueshëm me sistemin bankar, në lidhje me tarifat që akoma janë më të larta nga sa duhet të ishin në realitet. Por, theksoj se pas vendosjes së taksës së sheshtë dhe pas shumë iniciativave të tjera tepër të favorshme që kemi ndërmarrë, si dhe kostoja në lidhje me tarifat e shërbimeve, situata do të përmirësohet, shërbimet bankare do të zgjerohen në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe sektorin bujqësor.
Zonja e Zotërinj,
Nuk mund t’ju them se Shqipëria është një parajsë, por ju siguroj se Shqipëria është duke ndryshuar me shpejtësi, për t’u bërë vendi më miqësor për investimet tuaja. Sido që të vijë puna, ju do të gjeni dhe do të keni një mbështetje të fortë të qeverisë që unë drejtoj, me qëllim që projektet tuaja të jenë një histori suksesi në vendin tim.
Edhe njëherë, ju falënderoj nga zemra, duke ju uruar për mirëseardhjen. Faleminderit shumë zoti Busek për organizimin e këtij Forumi ekonomik kaq të rëndësishëm për Shqipërinë.
Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve në këtë forum, për çështje të ndryshme, duke bërë këto komente:
Pyetje nga një sipërmarrës skocez: Është shumë inkurajuese për mua të shikoj këtë zhvillim në Shqipëri, krahasuar me 5 vjet më parë, kur kam vizituar për herë të parë Shqipërinë. Por krahas gjithë kësaj bukurie dhe pasurie natyrore të këtij vendi, mund të shikosh edhe uzinat kineze, si ajo e Elbasanit. Çfarë planesh ka qeveria, për të siguruar që bukuria e vendit tuaj në zonat turistike, arsyeja për të cilën do të vinin edhe turistët në Shqipëri, do të ruhej nga zhvillimet dhe ndërtimet prej betoni?
Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Sigurisht që në këto 15 vjet, për sa i përket mjedisit, ka pasur një përmirësim shumë të madh, për faktin që të gjitha ato industritë e dikurshme që ndotnin shumë ambientin, nuk ekzistojnë më. Prandaj nëse shikoni nivelet e shkarkimeve në mjedis, Shqipëria nuk është një vend me nivel të lartë të shkarkimeve ndotëse. Është më mirë sesa fqinjët tanë. Ju keni të drejtë, që ka mbetje të të kaluarës, veçanërisht zona e Elbasanit. Por ne jemi të vendosur që atje të ngremë një park industrial. Ne do të çmontojmë dhe do të heqim çdo gjë që është nga e kaluara dhe që s’mund të përdoret më. Ne po vendosim standarde shumë të qarta, rigoroze, për industritë që mund të instalohen aty. Unë isha dje në Elbasan dhe vizitova uzinën e ferokromit. U ndjeva shumë i lumtur që ajo ishte një uzinë e re, por gjithashtu isha shumë i qartë me drejtuesit e kësaj uzine se kërkesa jonë më e rëndësishme është respekti i mjedisit.
Ne po i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe mjedisit. Kodrat, nga Tirana në veri, janë të gjitha shumë të përshtatshme për uzinat e çimentos. Ne po ndërmarrim studime gjithashtu për efektet mjedisore të tyre mbi mjedisit, në mënyrë që ato të respektojnë tërësisht këto standarde.
Për sa i përket turizmit dhe zonave turistike, ka pasur dëmtime, por ato kanë qenë të kufizuara. Nëse fluturon mbi bregdetin tonë, mendoj se më shumë se 90 për qind, ky breg është i lirë. Për bregdetin e Jonit ne kemi hartuar një masterplan, së bashku me Bankën Botërore, po kështu do të veprojmë edhe për bregun Adriatik. Ne po punojmë për një program që të jetë sa më miqësor për mjedisin.
Pyetje: A ka synime bashkëpunimi me Malin e Zi, për sa i përket Liqenit të Shkodrës, pasi ai ka një peizazh të shkëlqyer?
Kryeministri Berisha; Malazezët kanë pasur një trashëgimi shumë të mirë nga e kaluara e tyre në këtë drejtim, megjithëse edhe ata ishin në një diktaturë socialiste, por për disa arsye ata i kushtuan shumë vëmendje turizmit. Kur ata ndërtonim hotele, ne ndërtonim bunkerë. Kjo është fatkeqësisht e vërteta. Ne po punojmë së bashku me ta. Për sa i përket Liqenit të Shkodrës, ka një projekt të UNESKO-s dhe Kombeve të Bashkuara, për ruajtjen e Liqenit dhe zhvillimin e tij, si dhe ruajtjen e mjedisit atje.
Ne po punojmë për të pasur një infrastrukturë të mirë atje, sepse nëse ju shkoni nga Shkodra në Podgoricë, ju keni të njëjtën rrugë që është ndërtuar nga austro-hungarezët në fillim të shekullit të kaluar. Ne po ndërtojmë një rrugë të re në këtë zonë. Gjithashtu, po ndërtojmë rrugë të re edhe në jug. Ne besojmë se është një interes shumë i madh për malazezët e shqiptarët, nga Lezha në Budva, që e gjithë kjo zonë të konsiderohet një kompleks i vazhdueshëm turistik. Për të gjithë turistët do të jetë shumë rëndësishme të bëjnë pushimet në të gjithë këtë rajon. Sepse aty ka gjetje shumë të rëndësishme historike, ka pasuri të mëdha, në Shkodër, Velipojë, Lezhë etj.
Marrëdhëniet tona me Malin e Zi janë të shkëlqyera. Me ndihmën e Bashkimit Evropian ne filluam që të ndërtojmë pikën e parë të përbashkët të doganave e kontrollit kufitar, prandaj jam shumë optimist në këtë drejtim.
Pyetje: Kur do të liberalizohet sektori i energjisë në Shqipëri, pasi kjo për momentin nuk duket e mundur?
Kryeministri Berisha: Ne jemi plotësisht në favor të liberalizimit të plotë të sektorit të tregut të energjisë. Çmimet e energjisë në Shqipëri janë të larta. Nuk mund t’u them se gjithë rajoni ynë është në një treg të liberalizuar, sepse ka kufizime në sistemin e transmetimit dhe ka monopole në këtë drejtim, jashtë Shqipërisë. Mendoj se kjo gjë duhet zgjidhur në mënyrë shumë konstruktive, me një dialog. Duhet të ndiqen edhe mundësi të tjera, për sa i përket linjës së transmetimit të energjisë, sepse në këtë pikë tregu has në vështirësi. Ne jemi të kufizuar për shkak të kapacitetit të transmetimit të rrjetit grek, gjatë verës. Ka një potencial të kufizuar për import, pasi kjo mund të shkaktojë kolaps, sepse rrjeti mbingarkohet dhe nuk e përballon kërkesën. Ne po punojmë ne një linjë të re me Malin e Zi që është në ndërtim e sipër. Do të ndërtojmë një linjë të re me Kosovën dhe Maqedoninë dhe me këto zgjidhje, ne do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi situatës. Pasi në parim, energjia është e liberalizuar, por ka pengesa të cilat janë të lidhura me situatën dhe jo me çështjet parimore.
Pyetje: Duke iu referuar deklarimeve në fjalimin tuaj për mundësinë e krijimit të centraleve bërthamore në Shqipëri, cili do të ishte përfitimi për Shqipërinë nga kjo gjë?
Kryeministri Berisha: Shqipëria ka si synim të bëhet një superfuqi e vogël energjie në rajon. Ky është qëllimi, ajo përfiton energji, përfiton edhe eksportim të energjisë. Ky është edhe pozicioni ynë. Kjo kërkon njëfarë kohe, por do të bëhet një realitet, me siguri.