Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė mbledhjen e grupit parlamentar tė Partisė Demokratike per buxhetin
 

17/11/2008

“Kjo është një javë e vendimeve të mëdha të parlamentit shqiptar. Si Kryeministër i vendit, kam shumë kënaqësi që këtë javë ju do të votoni në parlament buxhetin e vitit 2009, buxheti i vitit të fundit të mandatit të parë qeverisës dhe shpresoj, në rast se shqiptarët do të na votojnë, do të jetë edhe buxheti i vitit të parë të mandatit të dytë.

Ky buxhet është buxheti kurorë i 4 viteve të qeverisjes, buxheti më i madh në historinë e vendit dhe ai është pothuajse dy herë më i madh se sa buxheti i vitit 2004.  Por, duke e krahasuar edhe me veten tonë, është rreth 50 për qind më i madh se buxheti i vitit 2006. Buxheti i vitit 2009 përmbush dhe mbështet të gjitha objektivat e programit të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance, në mënyrën më të plotë, është buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit makro-ekonomik. Kam kënaqësinë t’ju informoj se të dhënat edhe për tremujorin e tretë të këtij viti, për rritjen ekonomike, dëshmojnë se Shqipëria vazhdon të ketë rritje dyshifrore. Unë kam bindjen se Shqipëria, edhe në vijim, nuk do të shqitet nga orbita e rritjes së shpejtë ekonomike. Ne bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne kemi programuar një buxhet që garanton në të gjitha rrethanat stabilitetin makroekonomik të vendit, deficitin e përcaktuar buxhetor, normën e parashikuar të inflacionit dhe rritjen e shpejtë ekonomike.

Buxheti i jep mundësinë kësaj mazhorance të përmbushë pikë për pikë premtimet e saj për rritjen e rrogave dhe pensioneve të qytetarëve dhe të ndihmës ekonomike. E nisa jo pa qëllim fjalën time nga ky aspekt, sepse buxheti i shtetit është buxheti i dytë i çdo qytetari. Çdo qytetar ka të drejtë të hedhë sytë drejt kësaj arke dhe të thotë: çfarë përfitoj unë, cili është përfitimi direkt i imi dhe i familjes sime prej këtij buxheti?.

Ndaj, dua t’ju informoj se nga ky buxhet përfitojnë direkt në buxhetin e tyre familjar 800 mijë familje shqiptare. Me këtë buxhet, për gjithë punonjësit e administratës shtetërore, rritja e pagës mesatare në Shqipëri, krahasuar me vitin 2005, arrin në 67 për qind. Domethënia është shumë e  madhe, sepse ne, me këtë pagë mesatare, në vitin 2009 lëmë pas, jo 1 por disa vende anëtare të Bashkimit Europian, me të cilat ne dikur kemi pasur një diferencë në paga, së paku 1 me 10, në disfavorin tonë. Me këtë buxhet, paga minimale e punonjësve në Shqipëri shkon drejt dyfishimit dhe barazohemi me disa vende anëtare të BE-së, madje, edhe vende me një peshë specifike të madhe në prodhimin dhe zhvillimin botëror. Pra, nëse ka pasur një garë që kjo qeveri e ka ndjekur me vendosmëri të madhe dhe sukses të plotë, ka qenë gara e pagave dhe pensioneve.

-          Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension, do të marrë 72 mijë lekë, me këtë buxhet, pensionisti i qytetit të cilit i kishim premtuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë, kalon në një mesatare prej 130 dollarë.

-          Me këtë buxhet, infermierja që merrte 150 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbidyfishim të rrogës. Mjeku që merrte 190 mijë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë.

-          Mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë.

Pra, ne zbatuam me përpikmëri të madhe zotimin tonë.    

Unë kam 3 pyetje për kundërshtarët tanë politik; Më gjeni një qeveri të vetme në botë që të ketë rritur dhe të ketë bërë, në një hark kohor sa ky i yni, dyfishimin e pensioneve në fshat, më thoni një qeveri të vetme në botë që të ketë bërë në 4 vjet dyfishimin e rrogave të arsimtarëve, të ketë mbidyfishuar rrogat e infermierëve dhe të mjekëve. Gjeni qoftë dhe përgënjeshtrimin më të vogël të këtyre rezultateve të paraqitura prej nesh.

Gara për rritjen e rrogave dhe pensioneve është jashtëzakonisht jetike. Në një përllogaritje, tre vjet më parë ne kemi qenë 250 vite larg me vendet e zhvilluara të BE-së dhe me mesataren e tyre. Me ritmet tona, unë nuk them se ne do t’i kapim ato vende në një hark kohor prej 4-5 vitesh, sepse vende ish komuniste si Çekia, Hungaria, Polonia, kanë sot një pagë mesatare prej 600 euro, ndërkohë që ne po shkojmë në një nivel mesatar page prej rreth 400 euro. Pra, ne kemi distancë, por shpejtësia me të cilën kemi lëvizur ne në këtë drejtim është më e madhe se e çdo vendi tjetër. Vet këto vende, nëse krahasohen me Austrinë, kanë një diferencë jo prej 30 për qind, por e kanë 600- 700 për qind. 

Pra, politika jonë është politika e rritjes së rrogave, pensioneve të ulëta dhe mesatare. Me këtë buxhet ne arrijmë të përmirësojmë në mënyrë thelbësore një tregues shumë të rëndësishëm, atë të diferencës mes pagës mesatare dhe pagës maksimale. Ne arrijmë me pagën minimale, pagën e tyre mesatare që kanë pasur tre vjet  më parë. Ne gjithashtu ngushtojmë diferencën mes pagës mesatare dhe pagës maksimale, nga 12 në 6 herë. Kjo është njerëzore, është qytetare, është civile.  Kështu duhet të funksionojë sektori publik, ndërkohë që sektori privat bën dallimet që i gjykon të nevojshme menaxheri. Ne nuk mund të ndërhyjmë në punët e tyre, edhe pse edhe ata është mire te ruajnë një shkallëzim.

Ky është buxheti i fibrës sonë sociale.  Shqetësimi i vetëm i kësaj opozite ka qenë se me këto para do të rritet inflacioni në vend dhe ata vazhdonin të arsyetonin me teoritë e vjetra. Inflacioni nuk është rritur. Mesatarja e inflacionit në rajonin e Ballkanit është 8.4, inflacioni i Shqipërisë është 2.8. Kjo është e vërteta.

Edhe njëherë e theksoj se ky është buxheti i 800 mijë familjeve që do të kenë një gjendje tjetër financiare, duke filluar nga data 1 maj 2009.

Ky është buxheti i infrastrukturës evropiane të Shqipërisë. Me këtë buxhet ne përfundojmë së ndërtuari korridorin shqiptar, veprën e shekullit.

-          Me këtë buxhet, ne nisim ndërtimin e autostradës Qafë Plloç - Qukës   

-          Me këtë buxhet ne shkojmë drejt përfundimit të autostradës Fier – Vlorë

-          Me këtë buxhet ne përfundojmë pothuajse në 2/3 rrugën e Arbrit

-          Me këtë buxhet ne përfundojmë studimin e boshtit qendror të jugut.

-          Me këtë buxhet ne ndërtojmë një rrjet rrugor ndërkombëtar nga Vermoshi në Konospol,

-          Me këtë buxhet ne përfundojmë rrugën e bregut, e cila rikonstruktohet në gjithë gjatësinë e saj.

-          Me këtë buxhet do  ecet në aksin Levan  - Tepelenë, Sopot – Kamë – Krujë, Has – Kukës.

-          Me këtë buxhet vazhdon më tej unaza verilindore dhe juglindore e vendit, për të dalë nga Kalaja e Dodës, Peshkopi, Stërblevë, Librazhd.

-          Me këtë  buxhet ne shkëputemi nga rrugët e pushtimeve dhe instalojmë rrugët e zhvillimit, rrugë të cilat japin një zhvillim të pa parë për vendin.

-          Me këtë buxhet asfaltohen me përparësi të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit, nga Buna deri në Ksamil dhe shkohet drejt atij parimi që shqiptarët të kthejnë sytë nga deti.

-          Me këtë buxhet, këtë javë, nis projekti i madh i ndërtimit të 4 mijë km rrugë rurale.

Ne i japim Shqipërisë në tërësi një rrjet rrugor të cilin ajo e ka pasur vetëm në kohën e perandorisë romake, me mjetet e asaj kohe. Rruga Qukës -Qafë Plloc është rruga e vjetër, rruga  e njohur me emrin Egnatia, ndërsa rruga  që lidh Kuksin, Morinën me Durrësin e Tiranën, është rruga e lashtësisë e kështu me radhë. Këto kanë qenë rrugët e shqiptarëve dhe në këto rrugë kanë lëvizur rrjedhat e mëdha të mallrave, njerëzve, zhvillimit e qytetërimit. Pikërisht nga këto rrugë, portet e vendit kanë qenë portet më të rëndësishme të rajonit.

Ndërtimi i rrugëve nga qeveria jonë do të ndjekë drejtimin e zonave malore. Nëse po i asfaltojmë me shpejtësi rrugët që zbresin drejt detit, po me kaq vendosmëri ne po punojmë për t’i bërë të kapshme, të arritshme, të gjitha zonat turistike malore të Shqipërisë, Prespën, Çajupin, Tomorin, Gjinarin, Kalanë e Dodës, Thethin, Valbonën, Shishtavecin, etj.

Ne me këtë buxhet arrijmë të investojmë në rrugët e Shqipërisë më shumë se gjatë gjithë shekullit.

Buxheti ka një specifikë tjetër shumë të madhe në drejtim të infrastrukturës, sepse përmes tij, kjo qeveri realizon investimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbështetjen e bujqësisë. Kjo shifër, në 4 vite të marra së bashku, arrin në 1.6 miliardë dollarë, me të cilat;

-          Kemi ndërtuar 1600 km rrugë dhe janë në ndërtim e sipër 600 km të tjera. Me të cilat Kemi ndërtuar mbi 460 ujësjellës

-          Kemi ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër mbi 300 shkolla

-          Kemi ndërtuar she janë në ndërtim e sipër dhjetëra e qindra sisteme kanalizimesh. 

-          Vetëm në ujësjellës kemi investuar rreth 200 milionë dollarë, ndërsa në rrugët rurale, me këtë buxhet, investimi arrin në mbi 700 milionë dollarë, duke llogaritur të 4 viteve të marra së bashku.

Ky është buxheti i të gjithë fermerëve shqiptarë, të cilëve kjo qeveri, me përkushtimin më të madh, do t’u ndërtojë rrugë të reja, kanalizime të reja, shkolla, ujësjellës dhe do t’i mbështesë në prodhimet e tyre bujqësore.

Me këtë buxhet ne rrisim mbështetjen për fermerët shqiptarë dhe nisim një projekt tjetër ndër më të madhin në historinë e këtij vendi, projektin e mbjelljes së 20 milionë ullinjve. Unë e kuptoj shumë mirë që kjo nismë e shpallur nga ne ngjall diskutime, por dua t’ju rikujtoj se, edhe kur ne deklaruam objektivin për shtrirjen e internetit në çdo shkollë, shumë vetë u treguan mosbesues. Ju duhet të jeni të bindur se unë jam njeri që presistoj dhe do të mobilizoj çdo lloj mjeti, do bëj çdo përpjekje që Shqipëria, nga Shkodra, deri në Ksamil, të shndërrohet në ullishten më të bukur të Mesdheut. Ne trashëguam 5 milionë rrënjë ullinj. Është në detyrimin tonë të madh që t’u lemë të tjerëve trashëgim edhe 20 milionë rrënjë ullinj të tjerë. Ministria e Bujqësisë ka marrë porositë përkatëse për këtë nismë.

Ne jemi qeveri e premtimeve të mbajtura. Ne premtuam projekte për sistemimin e rrugëve dhe po i bëjmë ato. Edhe kjo nismë, është një  nismë shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit, është një nismë historike por që ne do ta realizojmë.

Kam shumë kënaqësi që me këtë buxhet nis projekti për mbjelljen e ullinjve, që sigurisht që nuk them se do të realizohet brenda 2-3 vitesh.

Ky buxhet është buxheti i fëmijëve, të rinjve dhe të rejave shqiptare. Një sistem arsimor i reformuar, shkolla me shërbimin e internetit në mbarë vendin, mësues 2 herë më shumë të mirëpaguar, dyer të hapura në universitete, dyfishimi i buxhetit për arsimin. Pra, ky është buxheti i 600 mijë fëmijëve dhe të rinjve, familjeve të tyre.

Buxheti hedh bazat e një reforme të sistemit shëndetësor, me shtyllat kryesore të vendosura deri tani, rrogat e infermierëve dhe mjekëve, dixhitalizimi i gjithë sistemit mjekësor dhe kalimin në financimin e ri, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale në procesin e financimit të sistemit shëndetësor. Pa këto baza, nuk mund të bëhet fjalë për reformën në shëndetësi, kur dihet që është reforma më e vështirë, por që ne jemi të vendosur ta çojmë përpara.

Shumë i rëndësishëm është edhe buxheti i integrimit në NATO, sepse e vendos Shqipërinë në grupin e atyre vendeve që, duke përcaktuar 2 për qind të PBB-së për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, zbaton një kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.            

Buxheti, me gjithë mbështetjen që u bën standardeve të arsimit, të rrogave, të rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, shkon drejt konsolidimit të standardeve evropiane  të domosdoshme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të nderuar deputetë. Ky është buxheti i zgjedhjeve të lira. Në këtë buxhet janë parashikuar të gjitha fondet që qytetarët shqiptarë, në këto zgjedhje, me një sistem të ri  dhe me një legjislacion të ri, të votojnë të lirë si qytetarët europianë.

Buxheti i vitit 2009, së bashku me buxhetet e 3 viteve pararendëse, e nxorën Shqipërinë nga gropa ku ishte e zhytur. Këto u bënë të mundura sepse në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, këto 4 vjet të ardhurat buxhetore u rritën me 22 për qind. Më lejoni t’u parashtroj një pyetje të gjithë ekspertëve të kësaj fushe, por edhe opozitarëve tanë; Na gjeni një vend tjetër në të cilin, pa shpërthime nafte e gazi të pa pritura, të jenë rritur të ardhurat me 22 për qind, ashtu siç ka ndodhur këto vite në Shqipëri. Këto të ardhura janë rritur në një kohë që janë ulur në mënyrë dramatike taksat.

Duke iu referuar statistikave, duket qartë se aq sa ka vjelë qeveria e mëparshme e sistemit të kleptokracisë në 3 vite, 2002-2003-2004, në akciza, gjithsej 37 miliardë miliard lekë, aq vjelim ne vetëm në vitin 2008. Kjo ndodh sepse në këtë qeverisje kjo taksë mblidhet dhe nuk vidhet. Edhe qeveria e mëparshme i mblidhte por ato përfundonin në xhepat e zyrtarëve dhe të klaneve të tyre.

Këto janë komentet e mia për buxhetin e vitit 2009, i cili këtë javë do të kalojë në parlament për miratim. Unë e kuptoj që zhurmuesit do përpiqen t’i errësojnë këto fakte, por nuk kanë se si, pasi nuk mund të gjejnë sot asnjë mësues që të thotë që nuk kam marrë 75 për qind rrogë më shumë se sa kam marrë 3 vite më parë, nuk gjejnë dot sot banorë të Selenicës që t’u thotë që nuk është asfaltuar rruga e tyre, nuk gjejnë dot banorë të Korçës që të thotë se nuk po bëhet rruga për në Qafë Plloçë, apo nuk po bëhet rruga drejt Prespës, drejt Trenit, drejt Voskopojës, nuk gjejnë dot qytetar që të thotë që nuk janë ndërtuar dhjetëra shkolla në qarkun e Korçës, Vlorës, Shkodrës, etj. Ndaj ata zhurmojnë në mënyra që janë bërë të mërzitshme. Por ne do t’i tolerojmë”. 

                     


   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha pret shefen e Misionit tė ODIHR-it Conny McCormak dhe anėtarė tė tjerė tė misionit vėzhgues tė OSBE/ODIHR
Kryeministri Berisha pėrshėndet Konferencėn e Nivelit tė Lartė tė OSBE-sė mbi Tolerancėn dhe Mosdiskriminimin
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Vlorė
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
Kryeministri Sali Berisha pret kryetarėt e Bashkėsive Islame tė Ballkanit
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Korēė
Kryeministri Berisha nė inaugurimin e impiantit tė pėrpunimit tė ujėrave tė zeza nė Korēė: Infrastruktura ujore, me rėndėsi parėsore
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave