Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Zėvendėskryeministri Pollo: Kancelarja Merkel pėrgėzoi qeverinė shqiptare pėr luftėn kundėr korrupsionit
 

Kam përshtypjen se një paranojë e madhe ka kapur një pjesë të mirë të mediave dhe të gjithë opozitën. Të tërë flasin me shqetësim të madh, erdhi apo s’erdhi Demiri, e shiti apo s’e shiti Demiri, e lagu apo s’e lagu Damiri, duke sajuar skandalin e radhës, i cili fashitet njëlloj si skandali që u krijua për vdekjen e Kosta Trebickës, në pritje që të fashitet edhe ky derisa të dalë skandali tjetër i sajuar. Kjo është pjesë e lirisë së fjalës, kjo është pjesë e gjithkujt që mund të shprehet, pavarësisht sa serioz do të duket dhe sa i përgjegjshëm dëshiron të jetë.

Megjithatë, të nderuar kolegë, nuk e mora fjalën për të folur për një çështje që në dijeninë time vërtet nuk ka një fakt, për të cilin ne mund të shqetësohemi, një fakt ku ka një shkelje ligjore të qartë, përveç akuzave të jashtëzakonshme që shfaqen gjithmonë si meteorë në debatin publik dhe zhduken gjithashtu në të njëjtën mënyrë. E përmenda këtë çështje, sepse një debat i tillë rrezikon të heqë nga vëmendja ngjarjet që vërtet janë të rëndësishme për Shqipërinë.
Këtu po i referohem vizitës së Kryeministrit Berisha në Berlin, i pritur nga Kancelarja Merkel dhe më shumë deklaratave të saj, deklarata që janë të liderit të vendit më të madh të Bashkimit Europian dhe që, në qoftë se janë të mira e të favorshme, nuk bëhen as për miqësi, as për ndonjë favorizim tjetër, por shprehin qëndrime zyrtare të një shteti lider në Bashkimin Europian.

Besoj që edhe opozita, nëse është serioze në angazhimet e deklarimet e saj për ta avancuar vendin në anëtarësimin në NATO dhe për integrimin në Bashkimin Europian, duhet t’i kushtonte pak më shumë vëmendje kësaj çështjeje.
Përfitoj nga rasti për të cituar deklaratën e zonjës Merkel, që u shpreh se për të luftuar korrupsionin duhet një kurajë shumë e madhe, kurajë të cilën lidershipi i Qeverisë shqiptare dhe Kryeministri e ka pasur dhe po e tregon me vendosmëri të madhe. Ajo u shpreh për rezultatet e rëndësishme që ka arritur Qeveria në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, zhvillimit ekonomik dhe reformave të tjera të rëndësishme: “Ne vlerësojmë vendosmërinë e Qeverisë shqiptare dhe lidershipit të saj që bënë të mundur arritjen e këtyre rezultateve. Në këtë kuadër, i gjithë rajoni dhe Europa ju janë mirënjohës për progresin që keni arritur në luftën kundër korrupsionit, pasi ky problem nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë dhe duhet luftuar gjithandej.”

Besoj që një fjalë e tillë i vendos gjërat në kuadrin e duhur, i vendos gjërat në kuadrin e debatit real për çështjet reale. Patjetër ka probleme që mund të kritikohen dhe mund të ketë kërkesa për të avancuar edhe më tej. Por të spostosh vëmendjen nga problemi real dhe nga vlerësimi real i atyre që janë arritur, cilado qofshin ato dhe cilado qofshin të tjerat që nuk janë arritur, është një deformim i debatit publik dhe mendoj që këtu opozita ka përgjegjësinë e vet.
Që të mos mbetemi në kuadrin e fjalëve abstrakte dhe përgjithësimeve teorike, unë do të them dy shembuj konkretë për luftën kundër korrupsionit. Ju e dini që me ndihmën e “Millenium Challenge Corporation”, të financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi kaluar në prokurimin elektronik.

Të gjithë jemi dëshmitarë që tenderat, sidomos në tetëvjeçarin socialist, u kthyen në sinonim të ryshfetit dhe të abuzimit dhe në përgjithësi prokurimi gjithandej është i përfolur. Ajo që është sjellë e re, përveç një ligji pak të vështirë, por shumë më të mirë dhe më “fair”, është prokurimi elektronik, ku komisioni vlerësues nuk kontakton fizikisht, dhe aty ka qenë problemi, me operatorët ekonomikë që paraqesin oferta. Ju kujtohet në kohën tuaj që kishte njerëz që ankoheshin se nuk futeshin dot në sallën e dorëzimit të dokumenteve, apo arrestoheshin pikërisht që të mos paraqisnin ofertën e tyre.

E reja në këtë drejtim është që gjithkush dokumentet i dërgon në mënyrë elektronike, me një server dhe me një sistem të garantuar, të bërë me ndihmën e “Millenium Challenge Corporation”. Statistikat me të cilat dua t’ju njoh janë mbresëlënëse: nga 141 tendera, me vlerë totale të fondit limit prej 150 milionë dollarësh, kursimi i parasë publike në raport me tenderin konvencional është 15%. Kjo është një arritje konkrete, e cila tregon se sa mirë qeveriset paraja publike dhe si kursehet ajo.

Duke thënë këtë, ju do ta kuptoni edhe angazhimin tonë që në vitin e ardhshëm të kalojmë qind për qind, me gjithë sfidat dhe vështirësitë që ka kjo, në tendera elektronikë, në mënyrë që të mos ndodhë siç ndodh, ndoshta jo në Tiranë, por në vende më të largëta, që në një komunë apo bashki futen tri firma të preferuara, mbyllet dera për të tjerat dhe pastaj pazaret bëhen aty brenda. Ky është një shembull konkret, i cili dëshmon se fjalët që thuhen nga “Transparency International”, nga Banka Botërore, nga qeveritë e Bashkimit Europian dhe nga Kancelarja Merkel nuk janë fjalë që nuk mbështeten në një realitet konkret, por janë shembuj si ky që përmenda, që kanë krijuar një realitet të ri në Shqipëri.

09/10/2008


   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha inauguron fillimin e projektit pėr zhvillimin e rrjetit tė transmetimit 110 kV tė Jugut tė vendit
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Pukė
Fjala e kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral tė Beratit
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Maqellarė, Dibėr
Fjala e Kryeministrit Berisha nė Has, Kukės
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Bajram Curri
Kryeministri Berisha takohet me qytetarė tė Durrėsit
Fjala e kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Rrashbull, Durrės
Kryeministri Berisha inspekton punimet pėr ndėrtimin e rrugės Lushnje-Berat
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave