
Të nderuar pjesëmarrës, para së gjithash, dua të falënderoj përfaqësinë e Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, drejtuesin e saj zotin Paolo, për organizimin në një kohë rekord, të një takimi të tillë të shkëlqyer dhe të një rëndësie shumë të madhe për vendin. BERZH është një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, i icli në këto vite ka investuar në të gjitha fushat, në dhjetëra e dhjetëra projekte në sektorin publik dhe privat që sot janë një sukses i vërtetë dhe kanë ndikuar shumë në ndryshimin e këtij vendi. Në tërësi, Shqipëria, rajoni, Europa dhe bota po jeton pasojat e krizave të shumëfishta, të shumëllojta. Sot ekziston një krizë nga ndryshimi i klimës, një krizë tjetër nga mungesa e energjisë, më akute është kriza e borxheve. Pra, ne përballemi sot me kriza të shumëllojta. Krizat në vetvete shënojnë falimentimin e një pakete të status quo-s dhe imponojnë, frymëzojnë e kërkojnë gjetjen e rrugëve, parimeve dhe burimeve të tjera për të dalë prej tyre dhe për të ecur drejt horizontit të ri.
Shqipëria ka përjetuar me shumë vështirë e pasoja krizën energjike. Shqipëria si vendet e tjera ka përjetuar dhe përjeton me vështirësi problematikën e pasojat e ndryshimit të klimës. Por Shqipëria, krahas këtyre, ka të gjitha mundësitë e potencialet për të ecur në një rrugë jeshile të zhvillimit të qëndrueshëm, ka të gjitha mundësitë dhe potencialet që në këtë zhvillim të mos përsëritë gabimet e vendeve të zhvilluara, të mos bëjë hapa të gabuara. Në këtë kontekst, një nga mundësitë më të mëdha të këtij vendi janë potencialet e jashtëzakonshme të saj për energjinë e rinovueshme. Ne kemi mundësi të bëhemi një vend me 100 për qind prodhim energjie të rinovueshme dhe importues i saj. Ne kemi mundësinë reale të jemi një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon dhe ne kemi edhe ambicie të madhe për të qenë të tillë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka e të ecim në këtë rrugë.
Rezervat ujore të vendit janë shfrytëzuar në më pak se 1/3 e tyre, ndërkohë që 2/3 presin për t’u shfrytëzuar. Deri në vitin 2006, për 3 dekada me radhë në vend nuk ishte ndërtuar as edhe një burim i ri energjie hidrike. Lumenjtë e vendit rridhnin dhe derdhnin ujërat e tyre në det, ndërkohë kur ato mund të ishin një energji e madhe. Vendi vuante ndërprerje masive të energjisë. Dy ishin vendimet më të rëndësishme të qeverisë sime. Vendimi i parë bazohej në konceptin se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe pasi vendosëm këtë koncept në bazë, nuk ka pasur më asnjëherë ndërprerje për mungesë të energjisë elektrike në Shqipëri dhe nuk do të ketë. Së dyti, ne vendosëm të bënim gjithçka për të shfrytëzuar burimet tona ujore dhe për t’i shndërruar ato në burime energjetike. Brenda dy vitesh, ne miratuam një ligj për koncesionet për hidrocentralet dhe mund t’ju them se është një nga arritjet më të shkëlqyera. Falë këtij ligji, në Shqipëri shpërtheu një garë e paparë në historinë e tregut të këtij vendi, por ndofta e paparë në historinë e tregut energjetik të ndonjë vendi tjetër. Rezultati i kësaj gare është se qeveria shqiptarë ka firmosur 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve. Ligji, që nuk e lejon qeverinë të negociojë direkt me investitorin, pothuajse parandalon dështimin. Një nen i tij i jep bonus atij që sjell i pari projektin. Një nen tjetër i ligjit, pasi ky projekt shkon në garë, paraqitet në treg dhe i jep atij fitoren në qoftë se dikush tjetër nuk paraqitet. Ndërkohë në rast se në garë paraqiten investitorë të tjerë, natyrisht vlerësimi bëhet sipas sistemit të caktuar të pikëve. Kjo solli një nxitje të madhe të investitorëve. Nëse pyesni se si kanë qenë garat, unë ju ftoj t’i hidhni një shikim. 98 përqind e tyre kanë qenë gara me më shumë se 2 apo 3 pjesëmarrës. Rastet, kur gara është fituar vetëm me një pjesëmarrës, kanë qenë ekzotike. Ky ligj shërbeu si një nxitës i madh, krahas faktorëve të tjerë.
E vërteta është se Shqipëria nuk ka lumenj të mëdhenj si Danubi, por lumenjtë e saj të marra sëbashku bëjnë Danubin. Ka një meritë se lumenjtë e saj kanë një zbritje nga lartësitë, si rrallë në ndonjë vend tjetër. Shqipëria është vendi me lartësinë mesatare më të madhe në Europë, 708 metra. Të gjitha këto dhe disa specifika të terrenit i bëjnë investimet ndër më rentabël për situatë piku, por edhe me përmbytjet më të vogla.
Sot flitet shumë dhe ka një përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur marrëveshje për të pakësuar dioksidin e karbonit. Janë bërë e po bëhen samite botërore. Në sesionin e fundi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, unë propozova se, krahas traktateve që synohen të arrihen në këto samite dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme marrëveshjet që kërkohen të arrihen në mënyrë që të ulet me 2 gradë rritja e temperaturës në planetin tonë, të pakësohet emetimi i karbonit, ndofta do të ishte shumë e dobishme, shumë e rëndësishme një përqindje e fondit që donatorët bujarë, Komisioni Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, të gjitha vendet t’u japin vendeve me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme një përqindje të kësaj ndihme, 8 a 7 përqind, t’i adresohet direkt bankave dhe jo qeverive, me kushtin që bankat, atë sasi ta përdorin për të lëvruar kredi të buta për energjinë e rinovueshme.
Në këtë situatë, unë kërkova nga BERZH ta na ndihmojë të organizojmë këtë takim dhe me këtë rast, unë dua t’ju garantoj juve se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo masë, të adaptojë standardet më të mira që ekzistojnë dhe mbështetjen më të fuqishme për suksesin tuaj. Sukses, i cili ka një rëndësi përcaktuese në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij vendi në rrugën jeshile. Sukses, i cili shndërron pasuri kolosale të Shqipërisë në vlera për qytetarët e saj. Sukses, i cili do ta bëjë Shqipërinë një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Ne jemi të vendosur sëbashku me partnerët tanë të instalojmë këtu kuadrin rregullator më nxitës për ju. Për ne, në rrafshin e ndërtimit nuk ka dyshim se ndërtimi i 443 hidrocentraleve në kaskadat e lumenjve të këtij vendi është përparësia më madhore.
Sot, qeveria është e angazhuar në një përpjekje të madhe, në ripërtëritjen e infrastrukturës rrugore të vendit. Po presim me padurim që të na krijohet mundësia e parë e të krijojmë fondin e energjisë jeshile. Fond, me të cilin ne do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar bankat, për t’ju kredituar juve me kushtet më të favorshme. Dhe jo vetëm në burimet ujore, por Shqipëria ka platforma ere të jashtëzakonshme dhe ne jemi të vendosur të inkurajojmë edhe këtë burim energjie. Shqipëria ka ditët më të shumta me diell në rajon. Ne mbetemi të hapur për energjinë solare dhe do ta inkurajojmë atë. Ne jemi në kontakt me kompani të mëdha për energjinë gjeotermike. Por në avangardë jeni ju, investitorët e hidrocentraleve. Deri më sot janë investuar në hidrocentralet e vendit rreth 650 milionë euro dhe qindra e qindra milion të tjera janë në investim e sipër. Aktualisht, në Shqipëri është në zhvillim e sipër një nga projektet më të mëdha në Europë, kaskada e Devollit, një investim rreth 1 miliardë euro i kompanisë austriake EVN dhe kompanisë norvegjeze Statkraft, por kaskada e Vjosës, Osumit, Matit, Drinit të Zi janë gjithashtu projekte me fizibilitet shumë të lartë, të shkëlqyer. Këto projekte presin investimet për t’i shndërruar këta lumenj në burime të mëdha energjetike.
Edhe një herë dua t’ju falënderoj ju, zotërinj përfaqësues të BERZH, Presidentin e BERZH, t’ju falënderoj ju të pranishëm dhe t’ju garantoj se për qeverinë shqiptare, ky sektor përbën përparësinë më madhore në rrugën tonë të zhvillimit.