- - Tirana ka nevojë jetësore për një koncept të ri urban. Duhet ta bëjmë atë një qytet të përmasave të qytetarit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën e parë Ndërkombëtare mbi Arkitekturën dhe Urbanistikën, organizuar nga Universiteti “Epoka”, në mjediset e Hotel Tirana Internacional. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Ministri i Transportit dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, Rektori i Universitetit “Epoka” z. Halil Murat Ozler, akademikë dhe ekspertë të mirënjohur të urbanistikës dhe arkitekturës vendas e të huaj, specialistë të kësaj fushe, përfaqësues të institucioneve të lidhura me zhvillimin urban të vendit, etj.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për organizimin e kësaj konference me një nga temat më të rëndësishme të kohëve të sotme, urbanizimin. Ai theksoi se në 20 vjet, Shqipëria arriti nga 35 për qind popullsi urbane, në pothuajse 54 për qind, duke nënvizuar se kalimi nga komb rural në komb urban është deri tani një nga arritjet më të mëdha historike të vendit, një proces ky me sfida të mëdha, por që i sjell vendit fluksin më të fuqishëm të energjisë së zhvillimit.
Duke sjellë në vëmendje të dhënat e Censusit të fundi të realizuar në vend, Kryeministri tha se ky proces tregon se shqiptarët, nga viti 2001 në vitin 2011, kanë ndërtuar banesa më shumë se çdo vend tjetër evropian, në 30 vitet e fundit. “Ky census tregon se Shqipëria, një vend i cili në vitin 2001 kishte treguesit më të ulët se çdo vend tjetër evropian në vitet 80-të, për sa i përket strehimit për frymë, në vitin 2011 la pas 5 nga vendet e anëtare të BE-së, ose 5 vende anëtare të OECD-së. Shqiptarët tashmë zotërojnë 383 banesa për 1000 banorë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se për Shqipërinë është shumë jetësor një koncept i ri urban dhe shikohet me shumë interes nga të gjithë vazhdimi i urbanizimit të të gjithë zonave, të cilat duhet të mbajnë në dimensionin e tyre qytetarin, interesat e tij, jetën e tij. Kryeministri vuri në dukje faktin se në dekadën e fundit, kryeqyteti, i cili ka një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm, është përballur, në vend të urbanizmit, me betonizimin, i cili gëlltiste hapësirat për qytetarët. “Prandaj Tirana ka nevojë për një koncept të ri urban dhe duhet ta bëjmë atë një qytet të përmasave të qytetarit. Procesi i betonizimit ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për qytetarët e Tiranës: si trafik të rënduar, ndotje të madhe, zhdukjen e hapësirave të gjelbra, ndaj uroj dhe shpresoj që kjo konferencë të hedhë dritë dhe të japë drejtimin e duhur për zgjidhje mbi të gjitha këto aspekte”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra,
Zoti rektor,
Të dashur pjesëmarrës, akademikë,
Jam shumë i gëzuar t’ju pres në Tiranë dhe ndihem i nderuar nga prania juaj sot këtu. Por gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen që keni zgjedhur një nga temat më të rëndësishme të kohës, urbanizimin, si temën e debatit të kësaj konference ndërkombëtare.
Nëse shikojmë planetin tonë, më shumë se çdo gjë tjetër, në themel të tij, është era e urbanizimit. Atë çfarë kinezët urbanizuan në 20 vjet, britanikëve iu deshën 120 vjet për ta bërë, Kombeve të Bashkuara iu deshën 80 vjet. Kinezët arritën nga 17 për qind në 43 për qind urbanizim në 20 vjet. Kina është një vend gjigand. Shqipëria është një vend i vogël, por shumë të ngjashëm në të dhënat e urbanizimit. Në 20 vjet, ky vend arriti, nga 35 për qind popullsi urbane, në pothuajse 54 për qind. Është shumë i rëndësishëm fakti që ky vend kaloi rubicon, sepse kalimi nga komb rural në komb urban është deri tani një nga arritjet më të mëdha historike të vendit tim. Pa dyshim, ky proces ka sfidat e veta, por në esencën e tij i sjell vendit, i sjell rajonit, i sjell botës, fluksin më të fuqishëm të energjisë së zhvillimit.
Jetojmë në një kohë në të cilën bujqësia po bëhet gjithmonë dhe më e rëndësishme. Mallrat po bëhet gjithmonë e më të rëndësishëm dhe janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm. Jetojmë në një kohë në të cilën, falë teknologjive të reja, progresit shkencor, bujqësia mund të dhjetëfishojë prodhimin e saj me minimumin e fuqisë punëtore. Prandaj këto flukse njerëzore që hyjnë çdo ditë, çdo javë, në tregun e punës, deri tani janë rregullatorët më të mirë natyral të këtij tregu, që është një nga faktorët më themelor të zhvillimit ekonomik, konkurueshmërisë dhe ndërtimit të së ardhmes.
Vendi im i përket atyre vendeve që janë përballur më një nga ritmet më të shpejta të urbanizimit dhe emigracionit. Jam thellësisht i bindur që kjo energji e çliruar nga ky procese, ishte një nga faktorët kyç të rritjes së shpejt të ekonomisë së këtij vendi. Reagimi i njerëzve ndaj këtij procesi, ishte krijimi i qyteteve të reja që nuk kanë ekzistuar përpara 20 viteve, por që tani po zhvillohen dhe lulëzojnë.
Zonja e zotërinj,
Censusi i fundit tregon se ky komb, këta njerëz, nga viti 2001 në vitin 2011, kanë ndërtuar banesa më shumë se çdo vend tjetër evropian, në 30 vitet e fundit, përveç letonezëve. Ky census tregon se shqiptarët, në 10 vite, një vend i cili në vitin 2001 kishte treguesit më të ulët se çdo vend tjetër evropian në vitet 80-të, për sa i përket strehimit për frymë, në vitin 2011 la pas 5 nga vendet e anëtare të BE-së, ose 5 vende anëtare të OECD-së. Ata tashmë zotërojnë 383 banesa për 1000 banorë.
I solla në vëmendje këto të dhëna për të theksuar se sa jetësor është për këtë vend plani urbanistik. Unë kam shumë miq në këtë sallë, të cilët gjithmonë kanë qenë të zhgënjyer nga të ardhurit e rinj, pasi preferonin një vendosje më të mirë të tyre, por që tashmë shohin me interes të madh vazhdimin e urbanizimit të të gjithë këtyre zonave, të cilat duhet të mbajnë në dimensionin e tyre qytetarin, interesat e tij, jetën e tij. Fatkeqësisht, më duhet të theksoj se kryeqyteti, që ka një pozicion gjeografik të jashtëzakonshëm, është përballur në dekadën e fundit, në vend të urbanizmit, me betonizimin, i cili padyshim gëlltiste hapësirat për qytetarët.
Prandaj Tirana ka nevojë dhe është jetësore për kryeqytetin, një koncept i ri urban. Duhet ta bëjmë një qytet të përmasave të qytetarit. Procesi i betonizimit ka krijuar probleme të jashtëzakonshme për qytetarët e Tiranës: si trafik të rënduar, ndotje të madhe, zhdukjen e hapësirave të gjelbra. Uroj dhe shpresoj që kjo konferencë të hedhë dritë dhe të japë drejtimin e duhur mbi të gjitha këto aspekte.
Ju jam mirënjohës, zoti Rektor, që organizuat këtë konferencë mbi një çështje kaq kyçe për vendin tim.
Faleminderit”.
19/04/2012