Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, z. Richard Marles.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe frytdhënës.
Zv/ministri i Jashtëm i Australisë z. Marles falënderoi me shumë mirënjohje Kryeministrin Berisha për këtë pritje të ngrohtë e miqësore, si dhe i konfirmoi atij vullnetin e qeverisë dhe të vendit të tij për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes reciprok. Në këtë kontekst, fusha si ajo e kulturës, bujqësisë, industrisë minerale, etj., u konsideruan si sektorë ku pritet të zgjerohet bashkëpunimi dypalësh. Ndërkohë, u vlerësua fakti që një numër kompanish dhe investitorësh australianë kanë shprehur interes për të sjellë investimet e tyre në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e falënderoi z Marles për mbështetjen që qeveria e tij po i jep Shqipërisë me disa projekte konkrete, në veçanti, me ato në fushën e bujqësisë, në konsolidimin e kuadrit ligjor, në kuadër të iniciativës për forcimin e eficencës dhe transparencës në fushën e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të burimeve minerale (EITI - Extracting Industry Transparency Initiative). Në këtë kontekst, u konfirmua vullneti i plotë i të dy palëve për të plotësuar kuadrin ligjor mes të dy vendeve, si një faktor i rëndësishëm për mbështetjen dhe nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm.
Më tej, në takim u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë që të dy vendet kanë zhvilluar në kuadër të ISAF-it në Afganistan dhe kontributin e rëndësishëm që trupat e të dy vendeve japin për konsolidimin e paqes dhe lirisë në këtë vend.
20/04/2012