Në vijim të qëndrimit në Washington, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me grupin e miqësisë SHBA-Shqipëri, në Kongresin Amerikan, ku morën pjesë deputetë demokratë dhe republikanë, anëtarë të këtij grupi, Eliot Engel, Gary Ackerman, Steve Rothman, Gene Green, Robert Aderholt, Gery Peters, Dana Rohrabacher, Steve Chabot.
Pasi i uruan Kryeministrit përzemërsisht mirëseardhjen dhe urimet më të mira për vizitën e rëndësishme që po zhvillon në Ëashington, kongresmenët i shprehen Kryeministrit Berisha angazhimin e tyre të plotë për të dhënë kontributin në konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë e bashkëpunimit të suksesshëm midis Shteteve të Bashkuara dh Shqipërisë, për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, si dhe për të mbështetur Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë funksionale, të bazuar mbi tregun e lirë dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE. Në takim u diskutua për të vijuar këto kontakte të ngushta në këtë funksion.
Kryeministri Berisha u shprehu kongresmenëve mirënjohjen e tij më të thellë, të qeverisë shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë për kontributin e jashtëzakonshëm që Kongresi, por edhe Senati, qeveria dhe Presidenti i SHBA kanë dhënë në shërbim të konsolidimit të marrëdhënieve të shkëlqyera e bashkëpunimit mes të dy vendeve, po ashtu edhe për ndihmën bujare që SHBA dhe taksapaguesit amerikanë i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në takim u vlerësuan transformimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, në të gjitha fushat, si edhe potencialet e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët amerikanë. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha i njohu kongresmenët me reformat dhe arritjet në të gjitha fushat, por edhe me kontributin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës së Atlantikut te Veriut, si edhe përpjekjet dhe reformat në kuadër të ecjes me shpejtësi përpara për anëtarësim në BE. Kongresmenët i konfirmuan Kryeministrit mbështetjen e plotë të tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në rrugën e reformave.
Duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme këto arritje, kongresmenët i uruan Kryeministrit edhe 100 vjetorin e pavarësisë dhe i shprehën dëshirën për të vizituar apo rivizituar Shqipërinë, në periudhën në vazhdim, e cila, siç theksuan ata, ofron vërtet një mozaik të bukurive natyrore dhe zhvillimeve e transformimeve dinamike, si asnjë vend tjetër në rajon.
Për nder të vizitës së Kryeministrit, kongresmenët shtruan një drekë, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
27/04/2012