Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha pret Komisionerin pėr Zgjerimin nė KE, Stefan Fule
 

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim me Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Europian, zotin Stefan Fule. Pas takimit mes tyre dhe delegacioneve përkatëse, Kryeministri Berisha dhe Komisioneri Fule dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Në këtë konferencë, Kryeministri Berisha dhe Komisioneri Fule nënvizuan temat e diskutuara gjatë takimit si dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

 

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Stefan Fule dhe delegacionin që e shoqëron, me të cilin diskutuam gjerësisht problematikën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Konkretisht, të gjithë problematikën e lidhur me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Ishte një rast i shkëlqyer për mua për t’i shprehur falenderimet e mia më të përzemërta Komisionerit Fule, bashkëpunëtorëve të tij në Bruksel, Drejtorit të Zgjerimit, zotit Sanino dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe ambasadorit të BE-së, zotit Sequi dhe bashkëpunëtorëve të tij në Tiranë, për ndihmën shumë të çmuar që kanë dhënë në këtë proces, i cili pas marrëveshjes së nëntorit midis forcave politike dhe dua të theksoj se kanë dhënë një ndihmesë shumë të veçantë në atë marrëveshje, 12 prioritetet kanë qenë përparësia më madhore, në të gjitha institucionet e këtij vendi.

 

Unë e njoha Komisionerin Fule me progresin e bërë në të gjitha rrafshet, në reformën zgjedhore, reformën e Kodeve, reformën në drejtësi dhe pritet që sot apo javën që vjen të votohet ligji për Gjykatën Administrative, duket se po vihet në një valë për heqjen e imuniteteve. E kemi theksuar ne kemi ndryshuar pozicionin tonë për këtë çështje. Ne kemi qenë për mos prekjen e Kushtetutës për imunitetet, por tani pranojmë cilido që do të jetë opsioni që opozita preferon për heqjen e imuniteteve dhe ky do të ishte një mesazh i shkëlqyer si për shqiptarët dhe miqtë tanë.

 

Diskutuam për axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteteve.

 

Natyrisht diskutuam edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Unë e sigurova Komisionerin se e konsideroj këtë, një proces domosdoshmërisht që duhet të kalojë me negociata, një proces që duhet të respektojë plotësisht frymën e germën e Kushtetutës. Një proces, për të cilin ne do të angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë, siç e dini, ka dhe janë shumë të mirëpritur, por procesi real fillon në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit, sepse kështu e kërkon rregulli.

 

Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palë të ndjejnë e të vlerësojnë njëri-tjetrin si bashkëaksionerë në këtë proces themelor të vendit. Unë personalisht dua të besoj se gjithë këto muaj pune të përbashkët faktojnë se kjo po ndodh dhe ky është interesi më i mirë i të gjitha palëve dhe i vendit në tërësi.

 

Unë edhe një herë dua ta falënderoj Komisionerin Fule dhe ekipin e tij, për ndihën shumë të çmuar që kanë dhënë me angazhimin direkt në seminare e jo vetëm, por në tërësi në ndjekjen e këtyre proceseve, të falenderoj për kërkesat e paraqitura, të cilat, absolutisht që të gjitha, synojnë vetëm një qëllim: t’i bëjnë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurt. Ndaj e garantoj se unë e konceptoj këtë, një proces kryekëput të bazuar në meritë. Ne duhet të dëshmojmë, të realizojmë reforma e t’i zbatojmë ato, në mënyrë që të meritojmë procesin e integrimit. 12 prioritet e paraqitura janë që të gjitha të drejta e mund të jenë 24, do vijë koha që të jene edhe 124, pasi ato të vijnë duke u shtuar, jo duke u pakësuar. Vendi, administrata, qeveria, të gjitha forcat politike gjykoj se i kanë të gjitha kapacitet, për t’u përballur me dinjitet me këto kërkesa. Faleminderit.

 

Komisioneri Fule: Faleminderit zoti Kryeministër. Mirëmëngjesi të gjithëve.

 

Në fakt, unë e kam bërë të qartë edhe para se të vija në Shqipëri se nuk do të vija këtu në mënyrë që të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Këtë e kam thënë edhe në të gjitha takimet shumë të mira që kemi bërë, gjatë diskutimeve të hapura e shumë konstruktive që kemi bërë, që, në fakt, unë kam ardhur që të shikojmë drejt së ardhmes e hapave që do ndërmerren në të ardhmen. Ashtu siç e kam thënë edhe shumë herë në të shkuarën, unë jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë është: Shqipëria në Bashkimin Europian dhe kam besim të plotë në potencialin e kapacitetet e Shqipërisë për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ajo që kam theksuar gjatë takimeve është se ritmi i ecurisë apo progresi i Shqipërisë drejt këtij synimi do të varet tërësisht nga performanca apo puna që do të bëjë Shqipëria përsa i përket reformave kyçe. Në fakt, zoti Kryeministër e ka përmendur gjatë takimit tonë, pra, ajo që është thënë është se viti 2012 na ofron neve mundësinë që Shqipëria të bëjë një hap tejet të madh përpara drejt integrimit të saj në BE. Ne e diskutuam këtë gjatë dhe jemi tërësisht dakord që duhet ecur përpara sidomos në lidhje me marrëveshjen e nëntorit të vitit 2011.

 

Po ashtu, ne kemi diskutuar për Planin e Veprimit, për të adresuar prioritetet kyçe që kanë dalë nga opinioni i Komisionit Europian. Ne kemi mirëpritur mënyrën gjithëpërfshirëse që është përdorur në fazën paraprake të këtij Plan Veprimi, por po ashtu kemi parë edhe angazhimin e qeverisë për të përdorur të njëjtën qasje gjithëpërfshirëse edhe për fazën tjetër që është faza e vënies së tij në zbatim.

 

Ne po ashtu kemi diskutuar për punën që duhet bërë, për ato që duhen arritur, për të punuar më tej e për të arritur më shumë sesa marrëveshja politike e nëntorit të vitit 2011, në mënyrë që të sigurohemi se Komisioni Europian, në fazan e parë, por edhe shtetet anëtare të BE-së, në fazën e dytë, të jenë në gjendje të marrin më tej një vendim të fortë, të guximshëm, në mënyrë që  Shqipëria të lëvizë më lart në axhendën e saj drejt integrimit në BE.

 

Po ashtu, ne diskutuam për një çështje tjetër të rëndësishme që është zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë e në fakt, më duhet të them se jam i kënaqur që ne kemi arritur në një mirëkuptim të përbashkët për dy çështje kryesore lidhur me këtë pikë. Së pari, dëshiroj të them se kjo ka të bëjë me vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë, nga njëra anë, por të njëjtën kohë edhe një vendosmëri dhe angazhim që unë e mora edhe gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama, për të përfunduar punën që duhet bërë përsa i përket reformës zgjedhore, nga njëra anë, por edhe reformës parlamentare për rregulloren e procedurave të parlamentit, në mënyrë që kjo të përfundohet përpara së të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Sigurisht, kjo është e rëndësishme, pasi na bën neve që të sigurojmë që zgjedhjet presidenciale në vend të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemeve, në rast se të gjitha këto punë nuk përfundohen. Së dyti, në fakt, angazhimi i Kryeministrit, por edhe i qeverisë që të sigurojmë që zgjedhja e presidentit do të jetë një proces i negociueshëm. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri që të jap këshilla, madje e leksione për t’ju treguar juve si duhet bërë kjo gjë, por kam ardhur këtu, për të parë përpara. Nga ana tjetër, unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të më ikë pa ju thënë se ajo që është e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit do të thotë se në atë zyrë të vijë dikush, i cili pasqyron qartë frymën e Kushtetutës, por edhe faktin se ai person do jetë dikush që do të përfaqësojë, siç e thotë edhe Kushtetuta, unitetin e popullit shqiptar. Sigurisht që ka shumë gjëra, të cilat ne do të vazhdojmë t’i diskutojmë dhe këtë do ta bëjmë edhe gjatë periudhës së drekës, kur ne do të drekojmë e do të punojmë, por më lejoni të shpreh përgëzimet e vlerësimin tim për partnerët e miqtë shqiptarë, të cilët do të më lejojnë më vonë sot, që të kem mundësi të mbaj një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Ndaj më lejoni të ndaj me ju rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton lirisë së medias, por edhe lirisë së shprehjes. Dëshiroj të them se ne dëshirojmë të shikojmë të vazhdojë puna për ligjin e medias dhe do të vazhdojmë ta mbështesim këtë proces edhe me anë të organizimit të një konference në Tiranë, që do t’i kushtohet pikërisht kësaj sfide kaq të madhe e të rëndësishme, e cila nuk është sfidë vetëm për Shqipërinë. Faleminderit.

 

Pyetje: Zoti Fule, jeni akuzuar nga një pjesë medias shqiptare se keni bërë përpjekje të qartë për të marrë statusin Serbia, në një kohë kur Shqipëria të paktën në këto 20 vite është konsideruar nga BE se ka qenë një faktor stabiliteti në rajon dhe statusi i është refuzuar të paktën dy vite, për shkak të problemeve të brendshme politike. Ai i konsideroni të drejta këto akuza që vijnë nga media shqiptare?

 

Komisioneri Fule: Janë të sakta në një kuptim dhe kjo përsa i përket aspektit se unë jam një nga mbështetësit më pasionantë e të fuqishëm të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Është e sakta në rast se i referohen procesit të zgjerimit, si një proces që bazohet tërësisht në meritën e vendit aspirant, një meritë që ne e gjykojmë gjithnjë në bazë të reformave që ndërmerren në atë vend të caktuar. Sigurisht që kushdo që është i interesuar do mund të krahasojë raportet e ndryshme të progresit të nxjerra nga Komisioni Europian, por edhe raportet e tjera që janë të shumta në numër, për të parë ecurinë që ka bërë Serbia apo vende të tjera në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Përsa i përket Serbisë, mund të them se Serbia ka mundur të japë rezultate në bazë të pritshmërisë që ka pasur Komisioni Europian dhe për këtë arsye, KE ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat, por sigurisht mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë përsa i përket të themi prioritetit kyç dhe ky ka të bëjë me Serbinë, me dhënien e rezultateve përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Por, sigurisht, fati që Komisioni Europian nuk ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nuk do të thotë që Komisioni nuk e ka vlerësuar dhe e vlerëson rolin që ka Shqipëria në rajon. Në fakt, ne vazhdojmë ta vlerësojmë dhe duhet të thënë se Shqipëria luan një rol stabilizues në rajon dhe këtë vazhdojmë ta theksojmë ngaherë. Për këtë arsye, dëshiroj ta përgëzoj Shqipërinë në qëndrimin e saj të qartë kundër nacionalizimit dhe ekstremizmit në rajon. Por, nga ana tjetër, duhet thënë se viti 2011 nuk ishte një vit i mirë përsa i përket rezultateve që duhej të jepte Shqipëria në lidhje me 12 prioritetet kyçe që nxori Komisioni Europian, në opinionin e vet të vitit 2010. Por, tashmë, unë shoh erën e ndryshimit dhe shpresoj shumë që kjo mundësi, ky shans të kthehet në realitet, më vonë gjatë këtij viti.

 

Pyetje: Zoti Berisha, kur flisni për negociata do të thotë se do të pranoni ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste për një tryezë për çështjen e presidentit?

 

Kryeministri Berisha: Së pari, shfrytëzoj rastin t’ju uroj sot, ditën tuaj të shtypit e të shpreh kënaqësinë që jemi shndërruar ndër vendet e para që kemi hequr shpifjen nga Kodi Penal si vepër penale dhe kjo përbën në arritje të vërtetë për lirinë e shtypit.

 

Lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që ju të gjithë duhet të vlerësoni faktin se nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do të kandidoj për postin e Presidentit të Republikës. Por në fakt asnjë prej jush nuk e ka shënuar këtë fakt. Së dyti, çdo ftese, unë i përgjigjem pozitivisht dhe e vlerësoj ftesën e zotit Rama. Por theksoj se Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë,  zoti Rama e të gjithë, për hir të respektit të postit të presidentit, duhet ta respektojmë këtë. Së treti, unë jam gjithnjë për negociata dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë gjithnjë të vlefshme, kur ato parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti, kanë mundësi të japin një kontribut thelbësor në përgatitjen e tyre.

 

Pyetje: Zoti Fule, besoj se jeni njohur sot, me qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Rama që e konsideron mënyrën e zgjedhjes së presidentit e vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

 

Komisioneri Fule: Në fakt, unë vetë jam shprehur qartë për ato gjëra që duhen bërë, për ato gjëra që duhen arritur, për faktin që marrëveshja politike e nëntorit 2011 duhet të përfundohet. Po ashtu kam folur për Planin e Veprimit dhe rezultatet konkrete, të prekshme që duhet të dalin prej këtij Plan Veprimi. Këto janë parakushtet, si dhe zbatimi i të gjitha atyre ligjeve që janë miratuar, të gjitha atyre gjërave, për të cilat është rënë dakord, në mënyrë që Komisioni Europian të mund t’u rekomandojë shteteve anëtarë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Por duhet thënë se procesi i zgjerimit nuk është një proces sa për të thënë se u bë kjo apo u bë ajo, është në fakt një proces si teknik, ashtu edhe politik. Jo vetëm Komisioni, por edhe të tjerë do të ndjekin nga afër atë se si qeveria, nga njëra anë, por edhe opozita do të kenë mundësi ta kthejnë këtë axhendë europiane në axhendë kombëtare. Do të jenë edhe shtetet anëtare, ato, që kur të marrin rekomandimet e Komisionit Europian, do të marrin parasysh edhe një panoramë më të gjerë dhe në këtë panoramë më të gjerë është pikërisht zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë, që do të jetë një faktor apo element tepër i rëndësishëm.

 

Pyetje: Zoti Kryeministër, proces i negociueshëm do të thotë se detyrimisht do të dilet me një kandidat konsensual, apo është i mundshëm zgjedhja e presidentit me 71 vota?

 

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se askush nuk duhet të paragjykojë një proces të negociueshëm, por duhet të urojmë që të japë rezultatin më të mirë. Përndryshe nuk do ishte e vyer që të ndërmerrej.

 

 


03/05/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
Kryeministri Sali Berisha pret kryetarėt e Bashkėsive Islame tė Ballkanit
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Korēė
Kryeministri Berisha nė inaugurimin e impiantit tė pėrpunimit tė ujėrave tė zeza nė Korēė: Infrastruktura ujore, me rėndėsi parėsore
Kryeministri Berisha: Arsimi profesional njė zgjedhje e menēur pėr tė ndėrtuar tė ardhmen
Kryeministri Berisha: Sektori i akuakulturės do tė pėrfitojė nga lehtėsitė fiskale tė njėjta si fermerėt
Qeveria miraton vendimin pėr rimbursimin e TVSH-sė pėr fermerėt. Kryeministri njofton uljen e TVSH-sė pėr industrinė turistike
Qeveria miraton truallin pėr ndėrtimin e banesave pėr tė pastrehėt e sistemuar nė godinat e Institutit Bujqėsor dhe ish Institutit tė Kėrkimeve Biologjike
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave