Kryeministri Berisha përshëndeti sot, Kongresin e parë të Noterëve të Shqipërisë. Kryeministri, teksa e konsideroi noterinë një sistem themelor për shtetin ligjor dhe shoqërinë, vlerësoi përpjekjet e bëra nga Dhoma e Noterisë dhe Ministria e Drejtësisë, për reformimin e këtij shërbimi dhe i garantoi se qeveria do të vazhdojë dialogun konstant me ta, për ta shndërruar shërbimin e noterisë në një shërbim modern, transparent, më pak burokratik e sa më pranë qytetarit. Kryeministri theksoi se qeveria po sheh mundësitë e zgjerimit të përgjegjësive, kompetencave dhe funksioneve të noterisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha:
“Ju përshëndes në emër të qeverisë dhe shpreh përgëzimin tim për organizimin e këtij Kongresi, plotësisht të merituar, në të cilin ju vini me një trashëgimi të shkëlqyer shekullore të noterisë shqiptare. Ju mblidheni sot, me arritje të mëdha të Dhomës suaj, me vendosmërinë tuaj, të Dhomës e drejtuesve tuaj, për të reformuar gjithnjë e më shumë këtë sistem themelor për shtetin, shoqërinë, ligjin, ekonominë.
Unë gjej rastin t’ju falenderoj ju, zoti President i Dhomës Ndërkombëtare të Noterëve, për interesin tuaj direkt për të zgjeruar bashkëpunimin me Dhomën e Noterëve të Shqipërisë dhe për ta ndihmuar atë në mënyrë që të mund t’u ofrojë shërbimet më të mira, më të përgjegjshme, më dinjitoze e më transparente, qytetarëve shqiptarë.
Unë gjithashtu dua t’ju garantoj se qeveria shqiptare ka besim të madh tek ju, vlerëson rolin tuaj themelor dhe do të bëjë gjithçka për një bashkëpunim të frytshëm që ju të shndërroheni në një nga shërbimet më moderne në Shqipëri e në Europë.
Ne konstatojmë me kënaqësi vullnetin tuaj për të ndryshuar, për të përmirësuar e reformuar në drejtimet më pozitive këtë shërbim jetik për një shoqëri të lirë, jetik për shtetin ligjor e ekonominë e tregut. Përpjekjet tuaja për nivele më të larta kualifikimi, për nivele për të larta shërbimi kanë e do të kenë mbështetjen tonë të plotë. Dua të theksoj se drejtuesit tuaj dhe ju dëshmoni gjithnjë e më shumë aftësitë tuaja vetërregulluese, mekanizmi më themelor për të garantuar autonominë e domosdoshme që ju keni. Është për t’u vlerësuar gatishmëria juaj për të qëndruar ndaj secilit rast, ku është shfaqur mungesa e përgjegjësisë. Unë mendoj se ky është interesi më i mirë i juaji, i vendit dhe i shoqërisë.
Ne kemi besim tek ju dhe gjithnjë e më shumë, në procesin e reformave, në interesin më të mirë të qytetarëve, në interesin më të mirë të biznesit, ne llogarisim zgjerimin e përgjegjësive, kompetencave dhe funksioneve tuaja. Kjo sjell shërbimet më të mira, më pak burokratike, më të shpejta, më të sigurta për qytetarin.
Gjatë këtij viti, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismat ligjore për të transferuar tek ju një seri përgjegjësish, të cilat më parë ishin në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe institucioneve të tjera. Ju garantoj se ne do të ecim dora-dorës drejt shndërrimit të këtij shërbimi në një shërbim të agjent tatimor, në mënyrë që t’u ofrohen shërbimet më të shpejta qytetarëve shqiptarë.
Shërbimi juaj është shërbim besimi. Çdo ditë ju, në zyrat tuaja, firmosni ligje, se në fakt aktet tuaja janë ligje për palët dhe janë ligjet që prekin më shumë palët, nëse përdorim një shprehje, në lëkurën e shpirtin e tyre. Asgjë më të rëndësishme për paqen e brendshme të njeriut, por edhe për paqen sociale në tërësi, për funksionimin e ekonomisë dhe shtetit ligjor nuk ka si aktet tuaja të përditshme. Në veprimtarinë tuaj, por jo vetëm, në veprimtarinë e çdo qelize të shtetit, për ta nxjerrë atë nga labirintet, për ta mbrojtur atë, sot ka në mekanizëm themelor dhe kjo është transparenca. Ajo është jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari, kryeministrit, presidentit, ministrit, noterit, gjykatësit, avokatit dhe të gjithsecilit prej tyre që duan të punojnë pa pasur frikë nga puna e tyre dhe krenarë për punën që bëjnë.
Unë ju përshëndes për gatishmërinë që treguat në procesin e dixhitalizimit të veprimtarisë suaj. Ju garantoj se kjo do të rrisë shumë më tej besimin e qytetarëve tek ju dhe rolin tuaj. Në këtë sistem, Ministria e Drejtësisë ka transferuar tek ju njëkohësisht një seri funksionesh të tjera, për të cilat ju jeni plotësisht të aftë t’i përmbushni e natyrisht, të realizoni të ardhurat që meritoni. Uroj që në këtë rrugë edhe shërbimet e tjera të frymëzohen.
Shërbimi juaj ka një rëndësi jetike në luftën kudër formës më të egër të krimit të sotëm, krimit financiar, larjes së parave. Çfarë tregojnë të gjitha vëzhgimet e analizat e lidhura me terrorizmin, si kërcënimi më direkt për shoqërinë e sotme. Terrorizmi ka një mekanizëm, pa të cilin nuk mund të ekzistojë dhe ky mekanizëm është larja e parave. Kontributi juaj në këtë fushë është jetik, vendimtar. Unë ju shpreh vlerësimin tim, sepse agjencitë respektive më kanë informuar se ato kanë një bashkëpunim plotësisht të besueshëm dhe që e vlerësojnë lart, me zyrat tuaja. Lufta kundër larjes së parave të pista është një luftë për sigurinë dhe siguria është më e para për çdo qytetar, çdo vend e shoqëri. Por lufta kundër larjes së parave të pista është gjithashtu jetike për tregun e lirë. Unë ju garantoj se nuk ka rrugë më të sigurt për të parandaluar krizat ekonomike, nuk ka rrugë më të sigurt për të shpejtuar zhvillimin e prosperitetin, sesa përpjekja e tërë e një shteti, e një shoqërie dhe gjithë elementëve të saj për garantimin e lirisë së tregut. Dhe ajo në themel ka konkurrencën e lirë. Edhe në këtë kontekst, ju me zyrat tuaja keni mundësi të madhe të kontribuoni në një sektor nevralgjik të shoqërisë.
Edhe një herë, ju uroj shumë përzemërsisht e ju garantoj se qeveria do të ketë një dialog konstant me ju e Dhomën tuaj, do të bëjë gjithçka që ju të jeni një nga shërbimet më moderne, më transparente, më të respektuara për qytetarët shqiptarë dhe me emër më të mirë.”
04/05/2012