Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Jashtme me rastin e marrjes nga Shqipëria të Presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Të pranishëm në këtë ceremoni të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së jashtme, ishin Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thobjorn Jagland, Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, Ambasadorë dhe zyrtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë e ministra, etj.
Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë historike, sepse vjen si margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, vend i cili 100 vjet më parë luhatej në alternativën të jetë a të mos jetë dhe sot, pas 100 vitesh, kryeson komunitetin e kombeve demokratike, në tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Evropës.
Kryeministri siguroi se Shqipëria do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Evropës, me qeverinë britanike që dorëzoi çelësin, me Asamblenë Parlamentare, me vendet e tjera mike, në mënyrë që të përmbushë me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie.
Kryeministri u ndal më tej në prioritetet e kryesimit nga ana e Shqipërisë, duke veçuar këtu; përpjekjet për vazhdimin e reformave të promovuara nga Këshilli I Evropës dhe paraardhësit në kryesi, fuqizimi i dialogut, paqes e harmonisë fetare me rajonet e tjera, si një mesazh i nevojshëm kudo në Evropë, e veçanërisht si mesazh tek vendet e Pranverës Arabe, promovimi i axhendës për të rinjtë, përpjekjet për intensifikimin e proceseve të integrimit rajonal dhe ndihmesën në problemet më kyçe, siç janë ato të minoriteteve në Ballkan, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“E nderuara Kryetare e Kuvendit, zonja Topalli
I Nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Jagland
I nderuar ministër i Jashtëm, President i KiE, z. Haxhinasto
Shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar deputetë, ministra e zyrtarë të Trupit Diplomatik të vendit
Sot për këtë ministri, për vendin dhe shqiptarët, kjo është një ceremoni historike, e cila erdhi nga një ditë historike e djeshme në Këshillin e Evropës, ku demokracia, ndër më të vjetrat në Evropë, Sekretari britanik i Shtetit, William Hague, i dorëzoi përfaqësuesit të demokracisë më të re në Evropë, ministrit Haxhinasto çelësin e kryesimit të radhës së Këshillit të Evropës. Ajo ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, një shpërblim i merituar i përpjekjeve të tyre të mëdha për të ndërtuar demokracinë e bazuar në vlerat e tregut.
Kjo është një ditë historike, sepse vjen si margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së këtij vendi dhe kombi, vend i cili 100 vjet më parë luhatej në alternativën të jetë a të mos jetë dhe sot, pas 100 vitesh, kryeson komunitetin e kombeve demokratike, në tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Evropës.
Kjo është një ditë simbolike për Këshillin e Evropës, suksesin e tij, sepse ky tempull, me vlerat që zhvilloi dhe konservoi, nga fillimi i viteve 50 deri më sot, ishte një burim i madh frymëzimi për kombet e shtypura dhe, pas rënies së perdes së hekurt, u shndërruar menjëherë në institucionin kryesor të mbështetjes së tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe sistemeve demokratike. Ishte simbol i suksesit të vërtetë sepse në këtë tempull, vendi që 22 vite më parë i kishte të ndaluara me Kushtetutë liritë dhe të drejtat e njeriut, bëhej kryetar i radhës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Është një rast për mua që të shpreh një mirënjohje shumë të thellë ndaj Këshillit të Evropës, kombeve tuaja mike dhe institucioneve të vendeve tuaja, të cilët i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, këto 20 vite, një ndihmë të jashtëzakonshme, pa të cilën kjo ngjarje historike për ne nuk do të mund të ndodhte. Ne e marrim këtë kryesi si një përgjegjësi të madhe, si një nder të madh, të bindur se është një detyrë shumë e vështirë dhe duke pasur parasysh se e marrim këtë detyrë, pasi presidencën që u mbyll e kishte qeveria e Madhërisë së Saj, Britania e Madhe. Por ne llogarisimim një bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Evropës, me qeverinë britanike që dorëzoi çelësin, me Asamblenë Parlamentare, me ju dhe vende të tjera mike, në mënyrë që të përmbushim me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie.
Së bashku, ne kemi përcaktuar një axhendë në të cilën mendojmë se mund të japim kontributin tonë. Në axhendën tonë janë përpjekja për vazhdimin e reformave të promovuara nga Këshilli I Evropës dhe paraardhësit tanë në kryesi. Ne do bëjmë gjithçka e do të japim kontributin modest, sepse reformat, për institucione si Këshilli i Evropës, janë jetike, në mënyrë që roli i tyre të njohë konsolidim të mëtejshëm.
Ne jemi një komb i vogël, por në vetvete ne kemi edhe vlera me të cilat mund të paraqitemi dhe ndikojmë pozitivisht kudo. Shqiptarët janë një komb plurireligjoz dhe kanë një harmoni fetare, tolerancë dhe respekt ndër më të përsosurit që ekziston. Ne jemi dëshmi e asaj se besimet fetare nuk i ndajnë njerëzit dhe do përpiqemi që këtë mesazh ta përcjellim kudo në Evropë dhe është e dobishme ta përcjellim si mesazh tek vendet e Pranverës Arabe, të cilat kam bindjen më të thellë se do të kenë në KiE, në rast se ato duan, një institucion shumë të çmuar në përpjekjet e tyre për ndërtimin e sistemeve të tyre demokratike. Këto vende kanë përjetuar diktatura të egra, por në dallim nga vendet tona, ato kanë nevojë për modele, kanë nevojë për mbështetje të institucioneve, ashtu siç jemi mbështetur ne. Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, jam i bindur se mund t’u japë atyre një ndihmesë të jashtëzakonshme. Shembulli i Shqipërisë uroj t’i frymëzojë ato, sepse besimet e ndryshme janë plotësisht të pajtueshme me sistemin demokratik. Ato kanë vetëm një kusht të thjeshtë; që besimet të mos përdoren për qëllime politike dhe pushteti. Ky është interesi më i madh i besimeve fetare, interesi më i madh i qytetarëve.
Ne do të bëjmë gjithçka të promovojmë axhendën për të rinjtë. Sot, axhenda e të rinjve është më e rëndësishme se kurrë, sepse sot, ata realisht përjetojnë më shumë se të tjerët pasojat negative të kësaj krize që ka pllakosur Evropën dhe botën. Ne besojmë se dialogu me të rinjtë, përpjekjet e përbashkëta, do të kenë një efekt pozitiv në tërësi.
Shqipëria është një vend i vendosur në një rajon që ka pasur ndryshimet më të mëdha se çdo rajon tjetër i Evropës. Ju sjell në kujtesë një moment; ka qenë viti 95 apo 96 kur unë që flas sot para jush, atëherë si president, isha shpallur “non grata” në një vend tjetër që nuk kisha shkelur kurrë në jetën time. Por kohët kanë ndryshuar, sot ka një klimë tjetër të bashkëpunimit rajonal, sot ka një përpjekje të përbashkët që, nëpërmjet këtij bashkëpunimi, të ndërtojmë të ardhmen evropiane.
Ne jemi te vendosur që këtë gjashtë mujor të shumëfishojmë përpjekjet tona për intensifikimin e proceseve të integrimit rajonal dhe të japim ndihmesën tonë në problemet më kyçe, siç janë ato të minoriteteve. Ballkani është një “mozaik” me minoritete, është i pasur me to dhe kjo përbën një nga pasuritë e mëdha të këtij gadishulli. Ne do të bëjmë gjithçka për të promovuar më tej këtë axhendë dhe bashkëpunimin rajonal.
Edhe njëherë, ju falënderoj shumë për praninë tuaj sot këtu, i nderuar Sekretar i Përgjithshëm i KiE dhe dua t’ju garantoj se qeveria ime llogarit shumë bashkëpunimin me ju, me Asamblenë Parlamentare, me vendet anëtare, në mënyrë që ky gjashtëmujor të jetë gjashtëmujor suksesi në veprimtarinë e Këshillit të Evropës.
Faleminderit”.
24/05/2012