U organizua sot, në hotel Sheraton, prezantimi i Planit Kombëtar për zhvillimin e Broadband-it. Broadband-i (apo Internet me brez të gjerë dhe shpejtësi të lartë) krijon mundësi të mëdha ekonomike për përdoruesit, ofruesit e shërbimeve të ndryshme, operatorët e rrjetit dhe luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Ndonëse vitet e fundit kemi rritje galopante të penetrimit të interenetit, si dhe shtim të rëndësishëm të lidhjeve broadband, përsëri duhet punë e investime për të arritur nivelet e vendeve të zhvilluara. Për zhvillimin e Broadband-it janë marrë një sërë iniciativash nga Qeveria. Aktualisht janë lëshuar 2 licensa 3G për operatorët e telefonisë së lëvizshme, AKEP ka miratuar një sërë rregulloresh për forcimin e konkurrencës dhe reduktimin e çmimeve dhe së fundmi është miratuar Strategjia e Kalimit nga transmetimet televizive analoge në transmetime numerike, gjë e cila do të çojë në lirimin e brezit të frekuencave dhe përdorimin e këtij brezi për shërbime të tjera, përfshirë edhe ato broadband. Një element thelbësor, për të inkurajuar operatorët për të investuar në Broadband, është nxitja e kërkesës. Qeveria ka bërë një përpjekje të bashkërenduar, në dekadën e fundit, për të stimuluar kërkesën për shërbime të TIK, për shembull, nëpërmjet ofrimit të internetit pa pagesë në zyrat postare, apo promovimin e internetit në shkolla. Gjithashtu, gjatë vitit 2012, përmes projektit INTEROPS., që do t’i nxjerë shërbimet qeveritare on line.”
Hartimi i Planit Kombëtar për Zhvillimin e Broadband-it në Shqipëri është një iniciativë e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, në mbështetje të programit Shqipëria Digjitale dhe të Strategjisë për Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit. Plani përcakton politikat për zhvillimin e rrjeteve broadband, përshtatur me gjendjen aktuale dhe sfidat e vendit tonë. Gjithashtu thekson rolin e rëndësishëm të pjesëmarrjes së sektorit publik dhe privat, partneriteteve dhe palëve të tjera të interesuara.
Qëllimi i hartimit të këtij Plani Kombëtar është zhvillimi i infrastrukturës dhe shërbimeve broadband në të gjithë vendin, për të përfituar akses në shërbimet elektronike, në fusha të ndryshme si, shëndetësi, edukim, tregti, në shërbimet e Qeverisë, si dhe për të arritur përfitime më të mëdha ekonomike dhe sociale për vendin tonë.
Ndër objektivat e vendosura në Planin Kombëtar për zhvillimin e Broadband-it vlejnë për tu përmendur:
- Përmirësimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës Broadband në të gjithë vendin;
- Rritja e penetrimit të internetit.
- Sigurimi i shpejtësisë së lartë dhe internetit të sigurtë;
- Rritja e konkurrencës dhe ulja e çmimeve;
- Rritja e cilësisë së shërbimit;
- Rritja e numrit të shërbimeve elektronike në dispozicion për qytetarët e Shqipërisë dhe digjitalizimin e të gjitha shërbimeve publike;
- Rritja e ndërgjegjësimit te popullatës lidhur me përfitimet nga përdorimi i shërbimeve të TIK nëpërmjet Broadband; etj.
Në konferencë morën pjesë z. Piro Xhixho, Kryetar i Autoritetit për Komunikimet Elektronike e Postare, përfaqësues nga MASH dhe Posta Shqiptare, por edhe znj. Sofie Maddens, përfaqësuese nga International Telecommunication Union (ITU), operatorë të telefonisë celulare dhe fikse në vend, ISP-të, etj., për të diskutuar rreth Planit Kombëtar të hartuar për zhvillimin e Broadband-it në vendin tonë.
25/05/2012