Këshilli i Ministrave miratoi sot, ndryshimin në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që mundëson kryerjen e pagesës vjetore të tatim-fitimit nga 13 pagesa aktualisht, në 5 pagesa. Drafti u prezantua nga Kryeministri Berisha, të cilin e cilësoi të dobishëm dhe të domosdoshëm për biznesin, pasi “thjeshton në mënyrën të ndjeshme barrën burokratike”.
Kryeministri Berisha tha se ky projektligj është një ndër masat që qeveria synon për të lehtësuar më tej barrën burokratike mbi biznesin dhe nxitjen e stimulimin e veprimtarisë së tij. “Qeveria - tha Kryeministri - po përgatit dhe do të shqyrtojë me hollësi një paketë të re të nxitjes së rritjes ekonomike dhe unë ju garantoj se ajo paketë dhe rritja ekonomike ka si alfën dhe omegën, lehtësimin, mbështetjen dhe nxitjen e biznesit.”
Kryeministri garantoi për konsolidimin e modelit të ekonomisë shqiptare, i bazuar në standardet më liberale, uljen e barrës fiskale, thjeshtimin e barrës burokratike dhe krijimin e kushteve për një konkurrencë të ndershme, ndërsa e konsideroi në “kundërrymë” me qëndrimet e institucioneve financiare botërore që “kërkojnë nxitje të rritjes”, propozimet për taksën progresive. Falë këtij modeli, theksoi Kryeministri, ekonomia shqiptare, i rezistoi krizën më të vështirë në Europë e më gjerë dhe dëshmoi performancën më të mirë ndër vendet e rajonit.
“Kriza është dhe do të mbetet afatgjatë. Shqipëria - pohoi Kryeministri - ka të gjitha mundësitë e potencialet që jo vetëm të shmangë recesionin, por të garantojë rritje progresive, me modelin e saj. Natyrisht, kjo kërkon nga ne që të bëjmë gjithçka, për të nxitur, inkurajuar, lehtësuar biznesin dhe veprimtarinë e tij.”
Kryeministri Berisha u kërkoi ministrave të shqyrtojnë çdo procedure dhe mundësi për të lehtësuar, nxitur biznesin, për të inkurajuar partneritetin publik-privat, si një levë e fuqishme e shumëfishimit të financimeve dhe fondeve, në interes publik e privat.
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
“Kryefjalë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje është një projektligj i qeverisë, me të cilin thjeshtojmë në mënyrë të ndjeshme barrën burokratike për biznesin në pagesën e tatim-fitimit. Pagese kjo që në praktikën e deritanishme realizohet në 13 pagesa, gjatë vitit dhe vetëm kjo i kushton biznesit 125 orë. Qeveria po bën gjithçka që barra burokratike të thjeshtohet në shkallën më maksimale. Me këtë projektligj, pagesat e detyrimeve të tatim-fitimit nga biznesi zbresin në 5 pagesa, pra, zbresin në çdo tre muaj dhe e redukton me rreth 70 përqind kohën prej 125 orë.
Në rast se vështrojmë raportin e Shqipërisë me krizën e egër europiane dhe jo vetëm europiane rezulton se Shqipëria është ndër të paktat vende në planet që nuk njohu recesionin, gjatë këtyre viteve të një krize të shumëfishtë, por që tani në Europë është konsoliduar në krizën e borxheve dhe krizën e euros. Ekonomia shqiptare është një ekonomi hiperglobale. Kjo është ekonomi me një dinamizëm shumë të madh të shkëmbimit të mallrave, të importeve dhe eksporteve. Ndofta si në asnjë vend tjetër, eksportet në këtë ekonomi janë dyfishuar në harkun kohor 2009-2011. Ekonomia shqiptare në 5 vitet e fundit të krizës së egër ka realizuar një rritje ekonomike prej 22 përqind. Kjo ekonomi, sipas Komisionit Europian, 4 vitet e fundit të krizës së thellë u rrit 4 herë më shumë, se mesatarja e rritjes së rajonit. Me funksionimin e saj, kjo ekonomi bëri të mundur krijimin e dhjetëra mijërave vende të punës dhe që Shqipëria të jetë ndër të paktat vende, në të cilën jo vetëm nuk u rrit, por është ulur papunësia. Funksionimi i kësaj ekonomie ka bërë të mundur rritjen nga viti në vit të të ardhurave nga taksat e doganat. Unë dua t’u rikujtoj shqiptarëve se nga rreth 130 miliardë lekë që ishin këto të ardhura në vitin 2004, ato u rritën në 283 miliardë lekë në vitin 2011.
Në rast se ekonomia shqiptare nuk ra në recesion dhe me dinamizmin e saj bëri të mundur ndërmarrjen e projekteve ndër më ambiciozet në historinë e vendit, bëri të mundur rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve në këtë kohë, në Europë, të gjitha këto janë rezultat kryekëput i reformave tona në favor të biznesit. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë si mburojë apo mbrojtjen nga pasojat e kësaj krize të paprecedentë në 80 vitet e fundit, mbështetjen, nxitjen, stimulimin e klimës së biznesit. Ne nuk kemi pasur mekanizma të tjerë. Ne nuk jemi në grupin e vendeve të eurozonës, e kundërta, jemi përballur me pasojat e krizës së euros, sepse jemi një ekonomi e eurozuar. Por, me të gjitha këto, kjo ekonomi, në kushte krize ka dëshmuar performancën më të mirë, se të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka kryesuar rritjen në Europë dhe është në detyrimin tonë madhor të konsolidojmë më tej modelin tonë. Model që bazohet në lirinë ekonomike, në standardet më liberale, në çlirimin e biznesit nga barra e rëndë burokratike, në thjeshtimin e procedurave, në përpjekjen për të krijuar kushtet për një konkurrencë të ndershme, bazohet në uljen e mëtejshme të barrës fiskale.
Zotëria që u premtoi shqiptarëve kthimin tek taksa progresive dhe rritjen e saj, që u premtoi shqiptarëve shkatërrimin e dhjetëra mijërave vende pune, që u premtoi shqiptarëve shtrëngimin e mëtejshëm të rripit, të cilën shqiptarët kanë neveri ta dëgjojnë, se 45 vjet nuk është thënë gjë tjetër, por të shtrëngojmë rripin për të arritur majën e socializmit dhe arritëm në greminë, pra, ky zotëri, që fliste për rritje taksash, çdo të thotë tani që e gjen veten në kundërrymë, tani që institucionet kryesore botërore kërkojnë nxitje të rritjes, tani që Bashkimi Europian po krijon paketën e rritjes. Apo do të thotë sërish se do t’u rris taksat bizneseve, që t’jua marrë frymën, që t’jua bllokoj mundësinë të investojnë e të krijojnë vende të reja pune, do të rikujtojë sërish taksën progresiste të Karl Marsit. Por kjo nuk do të ndodhë, nuk ka shans! Me praktika të së shkuarës nuk mund të ndërtohet e ardhmja. Ato janë të arkivuara njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria e shqiptarët. Ne do të vazhdojmë vendosmërisht, me krijimin e lehtësirave të reja më madhore për biznesin, do të angazhohemi në mënyrën më serioze për zonat e lira ekonomike. Në planin prej 6 pikash që shpalli kancelarja Merkel, zonat e lira ekonomike janë një nga mekanizmat kryesorë të rritjes ekonomike.
Qeveria po përgatit dhe do të shqyrtojë me hollësi një paketë të re të nxitjes së rritjes ekonomike dhe unë ju garantoj se ajo paketë dhe rritja ekonomike ka si alfën dhe omegën, lehtësimin, mbështetjen dhe nxitjen e biznesit. Ju lutem shkoni e kontrolloni të ardhurat që ka realizuar bashkia e Tiranës, duke hequr mbi 60 taksa, shikoni se si janë rritur ato. Është realizuar plotësisht pritshmëria, nga 20-30 përqind që ishte dhe vetëm në periudhën paraelektorale filloi të merrte gjobat elektorale.
Zotërinj ministra, është e domosdoshme të shqyrtoni me angazhim të plotë, çdo lloj procedure dhe mundësie që ju keni për të lehtësuar, nxitur, inkurajuar biznesin privat dhe veprimtarinë e tij, të bëni gjithçka për të inkurajuar, për të nxitur partneritetin publik-privat, si një levë shumë e fuqishme e shumëfishimit të financimeve dhe fondeve, në interes publik e privat. Duhet të bëjmë gjithçka që t’u kursejmë bizneseve dhe qytetarëve atë që ata kanë më të çmuar dhe më të çmuar se çdo gjë tjetër kanë kohën. Të bëjmë gjithçka që ata të mos mundohen në labirintet e burokracisë pashpirt, por të marrin përgjigjen më të shpejtë e të merituar dhe të bëhet gjithçka e të merret çdo masë ndaj atyre që flenë me sy hapur në detyrë dhe vonojnë përgjigjet ndaj biznesit e qytetarëve.
Kriza është dhe do të mbetet afatgjatë. Shqipëria ka të gjitha mundësitë e potencialet që jo vetëm të shmangë recesionin, por të garantojë rritje progresive, me modelin e saj. Natyrisht, kjo kërkon nga ne që të bëjmë gjithçka, për të nxitur, inkurajuar, lehtësuar biznesin dhe veprimtarinë e tij. Ky është një nga modelet më të shkëlqyera që është krijuar, që bazohet në një nga 10 administratat më të vogla të planetit, çka do të thotë se Shqipëria renditet në një nga 10 vendet me barrën më të lehtë mbi shpatullat e biznesit. Dhe kjo ka qenë një nga më të vështirat për t’u realizuar. Atëherë, me lupë duhet të kërkojmë çdo pengesë, çdo vështirësi që i krijohet sipërmarrjes së lirë, për të ecur, për t’u rritur e konsoliduar më tej.
Natyrisht, sot kryelajm është procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, por duhet të themi se biznesi ka rëndësi të jashtëzakonshme, jeta ekonomike është përcaktuese, ndaj edhe ne do të bëjmë gjithçka për lehtësimin e tij.”
30/05/2012