Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij Liri Berisha, mbesat Amla e Medina dhe nipi Ledioni, iu bashkëngjit sot atmosferës festive të krijuar në kryeqytet, me rastin e festës së 1 Qershorit. Në këtë ditë, ishin organizuar aktivitete të shumta artistike e argëtuese, me pjesëmarrjen e fëmijëve të shkollave të Tiranës, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës.
Kryeministri Berisha, së bashku edhe me shumë fëmijë, prindër e mësues, ndoqën nga afër veprimtaritë e organizuara në shumë sheshe kryesore, duke nisur nga Pedonalja e Tiranës dhe përgjatë gjithë bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku ndihej gëzimi dhe festa, përmes zërave të gëzuar të fëmijëve, veshjeve të tyre festive dhe atmosferës energjike që ata rrezatonin.
Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij, mbesat e nipin, takoi nga afër dhe shkëmbeu me shumë fëmijë gëzimin dhe emocionet e tyre fëmijërore në këtë ditë hareje dhe feste për ta. “Në këtë ditë, duhet të urojmë çdo fëmijë shqiptar së pari, duhet të përqafojmë çdo vajzë e djalë, çdo fëmijë të këtij vendi dhe të urojmë që gëzimi që ai ndjen sot në zemrën e tij, të jetë një gëzim që do ta shoqërojë gjithë jetën”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sot, theksoi Kryeministri, është dita e gëzimit më të madh të fëmijëve shqiptarë, e prindërve të tyre dhe gjithë shqiptarëve, është festa e gëzimit të çdo familjeje, është festa e shpresës, e besimit.
Duke uruar më të mirën për gjithë fëmijët shqiptarë, kudo që ata janë, Kryeministri shprehu bindjen se ëndrrat më të bukura të tyre, ata do t’i bëjnë realitet. “Uroj prindërit që të lumturohen duke jetuar në Shqipërinë që do të ndërtojnë fëmijët e tyre. Ishte një ditë në të cilën unë pashë fëmijën më të bukur, më të gëzuar, më të qeshur se kurrë në jetën time. Vështroni në sytë e tyre, aty lexohet një gëzim që gufon nga shpirti, lexohet një pastërti idilike, lexohet një dashuri e pastër, lexohet e ardhmja e tyre e ndritur që ata meritojnë”, vijoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri bëri një urim edhe për gjithë edukatorët e mësuesit e fëmijëve, të cilët ndajnë këtë ditë së bashku me ta, ashtu sikurse bëjnë gjithë familjet shqiptare në ditën e 1 Qershorit, ditën e fëmijëve të tyre.
Të pranishëm në këto aktivitete festive ishin edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, e të tjerë personalitete.
01/06/2012