Kryeministri Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike, në kuadër të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të vendit, u takua sot në mbrëmje me liderin e opozitës, Kryetarin e Partisë Socialiste zotin Edi Rama, në selinë e Kryesisë së Kuvendit.
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë takim nga Nënkryetari i PD-së dhe Kryetar i Grupit Parlamentar, zoti Astrit Patozi.
Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha bëri këtë deklaratë për mediat e pranishme:
“Në këtë takim shpreha qëndrimin dhe vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të këtij problemi, ashtu siç përcakton Kushtetuta, e cila në frymë e në germë e përcakton këtë zgjidhje si zgjidhje kushtetuese të tre raundeve të para. U bë një shkëmbim, do të thosha i hapur, i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin.
Ju tashmë e dini që mazhoranca ka bërë hapat e vet, ka bërë tërheqjet e veta, ka bërë paraqitjen e kandidatit, nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke i dhënë përparësi përpjekjes serioze për një zgjidhje konsensuale me opozitën.
Ne besojmë dhe mendojmë që edhe opozita do të bëjë hapat e saj.
Pyetje: Zoti Rama deklaroi pak çaste më parë se, mesa duket, raundi i parë i negociatave mes jush nuk ka arritur në gjetjen e modaliteteve që opozita i konsideron konsensuale.
Kryeministri Berisha: Unë nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Jo!. Por u shprehën qëndrimet, pozicionet, u elaboruan modalitetet e përpjekjeve për konsensualitet dhe kjo ishte e tërë ajo që u diskutua në këtë takim.
03/06/2012