Zonja deputete,
Zotërinj deputetë,
Zonja kryetare e parlamentit,
Të dashur qytetare e qytetarë të vendit,
Jemi sot, në këtë seancë, në raundin e tretë për të zgjedhur Presidentin e Republikës, pra, jemi në procesin më serioz të vendit midis dy zgjedhjeve të përgjithshme.
Duke ndjekur editorialin që lexoi këtu parafolësi, mund të them se dogma dhe mashtrimi janë shinat, në të cilat lëviz opozita dhe mbetet e gozhduar në to.
Të dashur qytetare e qytetarë,
Katër javë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, nëpërmjet tre zëdhënësve të tij, një prej të cilëve e kam parasysh këtu e që në fakt është edhe më i keqpërdoruri prej tij, paralajmëroi shqiptarët se Sali Berisha po i bllokon reformat për t’i lidhur ato me zgjedhjen e presidentit. Kjo është e vërteta, të cilën e ka në memorie çdo shqiptar, i djathtë, i qendrës, i majtë, i ekstremeve apo pa parti qoftë ai.
Koha eci. Në përputhje me deklaratat e mëparshme se Partia Demokratike do të angazhohet në këtë proces në afatin kushtetues, në përputhje me marrëveshjen e 2 shtatorit të vitit 2009, me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila stipulon se presidenti do të zgjidhet me konsensusin e këtyre dy partive, ne nisëm procesin e zgjedhjes së presidentit. Zhvilluam takimin e parë si aleatë, duke mos shqiptuar qoftë edhe një emër të vetëm, por thjesht për të përcaktuar fushat dhe rrugën që do të ndiqnim. Edhe një herë theksoj këtu, të dashur qytetarë, se për Partinë Demokratike, në procesin e zgjedhjes së presidentit, marrëveshja e firmosur me LSI-në është një detyrim që çdo hap të bëhet në ujdi me këtë forcë politike.
Menjëherë pasi u arrit një dakordësi, hapi i parë pas kësaj ishte ftesa që iu bë zotit Ruçi nga zoti Astrit Patozi dhe zoti Edmond Spaho, për t’u takuar për çështjen e modaliteteve. Dua t’ju them të mos mendojë kush, kurrë, se do më tërheqë me letrat e hapura. Unë jam i hapur me ju. Në vitet ’60-të, një letër famëkeqe e Enver Hoxhës, të cilën shumë prej jush nuk e mbajnë mend, vendosi në terror një komb të tërë. Në memorien time, ato kanë shijen më të keqe. Unë nuk them se ato janë shpikje dhe zbulim i Enver Hoxhës, por ky është refleksi im ndaj tyre. Kështu që aspak në përgjigje të letrës së hapur të kryetarit tuaj, por në përgjigje të detyrimit, para së gjithash kushtetues, për të respektuar raundet që vijnë me 3/5 dhe që koalicioni qeverisës nuk i ka këto vota, ne kërkuam takimin me ju. Në këtë takim, nuk ishte Sali Berisha, ai që shkroi editorialin dhe kërkoi të rrëzonte me çdo kusht e me çdo çmim Sali Berishën. Në një proces, më i rëndësishmi për vendin, nuk ishte Sali Berisha ai që hartoi ultimatumin me katër pika dhe ia dorëzoi në tavolinë të mandatuarit të Partisë Demokratike. Përkundrazi, Partia Demokratike erdhi drejt jush për të diskutuar ato që kishte rënë dakord koalicioni qeveritar dhe në këtë rast, zoti Patozi përfaqësonte atë tavolinë të koalicionit. A isha unë përgjegjësi për ultimatumet tuaja? E shkrova unë editorialin tuaj? A mund t’i bëj unë të dyja, edhe Sali Berishën djathtas dhe Sali Berishën majtas? Jo, unë nuk i bëj të dyja! Mos e prisni nga unë! Ju jeni sovranë në praktikat e vendimet tuaja. Në vend të një tryeze, ku të diskutohej për modalitetet, ne morëm ultimatumin, kërcënimin, përmbysjen. Këto nuk më impresionuan fare dhe absolutisht i konsiderova si veprime sovrane të opozitës shqiptare.
Unë nuk mund dhe nuk do të mundem të nxjerr emra në një tavolinë, pa rënë dakord me aleatin kryesor të koalicionit në qeverisje. Ne vazhduam, u mblodhëm në takimin e dytët dhe ramë dakord për një emër. Nuk është faji im pse ju keni filtrat e Tomës, nuk është faji im që nuk ju lë Toma ta merrni vesh. Por ju garantoj e ju jap fjalën e nderit se katër minuta më vonë, ende pa e marrë vesh as kryetari im i grupit parlamentar dhe kryetarja e parlamentit, e ka marrë vesh kryetari i partisë suaj. Por ju keni filtra, të cilat as jua vendos dhe as jua kontrolloj unë. Kjo është ora e të vërtetës, ora e sinqeritetit! Unë, si një zyrtar, kam marrë menjëherë në telefon kryetarin e grupit tim parlamentar dhe i kam thënë: të lutem kërkoi zotit Gramoz Ruçit takim, t’i shkosh me kandidaturën, se kjo ishte dëshira e vendimi i dalë nga tryeza. Zoti Ruçi i përgjigjet zotit Patozi: nesër në mbledhjen e kryesisë, se nuk bëhet. Pasi u mendova i kërkova sërish zotit Patozi t’i thoshte zotit Ruçi se: nuk është mirë dhe as serioze që ta merrni vesh nga mediat, pasi ju duhet ta merrnin vesh nga ne dhe më pas të shprehni mendimin. Por nuk i lihej kurrsesi takim dhe nuk ishte faji im. Juve nuk ju lanë filtrat të veproni dhe filtrat nuk jua rregulloj unë.
Për ta bërë këtë problemin më serioz, më të mundshëm për t’u pranuar nga të gjitha palët, njeriu, që kishte deklaruar tre muaj rresht se do të jetë një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë e do e mbështes, u tërhoq nga kjo dhe unë deklarova në tryezë me bashkëpunëtorët e aleatët e mi se nuk mund të shkoj tek Partia Socialiste me kandidaturë partiake, pasi kjo nuk është e drejtë. Edhe unë, po të isha opozita, nuk do të votoja një kandidaturë partiake. Ne duhet shkonim me një kandidaturë jo partiake dhe zgjodhëm një kandidaturë, të cilën në vitin 2003 e keni votuar gjerësisht në këtë sallë. Unë ju garantoj se nuk kam propozuar as në një rast President të Republikës. Se në cilën anë ka qenë presidenti, ju e keni të qartë vetë dhe të mos hymë në atë histori. Zoti Zaganjori është votuar nga të dy krahët dhe po në kurrikulën e tij, rezulton se ministri juaj i Drejtësisë në vitin 2004, nuk mbaj mend të them kush, ndoshta zoti Xhafaj, e kishte përzgjedhur në Këshillin Juridik Kushtetues të Ministrisë së Drejtësisë. Unë ja propozova këtë ministrit tuaj të Drejtësisë? E përzgjodhët ju vetë, për cilësitë e tij dhe për asgjë tjetër. Por kjo nuk mjaftoi.
Zoti Ruçi, meqenëse hyre dhe e interpretove sipas teje takimin, bën mirë t’i thuash publikut atë pjesë të editorialit që nuk e lexove këtu, sipas të cilit, ai ka votuar kundër opozitës në Gjykatën Kushtetuese. Të nderuar zotërinj, për të gjithë ata, të cilët i thonë politikës politikë, në Gjykatën Kushtetuese, kjo qeveria ka pasur tre çështjet më politike të saj: ligji i lustracionit, ligji i pronës dhe ligji i detit. Në të tria këto çështje, zoti Zaganjori ka votuar kundër qeverisë. Ju vazhdoni të gënjeni njëri-tjetrin, por vendimet janë të afishuara, të botuara. E turpshme që flisni në këtë mënyrë! Ju keni prirje të besoni mashtrimet e njëri-tjetrit më shumë, sesa web-i zyrtar i Gjykatës Kushtetuese. Por, në qoftë se ju kërkoni që unë t’ju veçoj se cila është politike, këtë nuk do ta bëj ndonjëherë. Këtë duhet ta bëni ju. Nëse ju nuk dini se cila është politike, ky është problemi juaj dhe jo i Sali Berishës. Por nuk ka më politike, sesa këto tre çështje. Ju nuk mund të nxirrni një të katërt, ndaj e mbyllni duke thënë se nuk është e vërtetë. Është 100 përqind e vërtetë! Njeriu i qytetëruar nuk e gjykon gjykatësin për vendimet që ka dhënë gjykata, por e gjykon për integritetin, për intelektin, për paanësinë. Për ju, në tre çështjet kryesore ndaj qeverisë, ai ka votuar në favor, siç e quani ju dhe thoni se ka votuar kundër nesh dhe shkruani në editorial, atë që nuk e lexoi zoti Ruçi këtu, se ai paska votuar kundër jush. Zotërinj nuk mund ta bazoni qëndrimin mbi të pavërteta!
A nuk kërkoi kryetari juaj, tre muaj rresht, që të mos jetë zonja Jozefina Topalli, e cila në vetëdijen time më të thellë përfaqëson dhe do ta përfaqësojë këtë vend në mënyrën më dinjitoze. Pyeteni pak, në një moment sinqeriteti, kryetarin tuaj, sëbashku me zotin Klosi, se çfarë ju thanë për zonjën Topalli, në takimin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Por nuk jua thotë dot. Zonja Topalli ka drejtuar në mënyrën më të vendosur, më të paanshme këtë parlament në periudhën e reformave më të mëdha të vendit dhe e ka përfaqësuar Shqipërinë, e ritheksoj, më mënyrën më dinjitoze. Kryetari juaj e ka nga misoginia apo faktorë të tjerë, e ka nga lufta e klasave apo nga komplekset e tij, nuk e di, por tre muaj rresh më çonte publikisht ultimatume se ajo nuk do të ishte kurrë. Unë nuk i kam çuar qoftë edhe një mesazh të vetëm se Gramoz Ruci apo Shegushe Ligori apo Mimi Kodheli nuk do mund të jenë kurrë. Nuk e kam bërë këtë asnjëherë, nuk kam vendosur asnjë kusht e ultimatum, nuk kam përfshirë as kryesinë tuaj. Dhe nuk e kam bërë, sepse nuk jam njeri i ultimatumeve. Unë nuk i çoj kurrë, ultimatum, kundërshtarit. Ai nisi drejt meje.
E megjithatë, në këtë proces u ngrita mbi veten time, u ngrita mbi bindjet e mia se njeriu që do ta përfaqësonte vendin në mënyrën më dinjitoze do të ishte zonja Topalli, u ngrita mbi bindjet e mia se ai që do të ishte presidenti më i shkëlqyer i republikës do të ishte një nga bashkëpunëtorët e mi, u ngrita mbi bindjet e mia se Partia Demokratike duhet ta kishte presidentin nga radhët e saj dhe propozuam së bashku me zotin Meta një njëri që nuk ka qenë as edhe një ditë të vetme, në asnjë nga forcat tona politike. Pra, tejkaluam të gjitha këto dhe sërish nuk mjaftojnë, sepse ju udhëhiqeni nga një filozofia: E tëra ose asgjë! Me të ose mbi të! Por kjo nuk është filozofi në demokraci! Kjo është në luftë, ndonëse edhe në luftë ka rregulla, pasi nuk mund t’i bësh kundërshtarit gjithçka, ka konventa që edhe të mundurin e mbrojnë. Çfarë kërkonit ju, unë i plotësova kushtet dhe nuk solla një njeri nga PD-ja, shmangëm edhe emra konkretë që e përfaqësonin në mënyrën më dinjitoze dhe sollën një njeri që e kishit votuar vetë këtu, në parlament. Por ju kërkoni vetëm një gjë: ta përdorni këtë proces për të bllokuar Shqipërinë. Kjo është e vërteta!
Ju mund të pyesni se zoti Zagonjori është i vetmi njeri? Jo, nuk e them kurrë këtë! Por krahas zotit Zaganjori, qytetarët duhet ta dinë, ne kemi propozuar një njeri tjetër që ka marrë votat e të dy krahëve në parlament. Zoti Ruçi e di shumë mirë dhe informacionet duhet t’i merrni nga njerëzit tuaj. Në qoftë se ata ju mbajnë në errësirë, është puna e tyre jo e imja. Unë udhëheq këtë krahun këtej [krahu ku ulet grupi parlamentar i Partisë Demokratike në parlament], ju keni problemin tuaj. Ky është një proces shumë serioz. Ju mund ta merrni si të doni. Unë e marr si të tillë. Propozuam kandidatin e dytë tjetër dhe refuzimi ishte kategorik. Nuk u tërhoqëm dhe i thamë PS-së të propozojë.
Në takimin që pata me zotin Rama shprehëm pikëpamjet tona. Takimi ishte për Presidentin e Republikës, por e gjitha kjo dëshmoi se takimi ishte për bllokimin, çka e nxori edhe vetë zoti Ruçi, me lidhjen: O këto, o s’ka! Ose parimi tjetër: E tërë ose asgjë! Në Spartë ndodhte që u jepnin heshtën e mburojën dhe u thuhej: me të ose mbi të, mos u kthe i gjallë! Pra, më dha mesazhin e bllokimit. Kjo është praktika juaj, jo e jona. Ju doni të bllokoni. A ju kanë votuar qytetarët shqiptarë që të bllokoni? Aspak! Ndaj u përgjigja se unë kam bërë përpjekjet e mia, kam gjetur këtë zotëri dhe ju nuk keni rënë dakord. Ajo çka kërkoj nga ju është të paraqisni kandidat. Nuk i thashë paraqit kandidat politik, por në këto fusha, në këto kuota dhe unë do ta konsideroj në mënyrën më serioze. Nëse është mbi to, padyshim do ta votoj pa hezitim. Ky ishte zotimi im dhe për këtë jam i bindur se zoti Zaganjori dhe çdokush tjetër, në qoftë se sheh një kandidat, me të cilin do të ndjehej krenar për ta pasur president, nuk do të kishte asnjë lloj ngurrimi për t’i shtrënguar dorën. Por përgjigja ishte: Nuk sjellim kandidat, sillini ju. Por kjo karrige nuk është për të shkuar poshtë e më poshtë, për t’u ujdisur bashkë. Për këtë karrige shkojmë lart e më lart, sepse është karrigia e parë e shtetit. Ne përcaktuam fushat, kategorikisht as edhe një emër zyrtarisht.
Duke përdorur një shprehje popullore të mençur: ku fle lepuri?, ju them se lepuri fle tek Fatos Nano. Si ka mundësi që ju kaq gojë kyçur, kaq të panjohur, që nuk mund të nxirrni një kandidat. Unë e ftova Nanon? Unë deklarova që në fillim se për ne ai është lideri historik i së majtës dhe nuk e votojmë. Këtë ia kam deklaruar edhe në takimin që kam pasur. Po kush e ftoi? A shkoni dot ju tek emisioni i Sokol Ballës? Absolutisht pa tre çelësa nuk shkoni dot në atë emision. Së pari, duhet të merrni lejen e manarit Fuga, nga Fuga tek nënkryetari i ri dhe nga ky tek kryetari. Dhe ju e dini mirë këtë. Por një ditë shoh zotin Nano të ekspozonte platformën e tij tek emisioni i Ballës. Dakord, kjo është normale. Ju jeni një forcë politike dhe keni një problem madhor, se e keni akoma nëpër këmbë, në korridore, në labirintet e mendjes suaj kultin e armikut, të jashtëm, edhe të brendshëm. Po Fatos Nano çfarë ju ka bërë juve? Historia është histori. Nëse qahemi ne që mbetëm 8 vjet në opozitë është normale dhe nuk mund ta votojmë kurrë, por juve që ju mbajti 8 vjet në pushtet, ju ç’kërkoni prej tij?! Ai bëri një gabim. 74 ministra e kryeministra u bënë gjatë kohës së tij. Kush jua solli Fatos Nanon? E sollët vetë! Dje e patë veten si parakalonit kur ju pyesnin për të dhe vetëm një guxoi t’i thotë gazetares ndal e t’i kthehet kamerës. Ju të tjerët vrap, vrap, vrap. Ju zotërinj jeni në proces. Absolutisht si në romanin e Franc Kafkës. Si nuk mund të thoshit një fjalë qoftë mirë, qoftë keq, a thjesht diçka për të, por kalonit njëri pas tjetrit, përveç ish kryeministrit. E ke hallall atë emërim që të kam bërë, atë dekret edhe sot nuk e zhbëj, për atë gjest që bëre dje.
Për ta mbyllur, sërish ju ftoj të angazhoheni në një proces të emancipuar. Ne kemi bërë lëvizjet më të fuqishme që detyrimisht na takonte t’i bënim. Bëni dhe ju lëvizjen tuaj. Mendoni se nuk ka në politikë gjithçka ose asgjë. Në një proces kompromisi, secila palë duhet të lëshojë dhe unë ju ftoj: 1. Të mbështesni kandidatin që e kemi votuar të dyja palët në parlament. 2. Të propozoni një kandidat me vlera më të larta që ju gjykoni dhe ju jap fjalën se do ta konsiderojmë në mënyrën më serioze. Përndryshe, ju jeni rilindja e bllokut. Jo ju këtu [në sallë], se një pjesë e juaja nuk keni punë me bllokun. Keni rilindur bllokun dhe bllokimin! E vetmja rilindje në Shqipëri është blloku dhe bllokimi. Më mirë ndahuni prej tij dhe urdhëroni në frymën e bashkëpunimit që ofrojmë. Këto janë të vërtetat.
Përsa i përket takimit, por ishte takim i shtruar, serioz dhe me shprehje pikëpamjesh të të dyja palëve. Kaq ishte. Natyrisht, aty u gjeta para lidhjes me pikat, por unë shkova aty, për presidentin. Bashkëbiseduesit nuk mund t’i diktosh se çfarë do të thotë. Ndërsa ulesh me të, do ta dëgjosh. Unë mendoj se zotin Rama e dëgjova me vëmendje dhe po kështu ai dëgjojë me vëmendje ekspozenë time. Çdo gjë tjetër dëshmon gjer më sot se ka një qëllim madhor: bllokimin e statusit.
08/06/2012