Kryeministri Berisha pati sot, një mëngjes pune me përfaqësues të biznesit austriak në Shqipëri, gjatë së cilit u prezantua edhe ecuria e një prej projekteve më të mëdha në fushën e energjisë hidrike, i konsideruar i tillë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë: hidrocentrali në lumin Devoll, njëkohësisht një nga investimet më të mëdha austriake në Shqipëri.
Projekti Devoll Hydropwer është një investim i përbashkët prej rreth 1 miliardë euro i dy kompanive të njohura europiane në këtë fushë, kompanisë austriake EVN dhe asaj norvegjeze Statkraft dhe siguron një shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll.
Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të dy kompanive, EVN dhe Statkraft, për realizimin e këtij projekti madhor, tha se kaskada e Devollit përbën një hap të madh përpara në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë hidrike dhe një përpjekje drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Austria, - tha Kryeministri - qëndron në krye të përpjekjeve, për ta kthyer Shqipërinë në një prodhues të rëndësishëm të energjisë hidrike.
Në takim u vlerësua se marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Austrisë janë në rritje, duke sjellë në vëmendje se eksportet austriake në Shqipëri u rritën me 23 përqind në vitin 2011 dhe volumi tregtar midis dy vendeve arriti në vlerën e 100 milionë eurove, pavarësisht vështirësive, me të cilat po përballet ekonomia në Europë. Përfaqësuesit e biznesit austriak shprehën kënaqësinë që Austria është gjithashtu investitori më i madh në Shqipëri, ndërsa bënë të ditur se ata po shohin mundësi të reja për zhvillimin e projekte të tjera të mëdha këtu.
Kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të lehtësuar barrën fiskale, për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë dhe më pak burokratike, për të mbështetur e stimuluar biznesin dhe investimet, si përgjigja më e mirë ndaj krizës ekonomike botërore.
I pranishëm në mëngjesin e punës, ambasadori austriak në Shqipëri, zoti Florian Rauning tha se Austria beson tek Shqipëria, ndaj edhe ka një prezencë të tillë të biznesit austriak në këtë vend.
Fjala e Kryeministri Berisha në mëngjesin e punës me përfaqësuesin e biznesit austriak.
“Është kënaqësi e madhe për mua t’ju drejtohem sot, në këtë mëngjes pune, në një rast të madh: prezantimin e projektit me të madh të ndërtuar ndonjëherë ne këtë vend, kaskada e Devollit.
Për momentin, ky është investimi më i madh në hidrocentrale në Europe dhe ne jemi shume krenare me partnerët tanë EVN e Austrisë dhe Statcraft i Norvegjisë, që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme prej 6 vitesh, duke punuar me durim në të gjitha aspektet dhe kanë tani, me qeverinë, një marrëveshje koncesionare të ratifikuar në parlament. Ata gjithashtu kanë bërë një punë të mrekullueshme me komunitetin, kanë takuar atje qindra e mijëra njerëz, për t’ju shpjeguar punimet që po bëhen në rajon, cilat do të jenë përfitimet e komuniteti lokal atje, si do të kujdesen për ambientin. Unë mendoj se është bërë një punë shumë serioze.
Ky projekt përbën një hap të madh përpara në strategjinë tonë të shndërrimit të vendit në një superfuqi të vogël të energjisë në rajon. Kaskada e Devollit dhe përpjekjet tona për të ngritur kapacitetin e prodhimit të energjisë hidrike në vendin tonë përbëjnë një përpjekje drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
Ndërsa jemi në këtë fushë, jemi shumë të gëzuar që Austria qëndron në krye të përpjekjeve të Shqipërisë, për ta kthyer vendin në një prodhues të rëndësishëm të energjisë hidrike.
Pas dy ditësh, unë do të vizitoj Ashtën, një kryevepër e punës dhe teknologjisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë. Kompani të tjera serioze austriake po shohin degët e lumit Mat dhe tjetërkund. Interesi i kompanive austriake për të investuar në Shqipëri po rritet çdo vit dhe Devoll hydropower do të jetë për to një inkurajim i madh, në vendimet e tyre t’i kthyer ëndrrat e tyre në realitet në këtë vend.
Tani jemi në një kohe krize. Një krizë shumëdimensionale, e lidhur me borxhet, e lidhur me euron, e lidhur me globalizimin. Të gjithë këta faktorë kanë një zgjidhje të përbashkët, që është ndihma, asistenca, inkurajimi, stimulimi i bizneseve. Nuk ka rrugë tjetër! Për Shqipërinë nuk ka mënyrë mbrojtjeje më të mirë ndaj kësaj krize shumë të vështirë, sesa inkurajimi i biznesit dhe investimet. Prandaj mbetemi shumë të përkushtuar për të bërë çdo gjë për të lehtësuar barrën burokratike, për të lehtësuar barrën fiskale, për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë, për t’ju shërbyer. Jam optimist se pavarësisht krizës, që siç duket do të vazhdoje vite, shpresojmë jo dekada, ne do të bëjmë më të mirën, për të promovuar zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Ju siguroj se jemi shume krenarë me ju dhe Statcraft dhe jeni mëse të mirëpritur për të punuar në këtë vend.”
12/06/2012