Kryeministri Berisha prit sot, në një takim ambasadorin e Danimarkës në Shqipëri, zotin Karsten Ankjaer Jensen, me rastin e përfundimit të detyrës.
Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Jensen për rolin dhe kontributin e tij, për çuarjen përpara të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe i uroi suksese në detyrat e ardhshme.
Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën e çmuar që Danimarka i ka dhënë këto 20 vite, Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë, anëtarësimin në NATO dhe në rrugëtimin e saj të integrimit europian.
Ambasadori Jensen e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu falënderimet e përzemërta për mbështetjen e qeverisë shqiptare, në përmbushjen e detyrës së tij në Shqipëri.
Në takim u rikonfirmua vullneti i dy qeverive për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen, në interesin më të mirë të të dy vendeve.
Për nder të ambasadorit Jensen, Kryeministri Berisha shtroi një drekë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
12/06/2012