Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, z. Keith Whitemore.
Z. Whitemore, pasi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohë e miqësore, vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë.
Zoti Whitemore e siguroi Kryeministrin se ndodhet në këtë vizitë në Shqipëri për t’i shprehur Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) dhe qeverisë shqiptare mbështetjen e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale për axhendën e saj gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, si dhe vullnetin e plotë të këtij institucioni për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me Shqipërinë.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Whitemore për fjalët vlerësuese dhe mbështetjen që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale po tregon për qeverinë shqiptare dhe presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e kësaj presidence si një ngjarje me rëndësi historike, e cila vjen me një domethënie shumë të madhe në vitin jubilar të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Presidentin e Kongresit Evropian të Autoriteteve Lokale Rajonale, z.Whitemore, me zhvillimet dhe reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në fushë e decentralizimeve dhe mbështetjen domethënëse që qeveria shqiptare i ka bërë qeverisjes lokale, përmes projekteve konkrete. Ai e siguroi atë për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar këtë mbështetje të rëndësishme dhe ritheksoi, gjithashtu, nevojën që pushteti lokal të tregojë të njëjtën vendosmëri dhe eficencë, në veçanti për sa i përket kompetencës së tyre për të mbledhur detyrimet fiskale.
Më tej, në takim zoti Whitemore vlerësoi bashkëpunimin shumë të ngushtë që Kongresi Evropian i Autoriteteve Lokale Rajonale ka me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e saj Basha, duke përshëndetur marrjen nga ana a tij të kryesimit të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
15/06/2012