Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė Asamblenė Parlamentare tė Kėshillit tė Europės
 

I nderuar zoti President i Asamblesë Parlamentare, Jean-Claude Mignon,

I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare,

Zonja dhe zotërinj,


Është një nder e kënaqësi e veçantë për mua të ndodhem sot, në Pallatin e Europës, për të adresuar këtë sesion të Asamblesë Parlamentare, duke përfaqësuar Presidencën e parë Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshilli të Europës.

 

Së pari, dëshiroj t’ju shpreh juve, zoti President Mignon, urimet më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj si anëtar të Asamblesë Kombëtare të Francës, për të vijuar drejtimin e suksesshëm të Asamblesë Parlamentare, si edhe falënderimet e mia më të përzemërta për pritjen e ngrohtë e miqësore që më rezervuat mua dhe delegacionit shqiptar, gjatë qëndrimit tonë në Strasbourg.

 

Dëshiroj me këtë rast të shpreh një falënderim të veçantë për Sekretarin e Përgjithshëm Jagland, për punën e shkëlqyer që ai po kryen në timonin drejtues të Këshillit të Europës dhe për reformat e rëndësishme që ai dhe ekipi i tij kanë ndërmarrë për shtytjen përpara të objektivave madhorë të kësaj organizate prestigjioze.

 

Zoti President,

 

Njëzet vjet më parë, më 6 maj të vitit 1992, në vizitën e parë jashtë vendit si President i parë i Shqipërisë së sapodalë nga diktatura më e egër që Europa kishte njohur pas luftës së dytë botërore, unë paraqita përpara kësaj Asambleje të nderuar, vullnetin e qeverisë e popullit tim për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Kjo ëndërr, të cilën shqiptarët e kishin mbrujtur për dekada të tëra, në maj të vitit 1995 do shndërrohej në realitet; Shqipëria do të anëtarësohej në Këshillin e Europës.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Në këtë aulë, unë ndihem si në shtëpi, sepse për vite me radhë, si lider i opozitës shqiptare kam pasur nderin, të dashur miq e kolegë, të ndaj me ju, si anëtar i kësaj Asambleje, çaste dhe veprimtari ndër më të bukurat e më të rëndësishmet e jetës sime politike.

 

Por sot është një moment i veçantë, historik për mua, kombin tim dhe Këshillin e Europës. Sot jam këtu si Kryeministër  i Shqipërisë, njërës prej demokracive më të reja të Europës, Kryetare e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Dhe për një koincidence po kaq simbolike, Shqipëria e merr këtë kryesi nga demokracia më e vjetër e Europes, Britania e Madhe. Unë gjej rastin të shpreh urimet më të përzemërta dhe vlerësimin më të lartë për suksesin e Presidencës britanike.

 

Këtë vit,  Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë së saj. 100 vjet më parë, të shumta ishin përpjekjet që shqiptarët të mos ekzistonin si nocion politik. Këto njëqind vite, ne, shqiptarët, kemi përjetuar copëtime të mëdha, pushtime të egra, spastrime etnike dhe diktatura oruelliane. Por sot festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, si një vend që kryeson Komitetin e Ministrave të tempullit më të vjetër të demokracisë europiane. Ky është diamanti në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tim.

 

Zoti e bekoftë Këshillin e Europës dhe vendet anëtare të tij!

 

Shqipëria kryeson sot Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, kur vetëm njëzet e dy vite më parë ishte vendi i lirive e të drejtave të ndaluara me Kushtetute dhe i ateizmit të imponuar. Sot, Shqipëria është vendi i lirive e të drejtave të garantuara me Kushtetute, i respektit të plotë të të drejtave njeriut e minoriteteve dhe i respektit e tolerancës të shkëlqyer ndërfetare.

 

Vendi  që përjetonte izolimin më të thellë, është sot anëtar i NATO-s dhe kontribuon në misionet e saj të paqes në Afganistan e më gjere. Shqiptarët lëvizin sot pa viza në Europe. Vendi që dy dekada më parë renditej pas Ugandës e Angolës si vendi më i varfër në bote, sot hyn në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria nuk është një vend i zhvilluar, por ka tregues të njëjtë me vendet e zhvilluara përsa i përket vdekshmërisë foshnjore, vdekshmërisë amtare e vdekshmërisë në tërësi, ashtu edhe për sa i përket aksesit në sistemin arsimor, atë shëndetësor dhe përdorimin e internetit.

 

Sipas regjistrimit të fundit, rezulton se shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin shtëpi banimi më pak se ç’kishte çdo komb tjetër në Europë në vitin 1980, gjatë dhjetë viteve që shkuan, kanë arritur në këtë aspekt, nivelin e vendeve të zhvilluara. Madje kanë tejkaluar 5 kombe anëtare të Bashkimit Europian dhe OECD-së.

 

Ekonomia shqiptare, ndonëse përballet me pasojat e krizës europiane e globale, ka ruajtur gjatë këtyre viteve të fundit një rritje të ndjeshme që në 5 vitet e fundit të marra së bashku arrin në rreth 22 përqind ose katër herë më e lartë sesa rritja mesatare e rajonit. Shqipëria po ndërton një nga infrastrukturat më moderne në rajon. Vitin e kaluar, vendi im mikpriti mbi 4 milionë turistë e vizitorë nga 300 mijë që kishte gjithsej në vitin 2004.

 

Shqipëria është e angazhuar në procesin e integrimit të saj në BE si projekti më i mirë për të ardhmen e saj e të qytetarëve shqiptarë. Ne e kemi konsideruar e do vijojmë ta konsiderojmë këtë si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë. Disa probleme të brendshme e ngadalësuan atë për ca kohë, por, më së fundi, këto probleme po marrin zgjidhjen e tyre dhe vendi do të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së. Këshilli i Europës, Presidenca e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës ka dhënë një kontribut të madh në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe unë jam shumë mirënjohës.

 

Ne kemi bërë një rrugë të gjatë dhe ende një rrugë e vështirë shtrihet para nesh. Por e vërteta është se kjo është një histori suksesi e lirisë!

 

Zoti president,

 

Në udhëtimin tonë të vështirë, por të suksesshëm në këto dy dekada, në ndërtimin e idealeve të lirisë në vendin tim, demokracisë e shtetit ligjor, shoqërisë së hapur, të respektimit të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, ne kemi gjithmonë pasur ndihmën shumë të çmuar të partnerit tonë të shkëlqyer, Këshillit të Europës dhe institucioneve të tij dhe unë shfrytëzoj rastin t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë.

 

Të nderuar anëtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,

 

Dëshiroj t’ju ripohoj se Presidenca Shqiptare e Komitetit të Ministrave është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar që në 6 muajt në vijim të punojë më përkushtim dhe në bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare, Asamblenë Parlamentare dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të promovuar edhe më tej vlerat dhe objektivat e organizatës sonë. Janë pikërisht vlerat e përbashkëta e universale të lirisë e të drejtave themelore të njeriut, demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut të lirë, të mbështetura nga aspirata për paqe, zhvillim e prosperitet e popujve tanë, janë lidhjet e forta që bashkojnë vendet e kombet tona, të pasura në tradita unike e të spikatura historike, kulturore, gjuhësore apo të besimit; ndaj edhe presidenca shqiptare ka zgjedhur moton domethënëse "Të bashkuar në diversitet".

 

Ne besojmë se tematika që do të diskutohet në vijim të këtij sesioni, "Demokracia në rrezik: roli i qytetarëve dhe i Shtetit sot", është shumë e gjetur e aktuale në këtë periudhë sfidash të mëdha të krizave ekonomike e financiare, por edhe sfidash të tjera, të cilat shoqërohen shpesh me shfaqje të tendencave populiste e ekstremiste apo edhe rishfaqjen e ndjenjave ksenofobie, racizmit dhe nacionalizmit. Ndaj edhe përshëndesim vendimin për të zbatuar disa prej rekomandimeve të rëndësishme të Raportit "Të jetojmë së bashku" – të harmonizojmë diversitetin dhe lirinë në shekullin e 21 ", si dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë të përbashkët për të adresuar sfidat, me të cilat po përballen sot demokracitë në Europë, për sa i përket respektimit të plotë të të drejtave të njeriut. Unë shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen time më të thellë dhe të presidencës shqiptare ndaj Grupit të Personave të Shquar për përkushtimin dhe profesionalizimin që ata kanë treguar në hartimin e këtij raporti. Me qëllim rritjen ndërgjegjësimin për çështjet e rëndësishme që ai shtron, Kryesia shqiptare do të organizoj një Konferencë të nivelit të lartë, ku do të diskutohet mbi:


• Diversitetin në Evropë, si një pasuri për të ardhmen;


• Promovimi i dialogut ndërkulturor - një detyrë për shoqërinë në tërësi, në Europë dhe më gjerë;


• Roli i arsimit dhe kontributi i të rinjve për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellët, tolerancës dhe integrimit më të mirë në shoqëri.


Qëllimi ynë është të arrijmë të institucionalizojmë në mënyrë sa më efikase vullnetin dhe përpjekjet tona të përbashkëta në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të paqes, sigurisë, demokracisë së qëndrueshme dhe lirive individuale e të drejtave të minoriteteve në rajonin tonë e më gjerë.

 

Në këtë kontekst, forcimi i dialogut dhe bashkëpunimi me vendet e Afrikës Veriore dhe Mesdheut, të përfshira në të ashtuquajtura “Pranvera arabe” është një tjetër fushë ku Presidenca shqiptare dhe vendi im synon të ofrojë kontributin e tyre modest. Ne mbështesim plotësisht aspiratat demokratike të këtyre vendeve dhe popujve. Ne besojmë se këto vende mund të gjejnë në përvojën e pasur të Këshillit të Europës, organizmave të tij modele realisht ndihmues në ndërmarrjen e tyre historike për më shumë demokraci e shtet ligjor dhe për shoqëri të hapura e të zhvilluara që respektojnë të drejtat e liritë themelore të individit dhe minoriteteve. Ndaj edhe vlerësojmë e mbështesim fuqishëm nismën e Sekretarit Jagland për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe demokratike në rajonet fqinje të Europës. Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët kyç, ne duhet të gjejmë mënyra të mirëmenduara e praktike bashkëpunimi, për të ndihmuar këto vende dhe besojmë se Këshilli i Europës i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme në këtë drejtim.

 

Unë jam i kënaqur të konstatoj se ky Sesion do të trajtojë raportin mbi tranzicionin politik në Tunizi, djepi i Pranverës Arabe. Ne, gjithashtu, përgëzojmë Sekretariatin e Këshillit të Evropës për përgatitjen e prioriteteve të Bashkëpunimit të Fqinjësisë 2012 - 2014, me Marokun dhe Tunizinë. Në veçanti, vlerësojmë rolin e Komisionit të Venecias, në ofrimin e këshillave për Kushtetutën e re të Tunizisë, si dhe në miratimin e legjislacionit për zbatimin kushtetutave në Marok dhe Tunizi. Këto reforma janë të nevojshme për të sjellë legjislacionin kombëtar të këtyre vendeve në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

 

Promovimi i dimensionit fetar të dialogut ndërkulturor është një element i rëndësishëm në Europën tonë demokratike. Qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Dialogun Ndërkulturor në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve dhe me mekanizmat përkatës implementues. Takimi vjetor 2012, mbi shkëmbimin e mendimeve rreth dimensionit fetar të Dialogut Ndërkulturor, do të jetë një kontribut i yni i mëtejshëm në këtë drejtim.

 

Ne,  jemi një komb i vogël, por mbartim një mesazh të madh, atë të tolerancës së shkëlqyer dhe respektit shembullor ndërfetar, traditë kjo shekullore e kombit tonë. Përmes prezantimit të kësaj tradite të çmuar të shoqërisë shqiptare, ne synojmë ndërgjegjësimin për stereotipet e paragjykimet mes besimeve fetare, të cilat shpesh keqpërdoren për qëllime indoktrinomi e nxitjeje të konflikteve.

 

Prioritete të tjera të Presidencës sonë do të fokusohen në promovimin e mëtejshëm të demokracive funksionale, përfshirë në nivel lokal dhe rajonal dhe shtetit të së drejtës në kontinent. Në vijim të traditës së mirë të kryesive të mëparshme, ne do të vijojmë me reformat politike të organizatës dhe të axhendës Interlaken/Izmir/Brighton për një sistem më efikas të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe veçanërisht lidhur me reduktimin e ngarkesës së Gjykatës.

 

Një tjetër prioritet i rëndësishëm i Presidencës sonë është promovimi i  dialogut të ngushtë me organizatat ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë Bashkimin Europian dhe mbështetjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

 

Presidenca shqiptare do t’i kushtojë një vend të veçantë rinisë dhe arsimimit të saj me  vlerat e Këshillit të Europës. Në këtë kontekst, një veprimtari e posaçme me fokus të rinjtë është parashikuar për përkujtimin e viktimave të Holokaustit dhe nderimin e atyre individë që vendosën jetën e tyre e të familjeve të tyre në rrezik, duke shpëtuar hebrenjtë. Siç e dini, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë, që i ruajti, i strehoi dhe i mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në periudhën e errët të Holokaustit. Numri i Hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte shumë herë më i lartë, se në fillim të saj.

 

Ju do të njiheni më shumë me këto prioritete edhe nga ekspozeja që Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Haxhinasto do të paraqesë nesër.

 

Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,

 

Pavarësisht luftëra shkatërruese e dramave të dhimbshme që ka përjetuar, gadishulli i Ballkanit po përjeton tashmë një kohë përpjekjesh të mëdha nga ana e popujve të vet, për të arritur një bashkëpunim më të ngushte me njëri-tjetrin, si në integrimin rajonal, ashtu edhe atë europian. Këto procese integrimi janë një forcë shtytëse për vendet tonë, në rrugën që ata kanë përpara.

 

Shqipëria mban marrëdhënie miqësore me të gjithë fqinjët e saj dhe vendet e tjera në rajon. Ne besojmë se respektimi i kufijve aktuale të vendeve të rajonit, bashkëpunimi e integrimi rajonal, konsolidimi i shtetit ligjor e institucioneve demokratike janë rruga më e sigurt e ndërtimit të së ardhmes europiane që kombet tona meritojnë.

 

Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet dialogun mes Republikës se Kosovës dhe Serbisë, ka përshëndetur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli mes të dy vendeve dhe e konsideron zbatimin e tyre si një faktor të rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet mes tyre, por edhe për rajonin në tërësi.

 

Republika e Kosovës është shndërruar sot në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Qeveria shqiptare përshëndet rolin dhe kontributin e EULEX dhe KFOR në këtë drejtim, në Kosove. Më 2 korrik 2012, komuniteti ndërkombëtar do të ndërpresë zyrtarisht procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj. Një sukses ky i padiskutueshëm i konsolidimit të institucioneve demokratike në këtë vend, shtetit ligjor dhe i respektimit të të drejtave të minoriteteve. Në të gjitha këto procese, Këshilli i Europës ka dhënë një ndihmë të pazëvendësueshme. Uroj dhe dëshiroj që ky bashkëpunim të konsolidohet edhe më tej, i cili do të sjellë si rezultat afrimin edhe më shumë të Republikës së Kosovës me Këshillin e Europës dhe në marrjen sa më shpejt të vendit që meriton me të drejtë brenda këtij institucioni të kombeve demokratike të Europës.

 

Ballkani është një ndër rajonet më të pasura në minoritete, ndaj zgjerimi dhe konsolidimi i të drejtave të tyre do vijojë të mbetet një përparësi për të gjithë vendet tona, si edhe një kusht sine qua non për paqe dhe stabilitet. Unë kam bindjen e plotë se përgjigjen më të mirë këto probleme e gjejnë në zbatimin e dokumenteve të Këshillit të Europës e konventave të këtij institucioni, për liritë e të drejtat e minoriteteve

 

Së fundi, do të doja t’ju ftoja nga zemra që të bashkëpunoni ngushtësisht këto muaj që vijnë, në mënyrë që të jetësojmë të gjitha këto përparësi. Ndërkohë që dua t’ju siguroj se Presidenca shqiptare e Komitetit të Ministrave është plotësisht e angazhuar të punojë fort për të nxitur vlerat e kësaj organizate prestigjoze, me qëllim për të konsoliduar më tej frymën demokratike dhe institucionet në shoqëritë tona dhe shtetin ligjor, duke rritur institucionet demokratike në nivel rajonal dhe lokal, ndërkohë që do të vijojnë reformat politike, të cilat kanë për synim një organizatë politike më efikase dhe një Gjykatë që garanton nivelin më të lartë të mbrojtjes të të drejtave të njeriut kudo në kontinent. Le të punojmë së bashku që ta kthejmë Presidencën e Shqipërisë në një histori suksesi për vendin tim dhe Këshillin e Europës.   

 

Faleminderit për vëmendjen.






25/06/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha pret shefen e Misionit tė ODIHR-it Conny McCormak dhe anėtarė tė tjerė tė misionit vėzhgues tė OSBE/ODIHR
Kryeministri Berisha pėrshėndet Konferencėn e Nivelit tė Lartė tė OSBE-sė mbi Tolerancėn dhe Mosdiskriminimin
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Vlorė
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
Kryeministri Sali Berisha pret kryetarėt e Bashkėsive Islame tė Ballkanit
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Korēė
Kryeministri Berisha nė inaugurimin e impiantit tė pėrpunimit tė ujėrave tė zeza nė Korēė: Infrastruktura ujore, me rėndėsi parėsore
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave