U organizua sot në Ministrinë e Drejtësisë takimi i 8-të i Komitetit Drejtues të PACA-s, Projekti për Antikorrupsionin në Shqipëri (anglisht: Project Against Corruption in Albania). Komiteti Drejtues i PACA-s bashkëdrejtohet nga Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo dhe nga Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Ambasadori Ettore Sequi.
Ministri Pollo i cili është gjithashtu dhe Kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për Strategjinë Ndërsektoriale te Parandalimit, Luftës Kundër Korrupsionit e Qeverisjes Transparente tha ndër të tjera në një deklaratë për mediat: “Në mbledhjen e ardhshme të Grupit Ndërministror të Punës për zbatimin e strategjisë antikorrupsion (të cilin unë drejtoj) pritet që të miratohet jo vetëm raporti i zbatimit të planit të vitit 2011, por edhe të diskutohet mundësia që plani 3-vjeçar për zbatimin e strategjisë antikorrupsion dhe ai për zbatim të rekomandimit 8, të shkrihen në një, duke evituar zbatimin dhe raportimin për dy plane paralele. Në grupin e aktiviteve më të rëndësishme, të parashikuara për realizim nga projekti PACA, mund të përmend: workshopin e parashikuar për heqjen e imuniteteve apo ngritjen e grupit të punës për harmonizimin e të dhënave statistikore dhe krijimin e të dhënave (solid track record) në lidhje me veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
“Projekti PACA, - kujtoi Ministri, - ka punuar gjithashtu në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, duke ndjekur zbatimin e rekomandimeve të nxjerra, si dhe ka ndjekur mbarëvajtjen e krijimit të website-it antikorrupsioni.gov.al.”
Në fund të fjalës së tij Ministri theksoi se “Qeveria shqiptare vazhdon të jetë gjithnjë e angazhuar në reduktimin e korrupsionit në vend, duke këmbëngulur në heqjen e barrierave që pengojnë hetimet e këtyre veprave, duke rritur transparencën nëpërmjet digjitalizimit të sistemeve dhe duke përfshirë gjithnjë e më shumë shoqërinë civile në nismat e saj në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.”
Ndërsa gjatë fjalës së tij Ambasadori Sequi tha ndër të tjera: “Projekti PACA, i themeluar nga Bashkimi Evropian dhe i financuar me 2.1 milionë Euro, po i afrohet përmbylljes së tij. Dhe deri në fund të përmbylljes së projektit në fund të këtij viti duhet të dyfishojmë përpjekjet për të ndërmarrë nisma të suksesshme në luftën kundër korrupsionit.
BE-ja ka asistuar gjithmonë Shqipërinë në këtë fushë dhe në këta 15 vitet e fundit afro 150 milionë euro janë akorduar nga taksapaguesit evropianë në kuadër të reformave në fushën e drejtësisë. Për të plotësuar kërkesat për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, duhen ndërmarrë nisma gjithpërfshirëse dhe bindëse për luftën kundër korrupsionit, si dhe duhet treguar që Shqipëria ka institucione të afta për të ushtruar qeverisje demokratike. Raport progresi i KE-së për Shqipërinë i vitit 2010 dhe ai i vitit 2011 ashtu si edhe raporte të tjera, jo vetëm të BE-së, kanë nënvizuar se korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem serioz. Është e nevojshme që të tregohet tolerancë zero, një vullnet i fortë politik për luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo mund të arrihet duke forcuar kapacitetet institucionale, duke rritur ndërgjegjësimin publik, duke siguruar burimet e duhura njerëzore dhe financiare për të implementuar me sukses strategjinë për antikorrupsion. Në të njëjtën kohë duhet të reduktohen mundësitë për vepra korruptive në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ne dëshirojmë të vazhdojmë punën së bashku për të ndryshuar perceptimin dhe realitetin e korrupsionit në Shqipëri. Dhe gjithashtu inkurajojmë vazhdimin e partneritetin me PACA-n dhe ndërmarrjen e nismave konkrete për zbatimin e strategjisë antikorrupsion dhe planit të ri të veprimit. Është e rëndësishme gjithashtu të ndërmerren masa për heqjen e imuniteteve, sipas praktikave më të mira, si një prioritet kyç për Shqipërinë në hapat që do të ndërmarrë drejt BE-së.”
Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i nisur që nga 1 shtatori 2009 dhe përmbyllet në fund të vitit 2012. Projekti zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Bashkimi Evropian (94%) dhe nga Këshilli i Evropës (6%). Objektivi i përgjithshëm i PACA-s është që të kontribuojë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës nëpërmjet parandalimit dhe kontrollit të korrupsionit.
Objektivat specifike të projektit janë:
1) - Të përmirësohet zbatimi i strategjive dhe politikave kundër korrupsionit të qeverisë shqiptare (Strategjia dhe Plan Veprimi Anti-korrupsion 2007-2013) në harmoni me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL-it dhe me angazhimet e Partneritetit Evropian.
2) - Të kontribuohet për parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit duke përmirësuar transparencën, llogaridhënie dhe pjesëmarrjen sociale në sistemin arsimor.
25/06/2012