Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Komiteti pėr 100 vjetorin e pavarėsisė miraton vendvendosjet e 5 veprave kushtuar kėsaj ngjarjeje
 

Komiteti për 100 vjetorin e pavarësisë, i mbledhur sot nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi vendvendosjet e 5 veprave, 2 monumente dhe 3 shtatore, kushtuar ngjarjeve madhore dhe figurave të rëndësishme historike, si dedikim për 100 vjetorin e pavarësisë.

 

·         Monumenti i Pavarësisë

 

Komitetit vendosi që Monumenti i Pavarësisë të vendoset tek Parku Rinia, me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë  së Mbrojtjes. Ky vend plotëson të gjitha parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit.

 

·         Shtatorja e Ahmet Zogut

 

Komiteti kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishihet. Ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje sheshpushimi në fund të Bulevardit Zogu I.

 

·         Shtatorja e Hasan Prishtinës

 

Komiteti miratoi si vendvendosje të shtatores në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “ Mine Peza” dhe Rrugës “Durrësit”.

 

·         Shtatorja e Ismail Qemalit

 

Komiteti kërkoi që shtatorja e Ismail Qemalit të rishihet dhe u miratua si vendvendosje sheshi në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit  “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”

 

·         Monumentit të Kongresit të Lushnjës

 

Komiteti propozoi si vendvendosje për Monumentit të Kongresit të Lushnjës sheshin në lulishten qendrore të qytetit. Komiteti la si detyrë që Ministri i Turizmit dhe Kulturës t’i përcjellë kryetarit të bashkisë së Lushnjës dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak propozimin e Komitetit dhe të diskutojnë për këtë vendvendosje. 

 

Kryeministri Berisha propozoi që filmi Besa, një dokumentar mbi virtytet morale, guximin dhe sakrificën e familjeve shqiptare për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe dokumentari i aktores me origjinë Eliza Dushku mbi promovimin e Shqipërisë turistike të përfshihen në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja e tyre edhe për publikun europian e më gjerë.

 

Gjithashtu, Kryeministri Berisha, duke vlerësuar edhe një herë si një akt guximi, por edhe nderimi për vendin, ngjitjen në majën Everest të grupit të alpinistëve shqiptarë, propozoi që edhe ky event të konsideroj në kuadër të aktiviteteve për 100 vjetorin dhe të mundësohej mbulimi nga qeveria, i shpenzimeve të bëra për realizimin e këtij misioni.  

 

Kryeministri Berisha foli në mbledhjen e Komitetit lidhur me aktivitetet e parashikuara në periudhën në vazhdim dhe bëri një rivlerësim të disa figurave historike të neglizhuara apo të lëna në harresë për arsye ideologjike.

 

“Zotërinj anëtarë të Komitetit për 100 vjetorin e pavarësisë,

 

Këtë mbledhje duhet të vendosim për një seri çështjesh të rëndësishme ët lidhura të gjitha me festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. 100 vjetor që koencidon gjithashtu me disa ngjarje të mëdha për Shqipërinë, ndër të cilat do të veçoja kryesimin e Komitetit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës. Kjo përbën një ngjarje historike për këtë vend e komb, që 100 vjet më parë parashikohej më shumë të mos ishte si nocion politik, sesa të ishte. Por ata që 100 vjet më parë ngritën flamurin në Vlorë e shpallën pavarësinë u provuan profetë gjenialë dhe kjo dëshmohet më mirë në këtë 100 vjetor, të cilin Shqipëria e kremton si vend anëtar i NATO-s, si vend që kryeson Komitetin e Ministrave të tempullit më të vjetër të demokracisë europiane, Këshillit të Europës. Në këtë kontekst, Shqipëria ka një axhendë që ka zgjuar një interes shumë të madh dhe që do të bazohet tërësisht në moton “Të bashkuar në diversitet” dhe në dialogun ndërkulturor e ndërfetar, ku mesazhi i këtij kombi është një mesazh i shkëlqyer, i çmuar dhe i vlefshëm për të gjitha kombet e tjera. Në këtë kuadër, do të organizohen një seri aktivitetesh ndër të cilat konferenca për dialogun ndërfetar është nga më të rëndësishmet.

 

Ju keni ndjekur në media që po në këtë kuadër u zhvillua konferenca e parë botërore në historinë e këtij vendi, e cila përfundon sot, e organizuar nga qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga shumë vende në të gjitha kontinentet, të angazhuar e të interesuar në një nismë që sot për sot është nisma kryesore e reformimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara: nisma Një-OKB. Shembulli i Shqipërisë, e cila u përzgjodh si një nga 8 vendet në botë si vend pilot, po bëhet një shembull frymëzues së bashku me vendet e tjera dhe sot vendet që kanë aderuar në këtë nismë janë katërfishuar dhe interesi i zgjerimit të saj është interes botëror. Unë shfrytëzoj rastin të falenderoj kryetaren e Grupit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar Helen Clark, Administratore e Përgjithshme e PNUD-it dhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë konferencë dhe kontribuuan në suksesin e saj.

 

Në kuadër të 100 vjetorit janë parashikuar dhe janë zhvilluar një seri veprimtarish. Është bërë një punë intensive në mënyrë që ta festojmë në mënyrën më dinjitoze dhe t’i përdorim fondet në mënyrën më eficente. Unë mendoj se duhet të përpiqemi t’i uniformojmë veprimtaritë. Sigurisht do të zhvillojmë veprimtari të shumëllojta, sepse kemi potenciale dhe pasuri për të  paraqitur, por gjykoj se duhet të jemi më racionalë e të bëjmë gjithçka që me fondet e angazhuara të arrijmë të kemi impaktin më të madh.

 

Ndërkohë janë të listuara një numër i madh aktivitetesh të parashikuara në kryeqytetet e vendeve të ndryshme në Europë e botë. Sigurisht, aty ku kemi përfaqësi, ne do të kremtojmë 100 vjetorin dhe do të përpiqemi që ky festim të ketë impaktin më të madh. Ne do të donim që në çdo kryeqytet të mund të organizonim veprimtaritë më të mëdha, por sërish duhet të përzgjedhim ato veprimtari që do të kishin impaktin më të fuqishëm.

 

Unë pata një eksperiencë të shkëlqyer e shumë të veçantë do të thosha në jetën time, aktiviteti që u zhvillua në muzeun e Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi Besa, që u shfaq  në variantin përfundimtar, është një film dokumentar i arritur edhe artistikisht dhe mendoj se përbën një dokument të pazëvendësueshëm për të paraqitur këtë komb: moralin, virtytin e mesazhin e tij. Ndaj do të sugjeroj që në të gjitha veprimtaritë në kryeqytetet e mëdha të mund të paraqitemi me këtë film. Të bëhen përpjekje sëbashku me prodhuesit e tij që filmi të transmetohet ndoshta jo në rrjetet më të mëdha, por rrjetet e profilizuara në këtë drejtim si history channel apo rrjete të tjera.

 

Zoti ministër i Turizmit dhe Kulturës, artistja e njohur amerikano-shqiptare Eliza Dushku ka gjithashtu një dokumentar të shkurtër, të shkëlqyer për Shqipërinë. Në kuadrin e promovimit të Shqipërisë turistike, ne duhet të bëjmë gjithçka e të shqyrtojmë mundësitë e shfrytëzimit të këtij dokumentari, natyrisht, kundrejt të gjitha rregullave të pronësisë që ekzistojnë. Eliza Dushku është një artiste me sens të lartë dashurie për Shqipërinë dhe nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi indiferentë.

 

Një vit më parë, një grup alpinistësh, pasi u ngjitën në Kilimanxharo, u pritën nga unë në zyrën time. Ata bënë një premtim solemn se në 100 vjetorin e pavarësisë do të bënin që flamuri shqiptar të valëvitej në majën e Everestit dhe në datën 25 maj, ekipi i udhëhequr nga Gjergji Bojaxhi dhe i përbërë nga Xhim Begeja, Fatjon Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rrudho dhe më i riu i tyre, i biri i Xhim Begesë, Mateo 17 vjeçar u ngjitën në majën më të lartë të planetit, në lartësinë mbi 8840 metra dhe vendosën e valëvitën aty flamurin kombëtar. Kurrë në historinë e kombit, flamuri ynë nuk është ngjitur në këtë lartësi. Sipas arkivave, në vitin ’71, kozmonauti amerikan Allen Shepard e ngjiti flamurin shqiptar në hënë. Në një traditë të astronautëve amerikanë që kanë ngjitur flamujt e kombeve në shenjë respekti ndaj tyre, kanë marrë në udhëtimet e tyre, flamuj në anije. Dokumentet janë në Arkivin e Shtetit dhe në Muzeun Kombëtar. Por ajo ishte një ngjitje kozmike dhe ne duhet të shprehim nderimin tonë më të madh për ata që e bënë. Allen Shepard nuk jeton më. Shqiptarët e shpallën atë menjëherë shqiptar, por ai nuk rezulton i tillë apo dokumente të qarta që të kishte origjinë shqiptare. Origjinë shqiptare ka Willliam Gregory, astronaut amerikan, i cili e pohon në të gjithë biografitë e tij se është nga Dardha e Korçës dhe ka qenë ndër astronautët më të mirë në grupin e astronautëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa për Shepard, i cili ishte nënadmiral e më vonë admiral, nuk ka të dhëna, pavarësisht nga legjendat që duan ta paraqesin me prejardhje shqiptare, por ai bëri një gjest të madh miqësor ndaj shqiptarëve, sipas dokumenteve të besueshme plotësisht e që ekzistojnë në arkivin e Shtetit dhe në Muzeun Kombëtar.

 

Zoti ministër, ekspedita e alpinistëve shqiptarë në Everest ka dy specifika. Së pari është nga më të rrallat, në mos i vetmi rast që i gjithë ekipi arrin në destinacionin e caktuar. Së dyti, është ndofta i vetmi ose i dyti rast në historinë e ngjitjeve në majën e Everestit, ku sëbashku ngjiten babë e bir. Edhe ky është një heroizëm, sepse duhet ta kemi të qartë se ajo është një ndër ngjitjet më të rrezikshme dhe ka një shkallë të lartë fatkeqësish, të lidhura në radhë të parë, me ortekët, por edhe me kushte të tjera të rrallimit të oksigjenit dhe të të ftohtit të jashtëzakonshëm, çka shkakton viktima dhe përqindja e tyre është e konsiderueshme. Por Mateo nuk ia nda të atit, madje arriti të bindë edhe nënën e tij, pasi e kuptoni sesa do të donte ajo që i biri të ndërmerrte atë mision. Mateo kishte edhe pothuaj dy bashkëmoshatarët e tij, Erlinin dhe Gertin, përkatësisht 20 e 22 vjeç.

 

Natyrisht, qeveria bëri një mbështetje fillestare, Raiffaissen Bank dhe Vodafonë i ka ndihmuar, por këta janë kampionë. Ndaj të gjithë shpenzimet e që kanë përballuar jo pak, do të jenë në kuadër të festimit të 100 vjetorit, sepse i kanë bërë vendit një nder të madh. Të mos harrojmë se nuk janë as 30 vendet, ekipet e të cilëve janë ngjitur në Everest. Dhe ata e bënë për 100 vjetorin. Ata ndërmorën këtë udhëtim, duke shënuar gjithashtu një rekord në historinë e sportit shqiptar, në historinë e ngjitjeve, duke u shndërruar në frymëzim të madh për të gjithë të rinjtë, për të zhvilluar më shumë alpinizmin në këtë vend malor, por edhe për të nxitur më shumë turizmin malor. Në këtë kuadër, zoti ministër, ata do të shpërblehen sipas vendime që ekzistojnë dhe për shpenzimet e tjera do të uleni sëbashku me shoqatën e do të sillni ato që janë për t’u mbuluar nga qeveria. 

 

U ndala në këto evente, ndonëse mediat i paraqitën, por sërish dua të theksoj se ngjitja në majën më të lartë të planetit përbën një akt guximi, burrërie, force shpirtërore dhe fizike shumë të veçantë.

 

Zonja anëtare dhe zotërinj anëtarë të Komitetit,

 

Siç jeni informuar ka përfunduar monumenti për 100 vjetorin e pavarësisë dhe janë propozuar dy vende, por vendin përfundimtar do ta vendosim sot. Njëri është tek Parku Rinia dhe tjetri është midis Bankës së Shqipërisë dhe Teatrit të Kukullave. Në fakt, duhet të mendojmë për një Teatër Kukullash diku në qendër, pasi do të ishte mirë që atë sallë, e cila është salla e parë e parlamentit të vendit, ta rindërtonin e t’ia kthenim bashkisë së Tiranës për parlamentin e Tiranës. Kjo bashki e ka sallën e vet të parlamentit për kryetarin e këshilltarët, ndërsa qytetarët nuk mund të ulen kund aty, për shkak të vogëlsisë së saj. Si kudo, ashtu siç është parlamenti i vendit, edhe parlamentet e kryeqytetit kanë lozhat dhe vendin e përcaktuar për qytetarët, për të ndjekur mbledhjet e Këshillit. Kjo kërkon që në elementet e qendrës të mund të gjejmë një vend për Teatrin e Kukullave, pasi edhe ky Teatër ndiqet me kënaqësi nga fëmijët e nuk mund t’i privojmë fëmijët prej tij. Por kjo do të bëhet, pasi të gjendet se ku mund të ndërtojmë a blejmë një Teatër Kukullash të ri, të përshtatshëm për fëmijët.

 

Monumenti i Kongresit të Lushnjës është një monument i shkëlqyer. Zoti ministër duhet të uleni me kryetarin e bashkisë së Lushnjës, kryetarin e Këshillit Bashkiak  e të negocioni me ta. Monumenti është shumë i bukur dhe do të doja t’ju sugjeroja që sheshi qendror i qytetit ta kishte këtë monument. Në qendër është një monument, për të cilin unë nuk kam qortime, por ka pasur një djallëzi të madhe me vendosjen e tij atje. Monumenti i kallinjve të grurit, për të cilin nuk mund të ketë objeksion, pasi edhe gruri, edhe punonjësit e tokës, edhe fermerët meritojnë nderimin më të madh, por e vërteta është se ai monument u vendos aty vetëm për të errësuar Kongresin e Lushnjës. Një ngjarje kjo që de facto është shpallja e dytë apo materializimi, jetësimi i pavarësisë së Shqipërisë, i kësaj Shqipërie që kemi sot. Deri atëherë flamuri ishte shpallur, por përpjekjet ishin të jashtëzakonshme për ta shuar Shqipërinë dhe faktikisht, ajo nuk ekzistonte në territorin e saj.

 

Meqenëse si Këshilli i Shtetit, ashtu edhe qeveria ishin armiq për Enver Hoxhën ai bëri gjithçka që këtë ngjarje të madhe ta vinte në harresën e historisë, ndaj vuri në sheshin qendror të këtij qyteti monumentin e kallirit të grurit, në një kohë kur Kongresi u mblodh aty, si akt e dëshmi, përveç të tjerash, e guximit, trimërisë së qytetarëve të Lushnjës, të familjeve lushnjare që morën përsipër të mbrojnë e garantojnë zhvillimin e Kongresit. Kjo nuk ka qenë rastësore dhe ky Kongres nuk u mblodh në ndonjë qytet të tjetër, por pasi aty kishte garanci më të plotë.

 

Ata burra të shquar u mblodhën dhe i hodhën poshtë me vendimet e tyre këto qëllime ndaj Shqipërisë dhe unë të përgëzoj zoti Plasari se diku e keni quajtur mrekullia shqiptare dhe është absolutisht mrekullia shqiptare. Të vjen keq që shqiptarët nuk e njohin kaq mirë këtë ngjarje që përbën realisht një mrekulli shqiptare. Por diktatori mori dhe e vuri kallinjtë e grurit dhe bëri gjithçka që kjo ngjarje të mbetej sa më në harresë. Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë se po ky diktator pati nisur sulmin edhe ndaj Ismail Qemalit, kur deklaroi për pavarësinë e Shqipërisë: një grup bejlerësh për interesa të tyre tundën flamurin në Vlorë. Por mbrapa diktatori nuk arriti kurrë ta mbrojë më këtë tezë kryekëput antikombëtare dhe kjo vetëm e vetëm se ai ishte Ismail Bej Vlora. Më pas u bë gjithçka që të mos quhej Ismail Bej, iu ndërrua madje edhe ditëlindja, pasi i binte më 16 tetor dhe ia ‘degdisën’ atë, në një muaj tjetër.

 

Ndaj unë mendoj që të diskutohet me autoritetet vendore. Ngjarja më e spikatur në historinë kombëtare, pas pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, është Kongresi i Lushnjës, ndaj uroj dhe dëshiroj që ata t’i japin vendin q meriton.

 

Sot do të miratojmë edhe vendosjen e shtatores së Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe të babait të pavarësisë Ismail Qemalit. Natyrisht, sëbashku me bashkinë e Tiranës janë bërë diskutimet për vendvendosjet e tyre. Mendoj që në këtë kuadër duhet që edhe në rrethe, figurat që firmosën aktin e pavarësisë, figura të tjera që janë vendosur në harresën e historisë për qëllime ideologjike të vazhdojnë të dalin në piedestalin që meritojnë.  Nuk mund të mos vendoset në piedestalin e tij Abaz Kupi. Ajo që është goditur në mënyrën më të vendosur është linja mbretërore. Por pas Skënderbeut, në atë rreth e në atë zonë, burrë më të shquar se Abaz Kupi nuk ka pasur. Një luftëtar i lirisë, njeriu që më 7 prill bëri detyrën, luftoi gjatë gjithë luftës e bëri gjithçka për një frymë bashkimi, por nuk ra kurrë në shërbim të Miladinit e Dushanit. I tillë është edhe Muharrem Bajraktari. Sigurisht këto do të jenë në konsultë me historianët. Nuk ka dyshim se Kryezinjtë luftuan në Luftën e Dytë Botërore me flamur kombëtar. Historianët duhet të merren me trajtimin e disa figurave, të cilat kanë kontribut të madh në historinë kombëtare. Të marrim Bahri Omarin, një nga atdhetarët më të flaktë të kësaj toke, një nga themeluesit e organizatave patriotike të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një  njeri që një pjesë të madhe të pasurisë së tij do ta vinte në shërbim të luftës. Por pse pranoi të jetë tre muaj ministër dhe nuk them se bëri mirë, absolutisht vepra e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët është dhjetëra herë më e pakrahasueshme me gabimin që ka bërë. Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që figurat t’i vendosim në piedestalin që meritojnë. Nuk mund të trajtohen gjërat vetëm bardhë e zi. Unë mora Bahri Omarin, por ka edhe shumë të tjerë.

 

Ndaj duhet të bëjmë çdo gjë që në këtë 100 vjetor të çlirohen nga balta e pamerituar që është hedhur mbi ta, si një akt ky, qytetar, por edhe si detyrim madhor atdhetar ndaj tyre. Asnjë nga këto figura nuk ka qenë e zhdërvjelltë në të gjithë veprimtarinë e vet. Qoftë edhe një i vetëm. Sepse kështu ishte koha. Këta ishin burra e gra që përballeshin me fuqitë më të mëdha koloniale të kohës kundër, por pa kontributin e tyre, ne nuk do të ishim kurrë këtu, ku jemi. Ndaj është e domosdoshme një vështrim më gjakftohtë, më i ndershëm e i qytetëruar i historisë sonë kombëtare.”


29/06/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
Kryeministri Sali Berisha pret kryetarėt e Bashkėsive Islame tė Ballkanit
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Korēė
Kryeministri Berisha nė inaugurimin e impiantit tė pėrpunimit tė ujėrave tė zeza nė Korēė: Infrastruktura ujore, me rėndėsi parėsore
Kryeministri Berisha: Arsimi profesional njė zgjedhje e menēur pėr tė ndėrtuar tė ardhmen
Kryeministri Berisha: Sektori i akuakulturės do tė pėrfitojė nga lehtėsitė fiskale tė njėjta si fermerėt
Qeveria miraton vendimin pėr rimbursimin e TVSH-sė pėr fermerėt. Kryeministri njofton uljen e TVSH-sė pėr industrinė turistike
Qeveria miraton truallin pėr ndėrtimin e banesave pėr tė pastrehėt e sistemuar nė godinat e Institutit Bujqėsor dhe ish Institutit tė Kėrkimeve Biologjike
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave