Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite në ceremoninë e promovimit të librit “Zemra e Patriotit- si gjeta kurajë t’i mbijetoj Vietnamit”, kushtuar jetës së heroit amerikan Max Cleland, në 70 vjetorin e lindjes së tij. Kjo ceremoni, që përkon edhe me 236 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Shtëpinë Botuese ”55”.
Të pranishëm në këtë promovim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, Ministri I Mbrojtjes Arben Imami, Kryetari I Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, Drejtori i Shtëpisë Botuese “55” Fahri Balliu, personalitete të tjerë të fushës së politikës, diplomacisë, kulturës e atë ushtarake.
Kryeministri Berisha vlerësoi botimin e këtij libri në shqip, si një mundësi për të nderuar 236 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve në 70 vjetorin e njërit prej bijve më të shquar të këtij kombi, Max Cleland. Kryeministri tha se nuk ka asnjë komb të vetëm që gjatë 236 viteve të ketë bërë më shumë për liritë e të tjerëve, për liritë e botës, sesa kombi amerikan dhe kjo, është e rrezatuar në të katër anët e planetit.
Kryeministri Berisha theksoi se libri i Max Cleland është libri i kurajës që, në fushë betejat e Vietnamit do të shndërrohej në forcën kryesore të këtij heroi. “Ky është libri i një ushtari, i një qytetari, është libri i një senatori, por në të gjitha planet, ky libër është një himn i kurajës njerëzore”, u shpreh Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot, për kombin e madh amerikan, është një ditë e madhe, është ditëlindja e tij. 236 vjet më parë, etërit e këtij kombi shpallën deklaratën e pavarësisë. Këto 236 vjet, në kohëra të ndryshme, ka pasur kombe më të fuqishme, më të pasura sesa kobi amerikan, por nuk ka asnjë komb të vetëm që gjatë 236 viteve të ketë bërë më shumë për liritë e të tjerëve, për liritë e botës, sesa kombi amerikan. Kjo është e rrezatuar në të katër anët e planetit. Asnjë komb nuk ka derdhur gjak për liritë e të tjerëve më shumë se ky komb i madh.
Kjo ditë, 4 korriku, është një ditë e madhe jo vetëm për kombin amerikan, por edhe për miqtë e tij të lirisë në mbarë botën. Për ne shqiptarët, kjo është një ditë gjithashtu shumë e veçantë, në 100 vjetorin e pavarësisë sonë, një histori ndër më të vështirat, ndër më të dhimbshmet. Ne, në më shumë se një rast, jemi vendosur para alternativës “të jemi apo të mos jemi” dhe ia kemi dale, kemi fituar, sepse në momentet më kritike kemi pasur mbështetjen më të fuqishme të kombit të madh të lirisë, kombit amerikan.
Ndaj shfrytëzoj këtë rast për t’u përcjellë edhe njëherë, juve z. Ambasador, qeverisë suaj, Presidentit Barack Obama, ekipit tuaj në Shqipëri, urimet më të përzemërta në këtë ditë të madhe për ju dhe miqtë tuaj në mbarë botën.
Një falënderim të veçantë kam për Drejtorin e Shtëpisë Botuese “55”, shkrimtarin dhe publicistin Fahri Balliu, që na dha mundësinë të nderojmë këtë ditë, në 70 vjetorin e njërit prej bijve më të shquar të këtij kombi, Max Cleland, duke botuar librin e tij të shkruar së bashku me Reed. Ky është libri i një ushtari, i një qytetari, është libri i një senatori, por në të gjitha planet, ky libër është një himn i kurajës njerëzore. Ata që kanë lexuar ditare ushtarësh në fushë beteja, ditare që nuk mbyllen në rreshtin e fundit, sepse plumbi u merrte jetën, do të gjejnë te ky libër një sintezë të jashtëzakonshme të atyre qindra, mijëra e miliona ushtarëve që ranë në fushë beteja.
Libri i Max Cleland është libri i kurajës, një kurajo e cila mesa duket, në fushë betejat e Vietnamit do të shndërrohej edhe në forcën kryesore të tij. Ushtari, në front, në fushëbetejë, takon shokët e vet, njihet me kundërshtarët e tij, me armiqtë e tij, por shumë shpejt, në krah të tij, në vend të nënës, të bashkëshortes, të motrës, të vëllait, ai ka vdekjen, e cila e fton në zonën më të vështirë. Një poet i shquar thotë se ushtarit, vdekja i pëshpërit gjithnjë një frazë në vesh: “Ti je i gjallë, por nuk jeton”. Këtë frazë Cleland e dëgjoi me mijëra herë, por ai, me një kurajë mbinjerëzore, fitoi mbi të, në fushëbetejat e Vietnamit, fitoi mbi të në pavionet dhe sallat e kirurgjisë, fitoi mbi të dhe u shndërrua në një simbol frymëzimi për kombin e madh amerikan, një simbol frymëzimi për njerëzit e lirë në mbarë botën.
“Zemra e Patriotit”; Libri mund të kishte shumë tituj, por titull më i vërtetë për jetën e Max Cleland është “Zemra e Patriotit”, sepse njeriu jeton në një univers interesash, të vogla, të mëdha, vetjake, jo vetjake, të shumëllojshme, por midis tyre njëri është interesi i të gjithë interesave, njëri përbën motivin më të madh të jetës së një njeriu, njëri përbën burimin më të fuqishëm të forcës së tij, njëri përbën burimin e mençurisë së tij në vendime. Ky është interesi kombëtar, ky është interesi publik dhe ky interes e bën Max Cleland të jetojë dhe të shërojë pasojat e tmerrshme të stresit post - traumatik, dramat e mëdha që përjetoi gjatë periudhës së rehabilitimit, humbjet në zgjedhje. Por, në çdo rast, yll polar mbeti interesi i vendit të tij, i kombit të tij. Kjo është frymëzuese për çdo shqiptar, sepse këtë vend, në ato vështirësi të jashtëzakonshme, ndër më të mëdhatë që një komb mund të ketë përjetuar ndonjëherë gjatë një shekulli, e kanë bërë patriotët, të paktë a të shumtë në numër, të shkolluar apo të pashkolluar, të pasur a të varfër, janë ata të cilët ne u detyrojmë sot Shqipërinë në 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Në këtë aspekt, Max Cleland mishëron në vetvete, jo vetëm patriotizmin e kombit të tij, por patriotizmin e çdo qytetari që lufton dhe i beson vendit të tij. Faleminderit.
04/07/2012