Gjatë qëndrimit në Dubrovnik, Kryeministri Berisha zhvilloi dje në mesditë një takim me ministren e Çështjeve Evropiane të Irlandës, znj. Lucinda Creighton.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me ministren Creighton dhe shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë Kryeministrit të Irlandës, Enda Kenny, përshëndetjet më të përzemërta dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, gjatë këtij viti festimesh të jubileut të madh të 100 vjetorit të ngjarjes historike të Pavarësisë së Shqipërisë.
Znj. Creighton, pasi i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë e veçantë që takoheshin në Dubrovnik, e uroi atë për suksesin e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke vlerësuar punën e mirë që kryesia shqiptare po bën gjatë kësaj periudhe.
"Irlanda do ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet dhe reformat për të ecur përpara me shpejtësi, në rrugën e integrimit dhe hapat e mëtejshëm të tij, siç është edhe statusi i vendit kandidat", theksoi ministrja Creighton. Në këtë kontekst, ajo e siguroi Kryeministrin Berisha se Irlanda pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtësisht me Shqipërinë, edhe gjatë periudhës kur Irlanda do të marrë presidencën e radhës së BE-së.
Më tej, gjatë bisedës, Kryeministri Berisha e njohu znj.Creighton me arritjet e rëndësishme në fushën e ekonomisë, sektorin energjetik, thithjen e investimeve të huaja, në sektorin e arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, etj. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze edhe të punës intensive për përmbushjen e rekomandimeve të fundit të listës prej 12 rekomandime të Komisionit Evropian, duke theksuar se për qeverinë shqiptare, ky proces, i cili mbështetet nga mbi 96 për qind e shqiptarëve, është dhe mbetet një proces që duhet bazuar tërësisht në performancë. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu ministren Creighton me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën e rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve, etj.
Nga ana e saj, Ministrja e Çështjeve Evropiane të Irlandës, znj. Lucinda Creighton, vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare, gjatë gjithë kësaj periudhe, në reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit evropian e më gjerë.
Ministrja Creighton shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të vendit të saj për të gjitha këto arritje dhe për të gjitha përpjekjet e mëtejshme për të ecur përpara në hapat e mëtejshëm për anëtarësim të plotë në BE.
Në takim, u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të bashkëpunuar edhe më gjerë, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
08/07/2012