Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministren e Shtetit te Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, znj. Preenet Kaur.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë vizitë si një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, që do të sjellë një inkurajim të ri, të madh, për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Zonja Preenet Kaur e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Indisë z.Manmohan Sing. Ministrja Preenet Kaur i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet më të mëdha, personale të saj dhe të vendit që përfaqëson, për arritjet e rëndësishme në të gjitha reformat e gjithanshme që qeveria shqiptare ka kryer gjatë kësaj periudhe. Një urim të veçantë, zonja Preenet Kaur i shprehu Kryeministrit Berisha me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar veçanërisht transformimin rrënjësor që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe dhe hapat e rëndësishëm përpara për sa i përket integrimit evropian.
Më tej, gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis të dy qeverive dhe vendeve, të bazuara mbi ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë që të dy vendet ndajnë.
Në takim, u rikonfirmua vendosmëria dhe angazhimi i të dy qeverive për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti në shkëmbimet ekonomike-tregtare, thithjen e investitorëve të rëndësishëm indianë për të investuar në Shqipëri, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe high tech, në fushën e turizmit, prodhimit të energjisë hidrike e të rinovueshme, në sektorin mineral, etj.
Gjatë bisedës, u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi shumë i mirë midis të dy vendeve në arenën ndërkombëtare. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar Indisë mike, si një vend i madh demokratik, për të konsideruar me seriozitet dosjen e Kosovës, duke theksuar se njohja e plotë e shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, nga të gjitha vendet e lira, i shërben konsolidimit të mëtejshëm të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë përshëndetjet e përzemërta Kryeministrit të Indisë, z. Manmohan Sing, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë në çdo kohë të përshtatshme për të
09/07/2012