Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha nė Bordin e AIDA: Beteja mė tė rėndėsishme sot, thithja e investimeve tė huaja
 

Kryeministri Berisha thirri sot, në kryeministri, takimin e Bordit të Agjencisë për Investime dhe Zhvillim (AIDA), për të bërë një paraqitje të punës së Agjencisë për tërheqjen e investimeve të huaja. 

 

Bordi i AIDA-s diskutoi mbi planin e marketingut dhe aktiviteteve të Agjencisë, duke bërë një analizë të detajuar të sektorëve që duhet të promovohen, duke parë trendet e investimeve të huaja direkte. Plani do të mbështetet edhe nga fushata publicitare.

 

Bordi shqyrtoi edhe rregulloren për fondin e inovacionit. Fondi prej 400 milionë lekë, i miratuar nga qeveria shqiptare, synon të mbështesë me një skemë granti kompanitë shqiptare për zbatimin e hallkës së parë të strategjisë së inovacionit për ndërmarrjet e vogla e të mesme, që është auditimi i nevojave për përmirësimin e teknologjisë, të proceseve dhe sistemeve që ato zbatojnë.

 

Bordi miratoi edhe propozimet për emërimin e Drejtorit të Departamentit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme dhe Eksporteve dhe Drejtorin e Departamentit të Marketingut dhe Operacioneve në këtë Agjenci.

 

Në hapje të takimit dhe në prani të medias, Kryeministri Berisha bëri të njohur dy raportet e fundit për zhvillimet ekonomike dhe investimet në Shqipëri: raportin e UNCTAD dhe të Komisionit Europian. Duke iu referuar të dhënave të raportit të UNCTAD-it, konstatohet se investimet e huaja direkte në Shqipëri, në tremujorin e parë të viti 2012 u rritën 2 herë, krahasuar me tremujorin e parë të viti 2011. UNCTAD konstaton se investimet e huaja në Shqipëri, vitin e kaluar kanë qenë 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Kryeministri theksoi se synimi është rritja e investimeve të huaja në 2 miliardë dollarë. “Nuk ka betejë më të rëndësishme sot, - tha Kryeministri - se beteja për thithjen e investimeve të huaja.”

 

Lajme pozitive për ekonominë shqiptare vijnë edhe nga raporti i Komisionit Europian. Në raportin e KE-së, - theksoi Kryeministri, - ndërsa jepet lajmi i hidhur se ekonomitë në Ballkan janë në recesion, konstatohet se ekonomia në Shqipëri e Kosovë ka ngadalësim, por nuk ka recesion.

 

Raporti UNCTAD konstaton gjithashtu se niveli i papunësisë në Shqipëri pati tendenca të lehta uljeje dhe se rritja e investimeve në Shqipëri është shoqëruar me rritje punësimi nga viti në vit dhe ulje të papunësisë. Një rezultat ky, - theksoi Kryeministri, - që konstatohet edhe në raportin e Komisionit Europian, i cili njofton se kushtet e tregut të punës [në Ballkan] u përkeqësuan në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, me përjashtim të Shqipërisë, ku tregu i punës e punësimi janë stabilizuar, ndërsa në vendet e tjera, rritja e punësimit mbetet negative.

 

Duke theksuar faktin se të dhënat e raporteve të mësipërme korrespondojnë me të dhënat e institucioneve shqiptare, Kryeministri Berisha e konsideroi këtë si një përgjigje ndaj “grupeve hiperksenike që kanë tendencë të nxijnë çdo të dhënë nga vendi.”.

 

Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha theksoi rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit si përgjigja më e mirë ndaj krizës ekonomike dhe financiare në Europë e më gjerë. Ndaj Kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka për të mbështetur e nxitur shtimin e investimeve të huaja, rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike të vendit.

 

Konkretisht, lidhur me këto dy raporte dhe prioritet e AIDA-s, Kryeministri Berisha u shpreh:

 

“Në këtë mbledhje të Bordit të AIDA-s do të diskutojmë fushat prioritare të promovimit nga kjo Agjenci, për të miratuar emërimin e dy drejtorëve në këtë Agjenci dhe në mënyrë përfundimtare për të vendosur për Gosën, pasi diskutimet kanë sjellë si variant përfundimtar aplikimin e praktikës së koncesionit në këtë resort turistik, që shkon rreth 1.6 miliardë euro.

 

Por fillimisht, desha të ndalem në dy raporte, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe investimet e huaja.

 

Raporti i fundit i UNCTAD njofton se investimet e huaja në Shqipëri, vitin e kaluar kanë qenë 1 miliardë e 30 milionë dollarë.

 

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me performancë shumë të mirë përsa i përket treguesit të tërheqjes. Pikërisht, në këtë kapacitet, pra, tërheqjen, ajo qëndron më lart, sesa në raporte të tjera dhe kjo i detyrohet praktikave liberale në ekonomi, regjimit të saj fiskal, sistemit të taksave të ulëta. Shqipëria renditet mirë edhe përsa i përket treguesit të potencialit, ku është krahas disa vendeve që janë me ngjitje. Veçanërisht dihet që vendi është i pasur në burime natyrore. Në raport thuhet se vendet me indeks potencialiteti të lartë janë vende të vogla, ku efekti i investimeve direkte të huaja është i madh. Këto vende ofrojnë avantazhe si sistem taksash të ulëta, pozicion gjeografik, të cilin Shqipëria  e ka ndër më të shkëlqyerit, mundësi hyrjeje nga porte e rrugë të ndryshme, që janë tipike për Shqipërinë. Rezulton se në tërheqjen e investimeve të huaja dy janë faktorët më kryesorë: rregullat liberale dhe sistemi fiskal, pozicioni gjeografik dhe burimet natyrore.

 

Po në këtë raport theksohet se në Europën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, investimet e huaja direkte dominuan kryesisht në fushën e prodhimit çka përbën një zhvillim shumë pozitiv, në rast se kemi parasysh se është kjo fushë që punëson më shumë se fushat e tjera. Natyrisht, në kohën e sotme dhe në kushtet e një krize globale nuk ka diskutim se problemi më madhor për çdo shoqëri mbetet punësimi.

 

Qëllimi më i rëndësishëm i veprimtarisë ekonomike dhe investimeve është punësimi. Sipas këtij raporti, në Shqipëri, niveli i papunësisë jo vetëm nuk u rrit, por pati tendenca të lehta uljeje. Ndër faktorët që mbajtën nivelet e punësimit të kënaqshëm, me tendencë rritjeje të punësimit janë rritja e vazhdueshme e investimeve të huaja, përmirësimi i strukturës së këtyre investimeve dhe rritja e investimeve kryesisht në fushën e prodhimit. Pra, raporti konstaton se rritja e investimeve në Shqipëri është shoqëruar me rritje punësimi nga viti në vit dhe ulje të papunësisë. Kjo nuk është më një shifër vetëm e institucioneve të vendit, por edhe e institucioneve më serioze ndërkombëtare, sepse ka ksenofobi, por ka edhe hiperkseni. Kjo e fundit është nënshtrimi, idhullizimi, fetishizimi i gjithçkaje jo kombëtare. Ndaj edhe detyrohem t’i theksoj këto të dhëna, të cilat korrespondojnë plotësisht me ato të institucioneve tona. Raporti konstaton e Shqipëria ka rritje të investimeve direkte të huaja jo vetëm në fushën e investimeve kapitale intensiv si në miniera e energji, por edhe në ato me fuqi punëtore intensive, me punësim intensiv dhe në fushën e prodhimit.

 

Ky raport është i njëjtë me një raport tjetër të botuar nga Komisioni Europian, për tremujorin e parë të vitit 2012. Komisioni Europian jep lajmin e hidhur se ekonomitë në Ballkan janë në recesion, por kjo, thotë raporti, jo në Shqipëri e Kosovë. Në Shqipëri e në Kosovë ka ngadalësim, por nuk ka kontraktim, nuk ka recesion. Natyrisht, Komisioni konstaton se deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti tregtar u përkeqësua në të gjitha vendet, nga rënia e eksporteve dhe moti i keq. Por duhet që ta thotë Komisioni ndikimin motit të keq në performancën ekonomike.

 

Kushtet e tregut të punës u përkeqësuan më tej, në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, me përjashtim të Shqipërisë, ku tregu i punës e punësimi janë stabilizuar, ndërsa në vendet e tjera, rritja e punësimit mbetet negative.

 

Deficiti është ulur në Shqipëri, Irlandë e Kroaci. Raporti informon për analizën që bën Standard & Poor, e cila e nxjerr Shqipërinë një ekonomi stabël, që vjen nga politikat fiskale të shëndetshme, të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në rrugën e saj të integrimit, thekson raporti.

 

Dua të ndalem sërish tek tregu i punës, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme se punësimi i qytetarëve. Në fund të fundit, çdo gjë matet me rezultatin dhe suksesi i vërtetë i të gjitha këtyre përpjekjeve është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Raporti i Komisionit Europian thotë se punësimi në Shqipëri, nga viti në vit u rrit me 1.4 përqind, në sajë të rritjes së punësimit në sektorin privat, i cili në vetvete u rrit me 5.5 përqind. Në sektorin publik, thotë raporti, punësimi u zvogëlua. Dhe ne po zvogëlojmë administratën dhe jemi shumë krenarë me këtë. Shqipëria ka sot një nga 10 administratat më të vogla në botë, në proporcion me popullatën, çka do të thotë barrën më të lehtë mbi sektorin privat. Papunësia ka mbetur 13.3 përqind. Në tremujorit e parë, pagat u rritën dhe vazhdon tendenca e rritjes në tremujorë të tjerë.

 

Ajo që konstaton raporti dhe është shumë e rëndësishme është se investimet e huaja direkte, në tremujorin e parë të viti 2012 u rritën 2 herë më shumë, se në tremujorin e parë të viti 2011.

 

Atyre që kanë tmerr nga borxhi dua t’u them se raporti konstaton se borxhi publik në raport me GDP-në ka rënë në 57 përqind, që, në fakt, dua ta deklaroj sot publikisht se 60 përqind nuk më duket më linjë  e kuqe, por ngjyrë portokalli. Po të kemi parasysh sot debatin e gjerë që zhvillohet midis mbështetësve të rreptësisë fiskale, të cilët kanë absolutisht të drejtë, sepse disiplina fiskale është një kusht themelor për performancën ekonomike dhe reformat strukturore janë kushti më i rëndësishëm i konsolidimit të një ekonomie, por kjo nuk mund të lidhet me një përqindje, sikur ajo të ishte biblike apo e librave të shenjtë dhe jo një përllogaritje e përafërt, sa ç’është e përafërt vetë GDP-ja. Në këtë kontekst, ndonëse 60 përqind nuk më duket ngjyrë e kuqe, por portokalli, Shqipëria, sipas Komisionit Europian, e ka 57 përqind borxhin, çka tregon për një përpjekje të madhe serioze, për të mbajtur ekonominë shqiptare në parametrat sa më normalë dhe ky është një kusht themelor për tërheqjen e investimeve të huaja.

 

Këto të dhëna i lexova, pasi grupe hiperksenike kanë tendencë të nxijnë çdo të dhënë nga ky vend dhe kur i dëgjojnë nga të huajt, i marrin për të vërtetë. Në fakt, këto të dhëna korrespondojnë plotësisht me të dhënat e brendshme të Shqipërisë. Në të vërtetë një nga rezultatet më të rëndësishme të këtyre reformave ekonomike është se ato nuk lejuan që të rritet papunësia, siç është rritur në vende të tjera. Dhe kur thuhet se ulet papunësia, duhet të keni parasysh se çdo vit 50-60 mijë qytetarë hyjnë në moshën e krahut të punës, plus ata që zbresin nga zonat rurale. Me gjithë këtë, janë përballuar të dy flukset dhe kjo është falë performancës ekonomike.

 

Të nderuar anëtarë të Bordit të AIDA-s,

 

në planin e veprimit dhe të marketingut janë parashikuar fushat e energjisë së rinovueshme, agrobiznesi, turizmi, industria tekstile, shërbimi ndaj biznesit, pajisjet e mjeteve të transportit, pajisjet pjesë elektronike. Ne mund të diskutojmë të shtojmë përparësi, por një drejtim, mendoj se duhet të jetë më themelor dhe ky duhet të jetë prodhimi. Natyrisht, investimet e huaja në çdo fushë janë të mirëseardhura, por ne duhet të përparësojmë me të gjithë mundësitë tona, ato investime që krijojnë më shumë vende pune dhe investimet që krijojnë më shumë vende pune janë ato që adresohen në prodhim dhe shërbime të mëdha. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që janë përcaktuar drejtimet në përputhje me potencialet e vendit, siç është energjia e rinovueshme, por, të nderuar anëtarë të Bordit, është në interesin e vendit që ju të jepni mendime për përcaktimin e fushave, ku duhet të përqendrohemi, ku duhet të jemi më selektivë, praktikat më të mira që duhet të përdorim për të tërhequr investimet. Nuk ka betejë më të rëndësishme sot, se beteja për thithjen e investimeve të huaja. Po ta vini re, vendi më i fuqishëm dhe i zhvilluar i botës, sot flet më shumë se kurrë për investime të huaja në Shtetet  e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një përpjekje e madhe dhe Presidenti Obama ka krijuar një komitet shumë të fuqishëm, me një personel të kualifikuar e të shumtë në numër, për të tërhequr investimet e huaja. Vendi që ka potencialet më të jashtëzakonshme ekonomike shpall një nga drejtimet më themelore investimet e huaja. Investo në Amerikë - është sot motoja e qeverisë dhe autoriteteve të Shteteve të Bashkuara dhe motoja e çdo vendi.

 

Natyrisht, ne kemi arritur këtë vit e vitin e kaluar mbi një miliardë dollarë investime, por unë gjykoj se në ambicion tonë, ne duhet të synojmë të kapim sa më shpejt dy miliardë dhe pasi  të arrijmë në këtë stacion, të mund të përcaktojmë e të themi jo pa realizëm se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme në disa fusha si turizmit, energjia e rinovueshme, potencialet e mëdha minerare. Ne kemi mundësi dhe ky raport i UNCTAD e renditet Shqipërinë si një vend që ka marrë investime mbi parashikimet, për shkak të performancës. Por, në të vërtetë, me njohjen që kemi për vendin dhe potencialet e tij, me masat që mund të marrim për të lehtësuar gjithnjë e më shumë burokracinë, por e përshtatur edhe me stimujt përkatës, ne mund të marrin sërish mbi kapacitetet dhe mbi pritshmërinë. Ne duhet të ecim me vendosmëri drejt dy miliardë dollarë investime, për të ecur më pas, drejt niveleve të tjera.”

 

Pas diskutimeve të anëtarëve të Bordit, Kryeministri Berisha bëri këto vlerësime në mbyllje të takimit.

 

“Zotërinj anëtarë të Bordit,

 

ju falenderoj për mendimet e çmuara që dhatë dhe uroj zotin Hastopalli edhe zotin Kraja për detyrën e re që marrin. Janë dy të rinj të shkolluar në shkollat më të mira të Europës dhe me rezultatet më të mira të mundshme. Jam i bindur se emërimi i tyre përbën shtytje të re në punën e këtij institucioni, që gjithnjë e më shumë po merr peshën që i takon në një fushë të një rëndësie jetike për vendin. Investimet e huaja për Shqipërinë kanë  atë rëndësi që ka ajri për zogjtë. Në qoftë se ka një vend në Europë që duhet të fluturojë, është Shqipëria. Ndaj, në një aspekt, mund t’ju them se sa do që mund t’ju duket çudi, Shqipëria ka ecur me ritmet më të shpejta, ndoshta se çdo vend tjetër. Cilido që të ketë dyshimin më të vogël, le të lexojë të dhënat sot, për Angolën, e cila në vitin 1992 ka qenë e binjakëzuar me të dhëna me Shqipërinë. Por, natyrisht, është shumë e drejtë të shohim çdo minutë se çfarë të bëjmë për një ngjitje me më të shpejtë, sepse sa më lartë të ngjitesh, aq më e vështirë bëhet ngjitja. Kjo është e vërteta!

 

Unë vlerësoj përparësitë, por jam dakord që një përqendrim i tyre është i domosdoshëm. Kjo do të na bëjë më të fuqishëm në veprimin tonë. Mendoj se përparësi madhore, ku duhet të përqendrohemi, janë energjia e rinovueshme, ku sot, në përpjekjen e tij në këtë drejtim, vendi është lider në rajon dhe më gjerë. Duhet të përqendrohemi gjithashtu në agrobiznes, një sektor, i cili mund të dhjetëfishojë prodhimin. Cilido që të ketë një mëdyshje, të shkojë në Korçë dhe të shohë se sa është rritur prodhimi i mollëve të cilësisë më të lartë. 16 herë! Kjo sepse në Korçë është investuar edhe në kapacitetet ftohëse dhe përpunuese. E njëjta gjë duhet të bëhet edhe në Dibër e zona të tjera. Ne duhet të bëjmë gjithçka që ky sektor të ketë mbështetjen më të fuqishme, për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe blegtoral, në mbare vendin.

 

Natyrisht, potenciali i Shqipërisë në turizëm është i jashtëzakonshëm. Turizmi përbën një pasuri përrallore, mahnitëse për vendin dhe është në hapat e para të shfrytëzimit të tij. Ndaj një përpjekje shumë më e madhe duhet të bëhet për zhvillimin e turizmit.

 

Ne sot vendosim për koncesionin e një investimi me vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë. Kjo nuk do të ndodhë më! Ligji për investimet e mëdha do të thjeshtohet, në mënyrë që të mos i nxjerrim një procedurë të tillë përpara  dikujt që investon 20 milionë, njëlloj me dikë tjetër që investon 1 apo 2 miliardë. Një person që bën një investim të tille 1 apo 2 miliardë meriton përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme e të gjithanshme dhe jo një procedure të tillë. Ndaj zonja Drejtore e AIDA-s dhe zoti ministër i Turizmit, duhet të ndërhyjmë në ligj sa më shpejt, në mënyrë që të favorizojmë vendimmarrjen në këto raste. Kur bëjmë fjalë për promovim dhe ftojmë një person, nuk do të thotë ta fusësh në labirinte, por të bësh gjithçka që të gjejë një fushë pa pengesa dhe sa më të lehte në veprimtarinë e tij.

 

Mendoj se mineralet dhe pasuritë natyrore përbëjnë një drejtim tjetër shumë të rëndësishëm.

 

Një drejtim i veçantë, i shkëputur nga këto, që do të ketë përparësi absolute është çdo lloj biznesi që punëson numrin më të madh të punonjësve. Cilido biznes që është punësues i lartë duhet të marrë përparësi e të bëhet një kuadër i veçantë për trajnimin e punonjësve të këtij biznesi, për të ndihmuar në mësimin e gjuhës së duhur për këtë biznes dhe për të gjitha lehtësirat që duhet t’i japim bizneseve me potencial të lartë investimi, në çdo fushë që të jenë. Po ashtu duhet të bëhet një kuadër i lartë se si do të jenë stimujt fiskalë dhe të gjithanshëm që do t’i përshtaten këtyre bizneseve. Beteja për punësim do të jetë beteja më themelore në të gjitha vendet. Ne kemi shanset e mëdha të jemi ndër më të paktat vende që nuk kemi pasur rritje, por rënie të papunësisë. Por duhet të bëjmë gjithçka që ky trend të forcohet. Po marr industrinë tekstile, të këpucëve dhe të veshjeve, të cilat punësojnë shumë. Ndaj ne duhet të bëjmë çdo gjë si t’i lehtësojmë ato, si t’i ftojmë këtu.

 

Para pak ditësh, një mik italian më tha se nga Italia janë të gatshëm të shkëputen qendrat e thirrjes, të cilat në Itali punësojnë mbi 30 000 punëtorë. Por problemi është se ata duhet të punësohen në këto qendra duhet të jenë italishtfolës. Ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka, si për shembull  në rastin konkret, të bëjmë kurse të shpejtuara të gjuhës. Ky është një rast konkret, por ka edhe raste të tjera në çdo fushë, të punësimit të lartë, i cili duhet të jetë qëllim madhor. 

 

Ne duhet të lëvizim me shpejtësi drejt zonave industriale dhe zonave ekonomike. Në qoftë se në këto zona nuk ka pasur më parë interes, ky interes sot është shumë i madh. Është i madh nga ato vende që janë në ngjitje të madhe ekonomike, është i madh nga vendet e BRIC, Kina, India, etj.. Duhet të bëjmë promovim të fuqishëm të këtyre zonave. Nuk ka vend në Europë më të përshtatshëm sesa  Porto Romano ose Spitallën si zonë ekonomike, e cila ka gjithçka: hekurudhën, portin, aeroportin, autostradën, infrastrukturën më moderne, ka kushtet më ideale, ka krahun e puëns ndër më të lirin. Nuk ka vend më të shkëlqyer, sesa zona ekonomike e Vlorës, e përgatitur nga biznesmenët e Vlorës, të cilët kanë bërë një punë shumë të madhe. Duhet të bëjmë gjithçka t’ promovojmë këto zona dhe të tërheqim investime aty.

 

Lidhur me fondin, ky është një fonde modest, por do ishte në dinjitetin tonë të vendosnim procedurën më transparente në atë fond. Në këtë mënyre do t’i rrisim shumë vlerën morale atij. Ndaj çfarë mund të jetë digjitale, të angazhohemi për një procedurë të plote digjitale transparente. Edhe ky fond, që sigurisht sot është modest, do vijë duke u rritur. Disa novacione të para kanë rezultate të shkëlqyera sot, në Shqipëri. Ne duhet t’i inkurajojmë akoma më shumë ato. Novacioni dhe rinia janë një dhe e pandarë. Të rinjtë janë novatorët kryesorë të çdo shoqërie. Ne jemi komb i ri, ndaj duhet të bëjmë gjithçka për t’i nxitur ato.

 

Ju raportuat këtu për një sistem dixhital që fillon. Unë do them se një nga ndihmat absolute, më të rëndësishme që ne mund t’i japim biznesit, është sistemi i gjurmimit. Sistemi i gjurmimit përbën sistemin ideal të shërbimit ndaj biznesit. Javën e kaluar, ne inauguruam sistemin e gjurmimit në hipotekë. Një arritje kjo, e jashtëzakonshme për qytetarin, për biznesin dhe për të gjithë. Një shkëputje epokale, ku çdo qytetar nga shtëpia, nga zyra, nga kompjuteri i tij, nga celulari mund të ndjekë se ku e ka ankesën apo kërkesën në sistemin e hipotekës. Një sistem, i cili nuk lejon më kurrë që ta bësh të parin të tretë apo të pestë. Sistem që dikton një fryme disipline të hekurt tek punonjësit dhe që i jep një shpenzim minimal kohor biznesmenit.

 

Sistemi i gjurmimit për biznesin është një sistem i përdorur me sukses shumë të madh në një nga shtetet e Indisë. AKSH-i dhe ministri i fushës respektive po marrin masa, por sidoqoftë nuk mund të ketë ndihmë më të madha për biznesin, sesa ndërtimi i këtij sistemi, sepse i shpëton ata nga plogështia, për mos thënë më shume se kjo, e burokratëve në zyrat e administratës. Por njëherësh shpëtojmë edhe burokratët, të cilët i bëjmë shumë më të përgjegjshëm, sepse e dinë se biznesmeni po i sheh aty ku është se çfarë po bën ai me dokumentin e tij, sa po e mban dokumentin e tij pa i dhënë rrugë, sa po e bllokon ai rrugën. Ne kemi shumë nevojë për këtë sistem, ndaj duhet ta vendosim brenda këtij viti.

 

Sistemin në zyrën e regjistrimit e bënë punonjësit e regjistrimit të hipotekës dhe këtë e bënë mbi vendimin e mençur që morën drejtuesit, që personelin aty, e proporcionuan siç duhej me punonjësit e IT-së. Aty  gjeta një grup të rinjsh, bashkë me një drejtues, kishin bërë programin, i cili kushtonte minimalisht 200-300 mije euro, por në mund e djersë miliona euro. Sot, ai funksionon në parimet më të mira e më transparente. Nuk ka më sekserë, nuk ka më spostime.

 

Po ashtu Qendra kombëtare e licencave duhet të vendosë këtë sistem me shpejtësinë më të madhe.

 

Natyrisht, gjenerator kryesor i punësimit është rritja ekonomike. Ridvan [ministri i Financave], profesori yt më ngjet me njeriun që për të shpëtuar nga lumi, zhytet edhe më thellë.  Ai ka qenë fatlum që xhupi nuk iu duk i zi, por gri, pasi ka njerëz që gjithë jetën notojnë në zonën gri të këtij planeti. Edhe ata duhen respektuar. Reformat strukturale janë plotësisht jetike, por e vërteta është se sot, këto reforma përballen me një problem shumë madhor që është se për fat të keq, në të gjitha vendet që i kanë ndërmarrë e po i ndërmarrin ato e që janë të domosdoshme, punësimi po bie dhe recesioni po shtohet. Është një konkluzion i përgjithshëm i ekonomistëve, politikanëve se një linjë paralele me to duhet të konsolidohet si linjë e rritjes. Nuk ka gjë më të thjeshtë se vendimet për reformat strukturale, ‘fut gërshërën’ dhe pret shpenzimet. Por e vërteta është se kjo gërshërë, prerja e shpenzimeve po e çon thellë e më thellë fqinjin tonë. E vërteta është se kjo gërshërë e  prerja e shpenzimeve nuk po japin në asnjë nga vendet që po i praktikojnë një kthesë në drejtim të rritjes. Çka do të thotë një linjë në favor të rritjes është jetike dhe vendimtare për zhvillim e një vendi. Nuk ka diskutim që këto reforma do japin rezultat. Kjo është jashtë çdo lloj dyshimi. Por sa të japin ato rezultate, profesori me xhup portokalli është mbytur.

 

Ndaj le të përpiqemi të kombinojmë rreptësinë me rritjen ekonomike. Rreptësinë me stimujt e punësimit. Është në detyrimin tonë të gjejmë në këtë kohë jo të favorshme rrugët, mekanizmat, masat, qoftë edhe minimale, në sektorë të caktuar, por të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, gjithçka për të nxitur punësimin. Kriza e Europës do të jetë një krizë afatgjatë, që në aparencë ka euron dhe është euro një nga faktorët e saj, por në të vërtetë ka një tërësi faktorësh shumë të mëdhenj. Është fatura sociale e jashtëzakonshme. Sot, Bashkimi Europian ka 12 përqind të popullatës së planetit, por BE paguan sot, 50 përqind të faturës sociale të planetit. Pra, janë të gjithë këto faktorë që janë në kompleks, ndaj dhe modelet e ndryshme. E vërteta është modelet e rritjes sot janë modele suksesi. Ndaj edhe ne, duke ndjekur një politikë serioze, një disiplinë fiskale serioze, natyrisht nuk mund të biem viktimë. Ky komb nuk ka rënë viktimë e linjës së Teodosit, as e linjës së kuqe të 60 përqindëshit, përkundrazi, ecën i sigurt drejt rritjes ekonomike të padiskutueshme. Faleminderit.”

 

 

 

 

 


10/07/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Pukė
Fjala e kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral tė Beratit
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Maqellarė, Dibėr
Fjala e Kryeministrit Berisha nė Has, Kukės
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Bajram Curri
Kryeministri Berisha takohet me qytetarė tė Durrėsit
Fjala e kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Rrashbull, Durrės
Kryeministri Berisha inspekton punimet pėr ndėrtimin e rrugės Lushnje-Berat
Kryeministri Berisha prezanton nė Poliēan, kandidatėt pėr deputetė tė qarkut tė Beratit
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave