Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, riorientimin e të gjithë axhendës qeveritare drejt nxitjes së punësimit, si interesi jetik i qytetarëve shqiptarë.
Duke risjellë në vëmendje të dhënat e fundit të certifikuara nga raportet ndërkombëtare, raporti i UNCTAD dhe ai i Komisionit Europian, që flasin për tendencën e një rritjeje progresive të punësimit në Shqipëri, Kryeministri kërkoi nga ministrat të rishqyrtojnë programin e punës së tyre në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe mbështetjes më të madhe të sektorit privat, veçanërisht bizneseve që punësojnë shumë.
“Rruga që të çon në maksimumin e punësimit është mbështetja e fuqishme e sektorit privat, mbështetja e fuqishme e prodhimit, mbështetja e fuqishme e biznesit që punëson më shumë,” – u shpreh Kryeministri.
Duke e përcaktuar zgjerimin e hapësirave të iniciativës private dhe punësimit jetike, në një kohë kur kriza europiane dhe më gjerë është shumëdimensionale dhe jo afatshkurtër, Kryeministri theksoi se objektivi duhet të jetë ulja edhe më madhe e papunësisë.
“Kjo është e mundshme, - tha Kryeministri, - atëherë kur ju e vartësit tuaj të shohin pas çdo iniciative private, pas çdo sipërmarrjeje private e pas çdo reforme që e lehtëson dhe i kontribuon asaj, qytetarët shqiptarë që punësohen, familjet shqiptare të jetojnë më mirë, për shkak të punësimit të anëtarëve të tyre.”
Kryeministri Berisha ftoi opozitën të heqë dorë nga taktika e sulmit kundër investitorëve, me deklarata për anulimin e privatizimeve, koncesioneve apo veprimtarisë private, vetëm për faktin se ato vendime janë marrë nga qeveria.
“Opozita, – tha Kryeministri, - është e ftuar dhe e mirëpritur të kontrollojë në çdo qelizë veprimtarinë e kësaj qeverie, por sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundërproduktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin.”
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë:
“Kryefjalë e kësaj mbledhjeje është e do të mbetet krijimi i vendeve të punës si një nga qëllimet më madhore, për të mos thënë më kryesori, i të gjitha reformave tona. Sot, beteja për vendet e punës është beteja më kryesore që zhvillohet në Europë e në botë. Për njeriun, pas shkollimit, asgjë nuk ka më të rëndësishme, sesa punësimi i tij.
Është fat i madh që në një periudhë, kur papunësia edhe në vende të zhvilluara kap vlera mbi 20 përqind, kur papunësia është rritur më shpejt e më shumë se kurrë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, dy raporte serioze ndërkombëtare faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ajo jo vetëm nuk u rrit, por njohu ulje progresive.
Raporti i UNCTAD-it dhe raporti i Komisionit Europian, të dy këto raporte theksojnë se në Shqipëri, punësimi u rrit. Të dy këto raporte theksojnë se punësimi në Shqipëri u rrit për shkak të fuqizimit të sektorit privat, me një rritje që në total është 5.5 përqind. Kjo rritje njohu edhe rritjen e ndjeshme të punësimit.
Por kush janë faktorët që qëndrojnë në themel të faktit që, në rast se në vende të tjera rritet me shpejtësi papunësia, në Shqipëri kjo nuk ndodh, por, përkundrazi, ulet? Në themel të kësaj është suksesi i reformave dhe i modelit ekonomik që kjo qeveri ndjek. Këto reforma kanë mbështetur fuqishëm suksesin e sipërmarrjes private. Këto reforma kanë bërë të mundur që për të tretin vit me radhë, Shqipëria të tërheqë mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja në vit. Këto reforma kanë bërë të mundur, sipas këtyre raporte, që këto investime në Shqipëri të jenë të përqendruara më së shumti në prodhim, pra, në sektorët e punësimit më të madh.
Zotërinj ministra,
e gjithë axhenda e ministrive tuaja duhet të rishqyrtohet e riformulohet në përputhje me punësimin, si interesi më jetik i qytetarëve shqiptarë. Në rast se ia kemi dalë të mos kemi rritje, por ulje të papunësisë, të dëshmohemi ambiciozë për të shënuar ulje edhe më të mëdha. Dhe kjo është absolutisht e mundshme. Është e mundshme atëherë kur ju e vartësit tuaj të shohin pas çdo iniciative private, pas çdo sipërmarrjeje private e pas çdo reforme që e lehtëson dhe i kontribuon asaj, qytetarët shqiptarë që punësohen, familjet shqiptare të jetojnë më mirë, për shkak të punësimit të anëtarëve të tyre.
Rruga që të çon në maksimumin e punësimit është mbështetja e fuqishme e sektorit privat, mbështetja e fuqishme e prodhimit, mbështetja e fuqishme e biznesit që punëson më shumë. Ju përket juve të studioni dhe të bëni disponibël të gjitha potencialet që ju administroni. Le të nxisim iniciativën private në shkallën më maksimale. Kjo është një rrugë, por më e sigurta! Ta nxisim atë në çdo fushë, në fushën e mjedisit, shëndetësisë, bujqësisë, punëve publike, arsimit, kulturës e kudo.
Të hapim hapësira për biznesin, edhe duke u rrudhur vetë si sektor publik. Një nga të dhënat më pozitive të këtyre raporteve është zvogëlimi i administratës në Shqipëri. Kjo është shumë pozitive. Këtu dallon koncepti ynë me konceptin e quajtur progresist apo marksist, i cili e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi. Por administrata nuk e nuk mund të jetë është aspak, ndërmarrje punësimi. Ajo është para së gjithash e mbi të gjitha, një sistem shërbimesh për qytetarët, me numrin më të vogël të punonjësve e cilësinë më të lartë. Ky është synimi!
Ndaj kërkoj nga ju që secila ministri të bëjë planin, të shqyrtojë potencialet se çfarë do t’i ofrojmë më shumë sektorit privat, çfarë do të bëjmë më shumë për zgjerimin e hapësirave të tij, cilat ligje e rregulla duhen ndryshuar për t’i bërë ato më të përshtatshme e më miqësore për biznesin. Nuk duhet të harrojmë se kriza që ka pllakosur sot, Europën dhe zona të tjera të botës, nuk është afatshkurtër, nuk është krizë me një shkak, por është multidimensionale dhe me shumë shkaqe. Ne kemi avantazhin e madh të kemi një model që u faktua se i rezistoi asaj. Atëherë, ne duhet të bëjmë gjithçka për ta konsoliduar këtë model, për të nxitur të gjitha format e veprimtarisë private, të bëjmë gjithçka për të nxitur punësimin, të përcaktojmë stimuj.
Një potencial i madh ekziston në bujqësi dhe e vërteta është se, nëse ka një sektor që ka rritur në mënyrën më të ndjeshme prodhimin, ai është bujqësia. Megjithatë duhet të bëjmë gjithçka, zoti ministër, që të nxisim sa më shumë këtë iniciativë, me qëllimin madhor: punësimin. Duhet ta kemi qëllim në vetvete punësimin. Nëse ka një gjë që është qëllim në vetvete e kjo në asnjë mënyrë në sektorin publik, por në atë privat, ky është punësimi.
Na rezulton se kemi marrë 1 miliardë e 33 milionë dollarë vitin e shkuar dhe disa të dhëna të tremujorit të parë të këtij viti janë jashtëzakonisht për investimet e huaja. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, tremujorin e parë të këtij viti, ato janë dyfishuar. Megjithatë duhet të presim edhe tremujorët e tjerë për të parë nëse ky trend shkon drejt konsolidimit. Sidoqoftë, objektivi ynë duhet të jetë të kapim 2 miliardë dollarë investime për vendin. E vërtetë është se raporti i UNCTAD-it vlerëson se Shqipëria ka marrë më shumë se potenciali, çka do të thotë se Shqipëria ka pasur një performancë të shkëlqyer në thithjen e investimeve. Por, a do të thotë kjo se ne kemi potenciale vetëm për 1 miliardë dollarë? Absolutisht, potencialet tona, resurset tona natyrore janë shumë më të mëdha: turizmi, minierat, energjia etj.. Ndaj të bëjmë një rishqyrtim tërësor të çdo mundësie që ekziston për të nxitur iniciativën e lirë dhe punësimin e qytetarëve, të çdo potenciali që kemi për të favorizuar ato biznese që punësojmë më shumë.
Do të ftoja opozitën të heqë dorë nga sulmet mjerane kundër investitorëve, të heqë dorë nga deklaratat bajate të anulimit të këtij apo atij privatizimi, koncesioni apo veprimtarie private. Opozita është e ftuar dhe e mirëpritur të kontrollojë në çdo qelizë veprimtarinë e kësaj qeverie, por sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundërproduktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin. Është bërë zakon që pas çdo vendimi tonë për t’i hapur rrugë iniciativës së lirë, opozita del e zotohet se do ta anulojë atë. Absolutisht, ardhja e saj në qeveri mbetet një horizont i paarritshëm, derisa të vazhdojë në këtë mënyrë! Roli i opozitës nuk është ky, por të kontrollojë e të bëjë transparencën dhe jo të shkelmojë apriori çdo gjë e t’u premtojë bizneseve taksën e Marksit. Opozita duhet të ndjekë zhvillimet e të matet dhjetë herë, kur të mendojë se mund të rrisë taksat për të shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune, në kohën më delikate për punësimin e shqiptarëve. Të shkatërrosh vendet e punës për inat të qeverisë, nuk është kjo rruga!
11/07/2012