Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal sërish në disa çështje të debatuara javëve të fundit në zhvillimet në vend, si çështja e votimit në parlament të reformës zgjedhore, për votimin e amendimeve për heqjen e imuniteteve, realizuar përmes ndryshimeve kushtetuese, etj. Kryeministri, edhe njëherë, i bëri thirrje zotit Rama të votojë amendamentet për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe qeveritarëve, të cilat janë hartuar nga ekspertët më të mirë dhe sjellin risitë më të rëndësishme doktrinare të së drejtës kushtetuese, si interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, i çdo taksapaguesi.
Kryeministri, fillimisht, solli në vëmendje një studim shumë të rëndësishëm, përmes testeve inteligjente, sipas të cilit rezultonte se gratë i tejkalojnë burrat në drejtim të inteligjencës, duke përgëzuar këtë rezultat të faktuar tashmë.
Në komentet e tij mbi këto çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I palidhur direkt me këtë mbledhje, por tejet i rëndësishëm dhe jo pa implikacione për të ardhmen tërësore të shoqërisë dhe të politikës, është dhe një lajm, sipas të cilit, në studimet e fundit, në të gjitha testet e inteligjencës, zonjat tejkalojnë zotërinjtë, gratë e vajzat tejkalojnë burrat. Gjëja më e mirë për ne është të themi “No coment”, ta pranojmë, sepse kështu është faktuar. Kjo botë ndryshon dhe ky lajm është dëshmi e një shkalle të re. Kur ta ribëjnë këtë test, pas nja 30 vitesh, ju garantoj se do të ndiheni të trishtuar. Nuk mund t’ua mbaja sekret këtë lajm që ka marrë dhenë. Të them të vërtetën, unë nuk është se nuk kam pasur një përshtypje të tillë. Nuk është rastësi që kur shkoni në universitete dhe shikoni ekselencat, ato janë 1 me 6, apo 1 me 7 në favor të vajzave.
Zonja kryetare e parlamentit,
Zoti Kryetar i grupit,
Të dashur qytetarë që ndiqni këtë mbledhje të grupit parlamentar të PD-së,
Mendoj se përsëri sot dhe, në këtë periudhë, për ne dhe për çdo shqiptar, kryefjala është dhe mbetet votimi në parlament i reformës zgjedhore dhe votimi në parlament, në afatet e përcaktuara, të amendamenteve për heqjen e imunitetit.
Zotërinj deputetë,
Reforma zgjedhore ishte një proces i komplikuar, i cili kaloi në adresimin e dhjetëra rekomandimeve të ODIHR-it dhe vërtetë votimi i saj përbën një arritje të madhe për qytetarët shqiptarë, sepse do të kenë një kuadër ligjor zgjedhor tërësisht konsensual, siç e kishin edhe kodin e mëparshëm, por kësaj here dhe me rekomandime të ODIHR, pasi ai ligj u testua në zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale.
Ky ishte një proces i komplikuar që kaloi me konsensus, absolutisht për shkakun e vetëm se ne kemi bërë lëshime dhe nuk kemi asnjë pendesë për këtë, pasi është në detyrimin e qeverisë, e cila është e vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, t’i japë opozitës të gjitha siguritë e nevojshme që ajo kërkon për një proces të tillë.
Por, në rast se reforma zgjedhore ishte një proces i komplikuar, mund të them se reforma për heqjen e imunitetit është një debat që zhvillohet që nga viti 2005, me ardhjen tonë në pushtet, për të mos thënë edhe më përpara dhe, deri tani. Pra, është një reformë thellësisht e debatuar dhe tërësisht e kompletuar. Historiku i saj për çdo shqiptar është i qartë. Kjo forcë politike, në opozitë atëherë, dorëzoi ligjin për heqjen e imuniteteve dhe u refuzua nga qeveria e asaj kohe. Në përputhje me programin e saj, sapo erdhi në pushtet, paraqiti përsëri ligjin për heqjen e imuniteteve dhe u kundërshtua nga opozita me justifikimin se kjo heqje nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës. Ky projekt u dërgua në Komisionin e Venecias dhe ky komision pranoi plotësisht se imuniteti mund dhe duhet të kufizohet, por duhet të bëhet nëpërmjet ligjeve që janë organike, me 3/5 dhe duhet të votohet me 3/5 në parlament, meqenëse parlamenti është një institucion themelor kushtetues. Opozita përsëri nuk ishte dakord dhe mbronte tezën se imuniteti duhet të hiqet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Vitin e kaluar, u organizua një seminar me ekspertë të shquar të Këshillit të Evropës, OSBE-së, përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, në të cilën, ekspertët e huaj, duke sjellë ekspertizën më të mirë të doktrinës së imunitetit, deklaruan se imuniteti duhet të atakohet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në këto rrethana, maxhoranca nuk mund të bëhej pengesë për heqjen e imunitetit, për shkak të një qëndrimi të saj të mëparshëm, sipas të cilit kishte deklaruar se nuk do pranojë ndryshimin e Kushtetutës për këtë çështje. Pavarësisht se ne besojmë se imuniteti mund të atakohet nëpërmjet ligjeve me 3/5, por duke qenë se ekspertët e KE-së sugjeruan ndryshimin e Kushtetutës për këtë çështje, duke qenë se vet opozita, për një periudhë të paktën 6 vjeçare, kishte mbajtur si peshë të saj ndryshimin e Kushtetutës për imunitetin, atëherë e gjykuam të arsyeshme që ne të bëjmë kompromisin, lëshimin dhe të mbështesim ndryshimin e Kushtetutës për një çështje kaq madhore dhe shumë të rëndësishme.
Theksoj edhe njëherë se për çdo shoqëri të lirë, për qytetarët e një vendi i lirë, armiku nr .1 i tyre, përveç sëmundjes, është korrupsioni, i cili jep varfëri, i cili dhunon çdo ditë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, i cili bllokon çdo ditë funksionimin normal të shtetit ligjor. Ndaj dhe ka një evolucion të madh të viteve të fundit, në mbarë Evropën e botën, në qëndrimin ndaj imunitetit.
Unë, edhe njëherë, jam këtu për t’i bërë thirrje zotit Rama të votojë amendamentet për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe qeveritarëve, të cilat janë hartuar nga ekspertët më të mirë dhe sjellin risitë më të rëndësishme doktrinare të së drejtës kushtetuese. T’i votojmë ato sepse ky është interes jetik i çdo qytetari shqiptar, i çdo taksapaguesi. T’i votojmë sepse çdo hezitim, i cilitdo politikani për të mbështetur heqjen e imunitetit, do të ketë jehonën më negative, përshtypjen më negative, te çdo qytetar, pavarësisht nga përkatësia e tyre. Le të flasim hapur; një politikan që i kundërvihet kësaj çështjeje, u thotë shqiptarëve se “unë nuk e heq dot imunitetin sepse “vjedh”. Nuk mund të thotë politikani kështu, le të themi atë që është. Unë nuk e thjeshtoj problemin, por po këta ekspertë kanë bërë një propozim të jashtëzakonshëm. Në rast kur parlamenti gjykon se kjo çështje po përdoret për të dëmtuar funksionin e parlamentit, parlamenti ka të gjithë autoritetin për të rivendosur imunitetin dhe çdo gjë tjetër. Unë nuk e kam parë të shkruar, por këtë të drejtë, ekspertet ia kanë njohur një kuorumi më të vogël se 50 për qind, sigurisht për të mbrojtur pakicën. Ky është një interpretim i imi në këtë rast. Kur thuhet nën 50 për qind, unë nënkuptoj opozitën kryesisht. Pra, për një çështje kaq madhore, ka të drejtë të votojë rikthimin e imunitetit, pasi në doktrinë, sipas tyre, imuniteti nuk mbron personat, mbron institucionet nga pushteti i njëri-tjetrit. Kjo përbën një risi të jashtëzakonshme, shumë pozitive, në kuptimin e respektimit reciprok të institucioneve.
T’ju them të vërtetën, ne kemi qenë për heqjen e imunitetit edhe në vitin 2003, kur ju e dini se çfarë klime politike ekzistonte. Ne kemi mbrojtur këtë pikëpamje me vendosmërinë më të madhe dhe kjo ka një dhe vetëm një qëllim kryesor; transparencën e institucioneve, zyrtarëve, barazinë e tyre para ligjit, me qytetarin e thjeshtë, në këto aspekte.
Partia Socialiste deri më sot nuk ka formuluar një qëndrim të qartë dhe përfundimtar. Uroj dhe besoj që këtë gjë të mos e bëjë çështje debati për kapital politik, por ta bëjë çështje interesi jetik të qytetarëve shqiptarë. Ne nuk e votojmë këtë reformë si detyrim, ndonëse do ishte sinjali më pozitiv që mund t’u dërgonim miqve dhe partnerëve tanë, por këtë ne e votojmë për bindjen tonë, e votojmë për interesin jetik të qytetarëve shqiptarë.
Ne duhet ta marrim luftën kundër korrupsionit si një proces dinamik. Sot ju keni në dorë dy ligje të tjera, të hartuar me ekspertë të shkëlqyer të doktrinës së luftës kundër korrupsionit. Ligji i parë i deklarimit të pasurive ka qenë ndër më të mirët, por eksperienca e krijuar shkon gjithnjë duke u thelluar. Eksperienca e krijuar në luftën kundër korrupsionit dhe mësimet e nxjerra në Evropë e botë, imponojnë gjithnjë një proces më dinamik dhe në zgjerim e sipër. Ndaj është jashtëzakonisht pozitive që dy ligje të tjera vijnë këtu në parlament, të cilët kanë si synim transparencën, qoftë për konfliktin e interesit, qoftë për konsolidimin e mëtejshëm të institucionit të verifikimit të pasurive të zyrtarëve, qoftë shtrirja në disa zyrtarë që nuk përfshiheshin, qoftë zgjidhje e disa çështjeve që zgjonin debate. U jepet përgjigje ligjore të gjitha atyre problemeve.
Unë mendoj se ky parlament, me këto ndryshime, në bindjen time të thellë, i bën një shërbim shumë të madh vendit e kombit, sepse hapet një horizont i ri në luftën kundër korrupsionit dhe transparencën e administratës, të cilin e kemi shumë nevojë, të cilin e kemi jetik.
Uroj që edhe këto ligje të votohen bashkërisht, si një dëshmi e një vullneti të përbashkët për transparencë sa më të madhe në administratën shqiptare, për një etikë sa më dinjitoze, sa më të moralshme të zyrtarëve shqiptarë. Koha sjell kërkesa, ne u përgjigjemi atyre.
Ne e kemi dhe do ta kemi absolutisht çështjen më themelore luftën kundër korrupsionit. Ne i fituam zgjedhjet e 2009-ës sepse patëm çështje themelore luftën kundër korrupsionit, para së gjithash. Ne do fitojmë në vitin 2013, sepse kemi çështje themelore luftë kundër korrupsionit.
Dua të sjell në vëmendjen tuaj edhe një problem të fundit që ka ngjallur debate, problem i zgjerimit të rrugës së Elbasanit. Rruga do të zgjerohet, sepse qytetarët e Elbasanit e kanë jetike për të hyrë në Tiranë, nëpërmjet zgjerimit të kësaj rruge. Nuk është unaza ajo që ua zgjidh problemin. Unaza që ndërtojmë ne, bashkon Shkodrën me Elbasanin e anasjelltas, Korçën me Shkodrën, bashkon dy pjesë të vendit, por është fluks tjetër ai i unazës dhe fluks tjetër ai që vjen drejt e në kryeqytet.
Por dua të theksoj se rruga prek një monument kulture, i cili është rrethimi i Pallatit të Brigadave. Ai rrethim, me ato harqe, është një stil i kohës, i veçantë. Ndaj dhe ministria përkatëse, zoti Olldashi ose Drejtoria e Rrugëve, do të mund të bëjnë rrugën, pasi të garantojnë se çdo gur i atij muri do të kthehet po në atë mur, pasi të garantojë që harqet do të kthehen identik siç janë, pasi të garantojnë rikthimin në origjinal, një për një, të kësaj infrastrukture. Unë i bëj thirrje shoqërisë civile që të ngrejë një komision, krahas Institutit të Monumenteve të Kulturës, për ta monitoruar gurë për gurë këtë proces. E vërteta është se ajo arkitekturë që, në pamje të parë mund të mendohet se ribëhet me lehtësi, nuk ndodh kështu, pasi ajo është një vepër e një stili arkitekturor të asaj kohe, shumë të respektuar kudo.
Ndaj dhe për t’i dhënë fund debatit me Shoqërinë Civile, ministria e Punëve Publike duhet të vendosë kontakte me të, të kërkojë që bashkë me Institutin, ose nëse dëshirojnë edhe veçmas , të krijojnë ekipin e tyre dhe të monitorojnë çdo lëvizje guri. Rruga do të bëhet. Ajo është studiuar shumë herë dhe është rrugë jetike. Nuk është problem vetëm për banorët, por është problemi i hyrjes në kushte normale të qytetarëve të Elbasanit në Kryeqytetin e tyre. Unaza, fluksin e çon drejt veriut, apo nga veriu drejt juglindjes. Ky është funksioni i unazës. Ndërsa trafiku i kryeqytetit e ka jetike këtë rrugë. Doja të bëja këtë sqarim dhe të garantoj Shoqërinë Civile se ka gjithë vlerësimin tim, pavarësisht se kur shoh se me të bashkohen ca antiglobalistë, nuk më vjen mirë. Del aty Sajmir Tahiri dhe bën luftën kundër fadromave. Këto janë rivalitete të brendshme, ata bëjnë luftë me njëri-tjetrin. Se çfarë pune kishte ai me fadromat, kjo nuk kuptohet. Po ta kishte me qeverinë, duhej të shkonte te ministria apo te bashkia dhe të bënte protestën. Ai viktimizonte dhe shoqërinë civile me atë rast.
16/07/2012