Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, për humbjen tragjike të jetës së gjashtë turistëve izraelitë, si pasojë i një sulmi në qytetin e Burgasit në Bullgari. Në mesazh, Kryeministri Berisha shprehet:
“I nderuar Zoti Kryeministër,
Me keqardhje të thellë kam mësuar për humbjen tragjike të jetëve të gjashtë turistëve izraelitë dhe plagosjen e shumë të tjerëve, si pasojë e sulmit barbar terrorist në qytetin e Burgasit ndaj qytetarëve civilë të pafajshëm, që kishin zgjedhur këtë vend mik për të kaluar pushimet e tyre. Ndaj, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo qytetari të vendit tim, Ju përcjell Juve e, përmes Jush, familjeve të viktimave dhe çdo qytetari të vendit e kombit Tuaj mik ngushëllimet më të ndjera dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor.
Shqiptarët ndajnë sot me familjet e viktimave, me Ju dhe popullin mik të Izraelit hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore dhe u bashkohen lutjeve Tuaja që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe të lënduarit nga kjo tragjedi të shërohen sa më parë.
Qeveria shqiptare është jashtëzakonisht e indinjuar nga ky akt i shëmtuar e barbar, e dënon me forcë atë dhe i mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e vendit Tuaj dhe të çdo vendi të lirë, që nxitësit dhe organizatorët e mundshëm të këtij sulmi të ulët e të ngjarjeve të tjera, të ngjashme, t’i dorëzohen drejtësisë. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, do të vijojë mbështetjet dhe pjesëmarrjen e saj proaktive në përpjekjet globale kundër terrorizmit, në çdo formë që ai mund të shfaqet.
Juaji
Sali Berisha”
19/07/2012