Kryeministri Berisha garantoi sot, se konsolidimi dhe zgjerimi i lirisë ekonomike në Shqipëri mbetet objektiv madhor për qeverinë. Duke iu referuar një studimi të fundit për lirinë ekonomike në botë, me titull: Socializmi shkatërron pasurinë, kurse liria ekonomike çon në krijimin e saj, Kryeministri Berisha përshëndeti konkluzionet e tij për Shqipërinë, duke cituar se zgjerimi i lirisë ekonomike ka bërë që “Shqipëria ish komuniste, që vetën pak vite më parë ishte e 93-të në botë, të zbresë në vendin e 12-të në botë”.
Studimi i referohet një periudhe dhjetëvjeçare dhe jep një pasqyrë në shifra të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri. Përfundimi në të cilin del studimi, tha Kryeministri, janë dëshmi e suksesit të reformave të ndërmarra nga administrata shqiptare dhe Liria ekonomike është çelësi i këtij suksesi.
“Loja me lirinë ekonomike është loja me kafshatën e gojës. Loja me lirinë ekonomike është loja me rrënimin e madh të vendeve të punës. Punësimi është e do të mbetet qëllimi më madhor i kësaj qeverie. Natyrisht, punësimi mbi bazën e iniciativës së lirë dhe të lirisë ekonomike dhe jo të shndërrimit të administratës si sipërmarrje publike punësimi.”
Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë bindjen se taksa progresiste nuk është e dobishme dhe se ajo “shkatërron ëndrrën për prosperitet”, duke e vlerësuar studimin, në këtë aspekt, si krahasimin programor më të qartë e të rëndësishëm.
Në vijim fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
“Do të desha ta hapja këtë mbledhje me një njoftim jashtëzakonisht interesant. Institucionet që përllogarisin lirinë ekonomike në botë botojnë një shkrim me titull “Socializmi shkatërron pasurinë, kurse liria ekonomike çon në krijimin e saj”. Në këtë shkrim, këto institucione, ndër më seriozet në botë, të mbështetura edhe nga institucionet e Bretton Woods, konkludojnë se zgjerimi i lirisë ekonomike ka bërë që Shqipëria ish komuniste, që vetën pak vite më parë ishte e 93-të në botë, të zbresë në vendin e 12-të në botë. Ndërsa një vend tjetër mik, Afrika e Jugut, e cila një dekadë më parë ishte në vendin e 42-të në botë, ngjitet në vendin e 84-t në botë, si rezultat i përpjekjeve për të injektuar socializëm dhe dështim. Ky fakt që botohet tani së fundi në të gjithë literaturën ekonomike botërore është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mbi këtë fakt janë interpretimet e suksesit ekonomik të Shqipërisë dhe të modelit të saj.
Gjatë periudhës dhjetëvjeçare së cilës i referohet studimit, Shqipëria ish komuniste, thotë studimi, lëviz nga vendi i 93-të në botë në vendin e 12 në botë dhe po të krahasosh, vazhdon studimi prestigjioz, këto dy vende, Shqipëria dhe Afrika e Jugut, të vlerësuara me shkallën 10, Shqipëria vlerësohet me 9.06 përsa i përket përmasave të qeverisë, kundrejt 5.02 që vlerësohet Afrika e Jugut, pra, pothuajse dy herë më të madhe në proporcion me popullatën. Në të drejtën e pronësisë dhe sigurinë, vendet janë përafërsisht në të njëjtin shkallë vlerësimi. Ndërsa për aksesin në kreditë e shëndosha, Shqipëria është afër shkallës 10, respektivisht 9.63, kundrejt 7.9 që merr vendi tjetër. Në lirinë e tregtisë ndërkombëtare, vendet janë pak a shumë në të njëjtën përqindje. Në qoftë se në Shqipëri shpenzimet totale në rroga e të tjera për qeverinë janë 10.43 përqind e GDP-së, për Afrikën e Jugut janë 25.53 përqind. Imagjinoni për një moment se çfarë ndodhi me paratë që ne trefishuam për bashkinë e Tiranës, kur ato u shndërruan të gjitha në rroga për 4 mijë punonjës.
Taksat në Shqipëri janë 10 përqind, në Afrikën e Jugut janë 40 përqind. Kjo flet vetë! Taksa marksiste do të mbetet për këtë shekull, e ndrydhur në kasafortën e Partisë Socialiste. Shifrat e tregojnë vetë se çfarë krijon taksa progresiste e Marksit. Nuk mund të kishte krahasim programor më spektakolar, më të qartë e të rëndësishëm se ky.
Duke përshëndetur edhe një herë suksesin e reformave të kësaj administrate, do t’i garantoj qytetarët shqiptarë, biznesmenët shqiptarë se liria ekonomike do të njohë dimensione dhe konsolidime të reja. Loja me lirinë ekonomike është loja me kafshatën e gojës. Loja me lirinë ekonomike është loja me rrënimin e madh të vendeve të punës. Punësimi është e do të mbetet qëllimi më madhor i kësaj qeverie. Natyrisht, punësimi mbi bazën e iniciativës së lirë dhe të lirisë ekonomike dhe jo të shndërrimit të administratës si sipërmarrje publike punësimi. Raporti thotë se në rast se ekziston ëndrra e prosperitetit, si një ëndërr e ligjshme për qytetarët e lirë, për të parë veten, familjen e shoqërinë e tyre më të begatë, kjo ëndërr shkatërrohet tërësisht nga taksat progresiste e taksat e socializmit real, se taksa progresiste është taksa e Marksit. Kjo ëndërr bëhet gjithnjë e më shumë e vërtetë nëpërmjet lirisë ekonomike. Ju e patë se Afrika e Jugut ka taksat 40 përqind në total, taksë që Shqipëria e ka 10 përqind. Nëse i referohemi investimeve publike, po t’i proporcionosh me taksën, Shqipëria ka 250 përqind më shumë investime publike se Afrika e Jugut. Kjo, sepse administrata e fryrë merr të gjitha shpenzimet dhe nuk mbetet për investime.
Ndaj dua të falenderoj këto institucione, ndër më seriozet në botë, si për vlerësimin që i kanë bërë lirisë ekonomike të Shqipërisë, por edhe për leksionin që japin e mbrojtjen që i bëjnë kësaj lirie në botë, ku theksohet se socializmi shkatërron pasurinë, liria ekonomike udhëheq në krijimin e saj.”
01/08/2012