Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha pėrshėndet hapjen e ambasadės sė Izraelit nė Shqipėri
 

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e hapjes së ambasadës së Izraelit në Shqipëri. Pas himneve kombëtare të dy vendeve, hapja përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Tiranë u përshëndet nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit Avigdor Lieberman, i cili ndodhet në një vizitë në Shqipëri për këtë qëllim dhe Kryeministri Berisha.  

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zonja kryetare e Parlamentit,

Zoti  Zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Izraelit Lieberman,

Zoti Zëvendëskryeministër i Shqipërisë Haxhinasto,

Zoti ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë  Panariti,

Zoti kryetar i opozitës Rama,

Zotërinj deputete,

Të dashur anëtare e anëtare të komunitetit hebre në Shqipëri,

sot është një ditë e madhe, është një ditë e veçantë dhe historike në marrëdhëniet e gjata midis dy kombeve tona. Sot hapet në Shqipëri, ambasada e shtetit të Izraelit, si dëshmi e një marrëdhënie të shkëlqyer, të gjatë, i një raporti të veçantë moral që bashkon dy kombet tona.

Me këtë rast, dua t’ju shpreh falenderimin tim më të përzemërt juve, zoti Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për rolin kryesor që keni luajtur në vendimin e qeverisë suaj për të hapur ambasadën e shtetit tuaj në Tiranë, të falenderoj Kryeministrin Netanyahu dhe Presidentin Shimon Peres për dekretimin si ambasador i parë rezident në Tiranë të zotit Cohen, një ambasador i shkëlqyer, me kontribute të veçanta në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Hapja e ambasadës së shtetit të Izraelit përbën një inkurajim të madh për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve midis dy kombeve e vendeve tona, në të gjitha fushat. Shqipëria është një vend i vogël, por, para së gjithash, për qytetarët e vendit tuaj është një vend tradicionalisht në shekuj e mijëvjeçarë mik i vërtetë. Në këtë vend janë gjetur gjurmë të hershme të ngulimeve hebreje që shkojnë shumë e shumë shekuj më parë. Edhe historia dëshmon se në periudha të ndryshme, valë emigrantësh hebrenj, të shpërngulur nga vende të Europës, kanë gjetur këtu strehë e miqësi dhe kanë dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e këtij vendi. Faqja më e ndritur e marrëdhënieve midis dy kombeve tona u shkrua në një nga momentet më të vështira të historisë së kombit tuaj dhe në një nga barbaritë më të mëdha të qytetërimit të realizuar ndonjëherë, siç ishin vite e Holokaustit që filluan në vitin 1933, për të përfunduar me Luftën e Dytë Botërore.

Pak muaj më parë vizitova muzeun e Holokaustit në Washington. Dua t’ju rrëfej një të vërtetë intime. Ajo ditë ishte dita e dytë, në të cilën jam ndjerë më krenar në jetën time. Duke vizituar galeritë e këtij muzeu njiheshe me universin e dhimbjes së madhe, por edhe të një barbarie që filloi në vitin ’33, ndaj qytetarëve hebrenj, në vende të qytetëruara, që u tolerua, u bashkëpunua, pasi ky ishte një proces i gjerë. Tek shikoja fillimet e Holokaustit në Gjermani, më rikujtoheshin vitet e diktaturës që ne kishim përjetuar në Shqipëri. Për të gjithë ata që e njohin, diktatura, terrori ka aftësinë e tmerrshme të shndërrimit të frikës në të gjitha ndjenjat e tjera njerëzore. Kjo ndodhi fillimisht me kombin e madh gjerman e më pas me kombe të tjera, të cilët ose u treguan indiferentë, ose në një mënyrë apo tjetër favorizuan këtë barbari të pashembullt. Kjo nuk ndodhi me shqiptarët, nuk ndodhi me Shqipërinë zyrtare të viteve ’30. E kundërta është e vërtetë. Shërbimit konsullor që kishte në vende të ndryshme, mbreti shqiptar i dha porosi të mos pengonte lëvizjen e hebrenjve drejt Shqipërisë. Në atë muze, shqiptarët figuronin kombi i vetëm që jo vetëm nuk mori pjesë, nuk ka bashkautorësi në Holokaust, por bëri gjithçka, në emër të virtytit e moralit të tij, të shpëtojë jetën e qytetarëve hebrenj, nga një gjueti çnjerëzore që zhvillohej pothuajse në mbarë Europën.

Është në meritën më të madhe të atyre qytetarëve të kombit tuaj, të cilët pas lufte u bënë avokatët më të fuqishëm të virtytit moral të shqiptarëve. Ata kishin prodhuar një film ndër më të bukurit që unë kam parë në jetën time. Filmi titullohej “Besa” dhe dëshmonte gjithë këtë akt të familjeve shqiptare në mbrojtje të qytetarëve hebrenj në Shqipëri, numri i të cilëve u rrit disa herë në fund të luftës, krahasuar me fillimin e saj.

Kombi juaj gjatë gjithë këtyre dekadave njohu zhvillime të fuqishme, të pandërprera. Në një mjedis armiqësor ndaj tij, në të cilën antisemitizmi përdoret si doktrinë për të konsoliduar regjimet opresive dhe si një atavizëm i një trashëgimie të shkuar, Izraeli u bë shembull i zhvillimit demokratik dhe potencialeve të mëdha të lirisë dhe fakti që ju, zoti Lieberman, një ish student në Bashkimin Sovjetik jeni sot, këtu, si Zëvendëskryeministër i këtij shtetit, për të hapur ambasadën e vendit tuaj në Tiranë. Kjo është mrekulli e lirisë në tërësi dhe e vendit tuaj në veçanti.

Ndaj mendoj se mënyra më e mira e nderimit të këtij raporti moral, që ka bashkuar shqiptarët dhe hebrenjtë, është sot hapja e kësaj ambasade, e kësaj shtëpie të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Jam i sigurt se marrëdhëniet tona do të njohin zhvillime shumë pozitive, miqësore në të ardhmen.

Edhe një herë urimet më të përzemërta dhe falënderimet e mia për rolin tuaj personal, përshëndetje të përzemërta Presidentit Peres dhe Kryeministrit Netanyahu, për vendimin e tyre të shkëlqyer për të hapur ambasadën në Shqipëri.   


02/08/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha prezanton kandidatėt pėr deputetė tė qarkut tė Dibrės
Kryeministri Berisha prezanton kandidatėt e rrethit tė Librazhdit
Kryeministri Berisha inspekton punimet pėr rikonstruksion e lotit tė parė tė rrugės Librazhd – Dibėr
Kryeministri Berisha pret shefen e Misionit tė ODIHR-it Conny McCormak dhe anėtarė tė tjerė tė misionit vėzhgues tė OSBE/ODIHR
Kryeministri Berisha pėrshėndet Konferencėn e Nivelit tė Lartė tė OSBE-sė mbi Tolerancėn dhe Mosdiskriminimin
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Vlorė
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave