Kreu      Kontakt     Harta e Faqes     E-mail
 
English   
 
Kryeministri
Prof. Dr. Sali Berisha

 
DAP
 
Informacione mbi Kryeministrinë
Informacione mbi Kryeministrinë
 
 
Kryeministri Berisha: Referendum pėr kufizimin e imunitetit tė deputetėve, gjykatėsve dhe zyrtarėve tė tjerė tė lartė
 

Pas debatit parlamentar mbi draftin ligjor, të dakortësuar më parë me opozitën, për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit dhe pasi opozita nuk e dha pëlqimin e saj për votimin në seancën e sotme plenare të këtij projekti, Kryeministri Berisha njoftoi në parlament, nismën më të re të mazhorancës për të iniciuar thirrjen në referendum të përgjithshëm, të qytetarëve shqiptarë, për votimin e kufizimit të imunitetit për deputetët, gjykatësit dhe zyrtarët e tjerë të lartë të tyre. 

Në vijim, fjala e Kryeministrit në parlament.

“Të dashur qytetarë shqiptarë që sot ndiqni me kaq interes, këtë seancë plenare, e mbledhur për herë të parë në historinë e këtij parlamenti në një ditë gushti, për një vendim madhor që ligjvënësit e vendit duhet të merrnin për veten e tyre: të hidhnin mënjanë mburojën e imunitetit, të pranonin barazinë e tyre para ligjit, të shembnin murin zyrtar të korrupsionit dhe të hapnin dyert e marrjes së statusit të vendit kandidat. Mendoj se rrallë ndonjëherë në historikun e këtij parlamenti, ligjvënësit shqiptarë, me votën e tyre pro, do të mund të kishin merita dhe efekte më të mëdha për zgjedhësit e tyre, për shoqërinë shqiptare, për ligjvënësit, institucionet dhe të ardhmen europiane të vendit.

Por, mjerisht, me gjithë rëndësinë jetike të këtij votimi, për të çelur dyert e statusit për në Bashkimin Europian, sot nga ora 10.30, deputetët e opozitës ngritën tullë pas tulle e gurë pas guri murin e bllokimit. Ata u përcaktuan në mënyrë unanime se do të bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit. Në një akt të paprecedent në historinë e parlamentarizmit të vendeve demokratike, ata do të ngrihen në një kundërshtim flagrant me interesat jetike të zgjedhësve të tyre, do të ngrihen në mbrojtje të imunitetit.

Ju besoni se me diskutimet tuaja, sot, e keni bërë këtë mur më të lartë e më të trashë se kurrë. Gaboheni rëndë! Sot, ju i keni dëshmuar zgjedhësve tuaj disa plane të qarta të forcës suaj politike, më drejt të udhëheqjes politike të kësaj force. Së pari, në të gjitha diskutimet tuaja spikat vullneti negativ për bllokim, bllokim e vetëm bllokim. Duke vazhduar në këtë mënyrë një traditë, të cilën e keni shfaqur me dhjetëra herë, në periudhën e pluralizmit. Ishte partia juaj, ajo që paraqiste në këtë sallë, rezoluta kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ishte partia juaj, ajo që ishte kundër manovrave të përbashkëta ushtarake që bënte Shqipëria me NATO-n. Natyrisht, në atë kohë kishte deputetë në gjirin e partisë suaj që kundërshtonin këtë vullnet të ligë, që rridhte nga partia mëmë. Janë të shkruara në muret e kohës, fjalët se “molla nuk është pjekur”, në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohej në Këshillin e Europës. Ishte tipik slogani i Partisë së Punës së Shqipërisë.

Sot u përballën dy kultura, ose më saktë antikultura me kulturën. Ju sërish vini me antiintegrimin. Ju mendoni se shqiptarët kanë harruar bilbilat, dajret e veglat e tjera që për tre muaj rresht, ju futët në parlament, në një kohë kur Europa kërkonte të firmoste me ne, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. A e keni kuptuar si ju shndërroi kryetari juaj, në bilbilaxhinj, si ju transformoi ju  politikanëve, në sazexhinj, këtu, në sallën e parlamentit? Këtë e bëri së pari, për t’ju depersonalizuar tërësisht, sepse i duhej ky proces. Së dyti, për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por që nuk e bllokoi dot, sepse ajo kontratë kishte rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare.

Në vitin 2007, kur ne po bënim gjithçka për një president konsensual, zoti Rama bënte gjithçka për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo është  e vërteta!

A nuk jeni ju që, në ditën kur në Bukuresht do të merrej ftesa për anëtarësim në NATO, me median tuaj njoftonit shqiptarët se nuk do të jepej ftesa dhe thirrët mitingun anti NATO. Sërish opozita juaj nuk ishte kjo e sotmja, nuk kishte kaluar atë proces të tmerrshëm që kaluat ju gjatë këtyre viteve. Edhe atëherë kishte zëra të fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ju bëtë gjithçka për të penguar integrimin e këtij vendi. Ditën, kur në Pragë do të dorëzohej kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ju u ngritët fuqishëm se kjo është e parakohshme dhe nuk mund të bëhej.

Në vitin 2008, u bënë një seri ndryshimesh kushtetuese. Ata që sot thonë se nuk jemi ata që ishin, sigurisht harrojnë, por kanë marrë mesazhet më të përsëritura që të ndryshojmë Kushtetutën për imunitetet. Por kjo refuzohej në mënyrë kategorike nga kryetari juaj, sepse ai besonte se do të ishte kryeministri i ardhshëm dhe pa imunitet nuk mund ta konceptonte veten,  asnjë sekondë. Kryetari juaj besonte se me 50+1 përqind do të mund të zgjidhte sërish Bamir Topin apo një Top tjetër si ai. Por nuk mendonin kështu shqiptarët dhe nuk ju votuan.

Dhe sërish vini me qëndrim bllokues. Ju që i thoni Sali Berishës përse nuk u kujtove gjatë këtyre dy viteve, unë ju pyes: ku keni qenë ju, zotërinj? Gjashtë muaj jashtë parlamentit. Rrugëve ose deputetë me votë të ndaluar nga kryetari, i cili nuk ju linte të votoni. Edhe në rastin e fundit, kur u votua për presidentin, ju ishit në sallë, por nuk ju la të votonit, sepse e dinte që ndonjë votë mund t’i devijonte. Në këtë mënyrë, ai përdor praktikën fundamentaliste kundër jush: Asnjë nuk duhet të shtypë butonin! Por nuk kishte asgjë më qesharake e më ofenduese.

Bllokimi është bërë modus operandi për ju.

Ndalemi tek heqja e vizave. Na u kërkua një ligj i veçantë për pasuritë kriminale. Jo vetëm që e votuat kundër, por e çuat ligjin në Gjykatën Kushtetuese. A mund të ndodhë në botë që një opozitë të kërkojë me çdo kusht të mbrojë trafiqet! Për më tepër që ne e morën ligjin, nga një vend që ka transparencën më të madhe dhe kjo është qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e cila na e ofroi këtë ligj, për të na ndihmuar. Opozita, në emër të trafikantëve, në emër të atyre që vendosnin pasuri krimi, e çoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Zëdhënësit e kujt ishit ju, të socialistëve të thjeshtë shqiptarë apo të atyre që akumulojnë pasuri me trafiqe?!

Të nderuar zotërinj deputetë të opozitës,

Bllokimi është modus operandi juaj.

Të mos harrojmë se në një rast unik, ju keni votuar kundër të gjitha rritjeve të rrogave e pensioneve, në këtë vend. Kurrë nuk e kam kuptuar këtë! Kur kam qenë në opozitë, nuk më ka shkuar kurrë në mendje të mos votoja për rrtije të rrogave e pensioneve, përkundrazi, kam kërkuar rritje të mëtejshme të tyre. Të kujtohet, kur ishe kryeministër [zoti Pandeli Majko], ta kam kërkuar këtë, kur sillje në parlament, buxhetin dhe kishe sensin për të bërë lëshime. Nuk mund të imagjinohej të votonim kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Ndërsa ju keni votuar kundër çdo rritjeje rrogash dhe pensionesh, paçka se nuk mund t’i bllokonit, sepse për këtë, Kushtetuta ka përcaktime të tjera. Po ashtu keni votuar kundër çdo rritjeje të ndihmës ekonomike.

Sot, historia është tjetër. Ajo është një nga historitë më të mëdha të suksesit. Ne e gjetëm rrogën mesatare prej 230 dollarësh, sot është 520 dollarë. Rrogat i gjetëm me një diferencë 11 herë midis rrogës mesatare të infermieres apo mësuesit, me atë të kryeministrit, sot kjo diferencë është 5.5 herë. Pensionin mesatar në fshat e gjetëm 34 dollarë, sot të ardhurat pensionale në fshat janë rreth 78 dollarë. Pensionet në qytet kanë pësuar rritje prej 60-70 përqind. Ndihma ekonomike është dyfishuar. Po ashtu është dyfishuar fondi pensioneve.

Kjo është Shqipëria që ju nuk e doni dhe nuk e doni vetëm për një arsye: se qytetarët vlerësojnë këto ndryshime të prekshme dhe votojnë këtë mazhorancë dhe jo juve. Por ky nuk është faji i shqiptarëve, por i juaji, që nuk keni ditur dhe keni përdorur si modus operandi bllokimin dhe vetëm bllokim.

Sot, unë njoftoj shqiptarët se një grup fanatikësh në këtë grup parlamentar nuk ka kaluar as edhe një herë në rrugën e kombit dhe shkon në Kosovë nga Maqedonia, se  një grup prej fanatikësh në këtë grup nuk kalon dot në rrugën “Murat Toptani”, sepse po ta marrë vesh kryetari i tyre, u bën namin. Rrugën e kombit nuk e donit, pasi problemi i saj ishte më kompleks, po me rrugën e Elbasanit çfarë kishit që e mbajtët parlamentin mbledhur deri në orën pesë të mëngjesit dhe nuk e votuat. Mendoni se qytetarët e Elbasanit nuk kanë memorie, se shqiptarët nuk kanë memorie. Do jetë një breshëri spotesh që do të sjellim së shpejti, para syve të shqiptarëve, për votimit të asaj nate kundër rrugës. Ku janë deputetët e Elbasanit!? Ku është deputetja e Elbasanit që thotë se nuk kanë lidhje pensionet me korrupsionin!? Pse u ngritët kundër kësaj rruge dhe për çfarë ju lëndon një rrugë që u shkurton një orë kohë udhëtimin, 1.2 milionë shqiptarëve!?

Së fundi, ju që keni shpifur, trilluar e akuzuar se në jug nuk po bëhen investimeve, tani që u investuan dy nga rrugët më të bukura, me të cilat Shqipëria  e jugut nuk është kurrë më ajo që ishte, përse një muaj më parë votuat kundër fondit shtesë!? Dhe për këto janë votat tuaja që flasin. Ju donit që ato të mos inauguroheshin para zgjedhjeve. Domethënë, gjirokastriti të vinte nga Gjirokastra në Tiranë nëpërmjet rrugës së Mallakastrës, të kalonte pesë orë kthesë pas kthese, mjafton që ju t’i thoshit se Berisha nuk investon. Ju vazhdoni në rrugën e vjetër, shkoni në Gjirokastër nga rruga e Mallakastrës, shkoni në Vlorë nga Panajaja, e rëndësishme është që qytetarët shqiptarë kanë rrugë e autostrada të reja, vepra madhore të kësaj mazhorance dhe e performancës së saj ekonomike.

Zotërinj, a nuk ishit ju që bllokuar vite me radhë Kodin për Transportin Rrugor, i cili nuk kishte asgjë politike, por vetëm forconte luftën kundër aksidenteve. Ju pyes, me Gjykatën Administrative ku e keni hallin!? Ju bërtisni për reformën në drejtësi. Një nga degët e rëndësishme të gjyqësorit u reformua me një ligj të shkëlqyer. Pati një fond prej 15 milionë dollarësh për ndërtimin e  konsolidimin e saj. Fond, të cilin e dogjët, sepse duhej të bllokonit.  

 

Të dashur qytetare e qytetarë, një nga arritjet më historike tuajat ka qenë heqja e vizave. Por qëndrimi i opozitës ishte luftë totale, me racistë antishqiptarë, që vizat të mos u hiqeshin shqiptarëve. Individë pa moral, në bashkëpunim me deputetët e opozitës bënë gjithçka kundër heqjes së vizave. U arrit deri aty sa kryetari të dërgonte email, ku thoshte se 800 000 shqiptarë do të dynden po u hoqën vizat. Dhe kjo, pasi bëri vallen nëpër Shqipëri, duke më kërcënuar: Hap kutitë,  të çlirosh vizat. Por ju i morët vizat, sepse ky proces kishte një pyetësor, plotësimi i të cilit varej njëqind përqind nga qeveria dhe nuk ishin 12 kërkesa, por 120 kërkesa, të cilat qeveria i plotësoi një e nga një, të gjitha. Sot, ju lëvizni të lirë.

Sot keni vendosur të mos votoni heqjen e imunitetit dhe e shprehët këtu, se këtë e bëni vetëm e vetëm se keni frikë nga vetja juaj. Tjetër thotë zotëria që është kryetari juaj, e tjetër thoni ju këtu, se pa imunitet, gjykatësit e Berishës do të bëjnë këtë apo atë. Zotërinj, ju e morët Presidentin Topi, e konvertuat. Unë jua lashë Topin juve dhe ju e morët. A e nxitët ju, çakallin tjetër, për ta shndërruar KLD-në në parti politike dhe presidencën në parti politike. Dhe ju flisni për institucione! Ju e morët çakallin dhe menduat Eureka! Me partinë në presidencë dhe në KLD do të mundim Berishën, por me veprime si këto ju vetëm më rrisni votat. Ju mendoni se me bizantinizma do t’i gënjeni shqiptarët. Kurrë!

Shqiptarët panë sot tek ju zotimin solemn se me imunitet kemi vjedhur, vjedhim e do të vjedhim. Po flas shqip, të më kuptojnë shqiptarët.  Të dashur qytetarë shqiptarë, qëndrimi i këtyre zotërinjve sa më rrit dhe shumëfishon vullnetin e kësaj mazhorance për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin. Me këtë luftë, ne kemi siguruar 8 miliardë dollarë më shumë dhe prapë ka korrupsion. Me këtë luftë, ne kemi bërë që Shqipëria nga vendi i fundit për investimet e huaja, të jemi në çatinë e botës për investimet për frymë. Me këtë luftë, ne kemi bërë që Shqipëria të ketë sistemin më transparent të prokurimeve publike. Ne nuk e mohojmë që sërish ka korrupsion. Por ne donim që sot të tregonim vullnet të përbashkët, siç na ka hije. Është e gabuar t’ju e ngatërroj e t’ju krahasoj me klubin e miliarderëve të partisë apo me disa që bërtasin e fshehin me imunitet taksat e firmave familjare të tyre, apo që sulen të tërbuar për familjet e tyre, për të ngritur traun e doganës. Këta nuk janë shumica juaj, por mjerimi juaj është se jeni nën diktatin e tyre.

Shqiptarët panë bllokim dhe vetëm bllokim: bllokim i statusit, bllokim i imunitetit. Ju mendoni se do ta fitoni këtë betejë? Kurrë! Kjo betejë do të fitohet nga burrat e gratë, djemtë e vajzat, politikanët e zyrtarët që janë të vendosur të vendosin një standard të ri moral, etik e ligjor në këtë vend. Në qoftë se ju, nën diktatin e klubit të miliarderëve të partisë suaj, sot u bëtë bllok dhe lartësuat më shumë se kurrë murin e turpshëm të korrupsionit e të imunitetit, unë ju garantoj se ky është fundi i këtij debati dhe se nesër forca ime politike, mazhoranca jonë do të fillojë procesin për t’iu drejtuar socialistëve të thjeshtë, demokratëve të thjeshtë, qytetarëve pa parti: referendum popullor për heqjen e imunitetit. Dhjetë vite e kundërshtuat, por besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi. Fatura është e tmerrshme mbi ju.

Qytetarët shqiptarë, socialistë, demokratë, lsi-stë, republikanë, pdiu-istë e të tjerë, të gjithë do të votojnë sëbashku në një plebishit të vërtetë, heqjen e murit të turpit të korrupsionit e të imunitetit, vendosjen e barazisë para ligjit dhe do t’i dëshmojnë Europës se ata nuk ndajnë me klubin e miliarderëve moralin e obskurantizmit dhe të pabarazisë ligjore.

Ndaj kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do të ecim në mënyrë të pandalshme drejt referendumit popullor, për të shembur murin e imunitetit, për t’i hapur dyert hetimit të ndershëm, të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit. Faleminderit.   

 

 


06/08/2012

   Foto Galeri...

   
 
   Multimedia...
   
 
   Kërko në faqe
Kërkim i Avancuar
 
   Lajme Shkurt
 
Kryeministri Berisha prezanton kandidatėt pėr deputetė tė qarkut tė Dibrės
Kryeministri Berisha prezanton kandidatėt e rrethit tė Librazhdit
Kryeministri Berisha inspekton punimet pėr rikonstruksion e lotit tė parė tė rrugės Librazhd – Dibėr
Kryeministri Berisha pret shefen e Misionit tė ODIHR-it Conny McCormak dhe anėtarė tė tjerė tė misionit vėzhgues tė OSBE/ODIHR
Kryeministri Berisha pėrshėndet Konferencėn e Nivelit tė Lartė tė OSBE-sė mbi Tolerancėn dhe Mosdiskriminimin
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Gjirokastėr
Konferencė pėr shtyp e Kryeministrit Berisha nė Vlorė
Fjala e Kryeministrit Berisha nė tubimin elektoral nė Berat
Kryeministri Berisha inauguron rehabilitimin e dy nėnstacioneve elektrike nė Elbasan, me vlerė 11 milionė euro
Kryeministri Berisha pėrshėndet takimin e BSPSH-sė nė kujtim tė 22 vjetorit tė grevės sė pėrgjithshme tė vitit ‘91
 
Email:
Regjistrohuni qė tė merrni lajmet e fundit









Disclaimer Te gjitha te drejtat e rezervuara Keshilli i Ministrave