Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

Njoftim pėr shtypin


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Kryeministri Berisha pritet nga Kryetari i Kongresit tė SHBA-sė, John Boehner

27/04/2012

     

Kryeministri Berisha është pritur sot, në takim, nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht Kryetar i Kongresit të SHBA, zotin John Boehner.


Zoti Boehner i shprehu Kryeministrit kënaqësinë për këtë vizitë në SHBA dhe në Kongres, si dhe interesin për zhvillimet dhe reformat në Shqipëri.


Kryeministri Berisha, duke e falenderuar zotin Boehner për pritjen, e njohu me reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, në atë politike, në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, turizmit, teknologjisë së informacionit etj..

Në lidhje me proceset integruese, Kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht Kryetarin Boehner për mbështetjen e madhe të Presidentit, Kongresit dhe kombit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha i theksoi Kryetarit Boehner se tani, prioritet kryesor i qeverisë shqiptare mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.


"Keni bërë një punë të mrekullueshme për ta çuar vendin në rrugën e duhur. Jemi shumë të kënaqur nga raportet që marrim mbi zhvillimet në Shqipëri" - u shpreh z. Boehner.


Në takim, bashkëbiseduesit rikonfirmuan se liria ka funksionuar në zhvillimin dhe përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë.


Më tej në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon, si edhe përpjekjet e rëndësishme që po bëhen në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian, për të tejkaluar krizën që ka prekur disa vende të Eurozonës.


Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar Kryetarin e Kongresit, z. Boehner, për të vizituar Shqipërinë, duke i theksuar se për shqiptaret do të ishte një nder i madh që në 100 vjetorin e pavarësisë të mirëpresin një mik të shquar.


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit