Republika e Shqipėrisė
Kėshilli i Ministrave
Zyra e Komunikimit dhe Informimit

 


Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560


Fjala e Zėvendėskryeministrit, Z. Gazmend Oketa nė takimin me komunitetin shqiptar nė SHBA, me rastin e Ditės sė Pavarėsisė

     

“Të nderuar shkëlqesi ambasadorë

Të nderuar bashkatdhetarë

Zonja e zotërinj

 

Kam kënaqësinë dhe nderin që të jem sot pranë bashkëkombësve të mi që jetojnë në SHBA, në këtë datë, datën më të rëndësishme historike për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen, në festën tonë kombëtare. Festa e pavarësisë ka qenë gjithmonë një pikë reference për çdo shqiptar, pavarësisht regjimit, bindjeve politike apo vendndodhjes së tyre. Të gjithë ne kemi të ngulitur imazhin e Ismail Qemalit në Vlorë duke ngritur flamurin shqiptar dhe shpallur Shqipërinë të Mosvarme. Sot ne festojmë një përvjetor të pavarësisë, të 95-in. Besoj gjithsecili nga ne, sot ka ndjesinë se vërtet ka kaluar afro një shekull nga ajo ditë, por zhvillimet që kanë ndodhur dhe priten të ndodhin na rikthejnë në kohë ëndrrën e shqiptarëve të 1912.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

95 vjet me parë, në Vlorë , Shqipëria, shpallej ...”e lirë, indipendente dhe e mosvarme”. Pas afro 5 shekujsh nën pushtimin osman, vendi i shqiponjave u bë i pavarur. Shqiptarët për shekuj me radhë nuk e kishin braktisur atdheun, gjuhën dhe identitetin e tyre .

Pavarësisht kontributit të shqiptarëve me në krye Gjergj Kastriotin pesë shekuj më parë, duke shndërruar Shqipërinë në mburojën e Evropës nga pushtuesit osmanë, fuqitë e mëdha në 1913 vendosën copëtimin e trojeve shqiptare. Kombi ynë do të kalonte vështirësi të mëdha dhe vite pas copëtimit, por si sot, dhe atëherë na u gjend një mik, Presidenti i SHBA Wilson, të cilit ne i jemi mirënjohës për qëndrimin e tij kundrejt çështjes shqiptare në konferencën e paqes në Paris.

Shqiptarët gjatë shekullit të kaluar do të kalonin vështirësi të mëdha, që nga padrejtësitë, pushtimet, regjimet komuniste e totalitare. Shqipëria, pas rënies së regjimit komunist, pa menjëherë nga Bashkimi Europian dhe SHBA. Vendi ynë tani po bën hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik, reformave për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nënshkrimi i MSA dhe një sërë masash dhe hapash të tjera, që synojnë ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend të begatë për të gjithë shqiptarët, në një vend ku të sundojë ligji në një vend partner serioz me SHBA dhe shtetet e tjera perëndimore në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe vendosjen e ruajtjen e paqes në botë. Tashmë Shqipëria është një vend i cili garanton stabilitetin në Ballkan.

Në ditët tona, dimensioni kombëtar shoqërohet me dimensionin e integrimit, dimension ky që synon bashkëjetesën e popujve në paqe dhe rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat për sigurimin e një mirëqenieje sa më të mirë për të gjithë.

Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës, pavarësia e saj, vendos drejtësinë për shqiptarët, të cilët kanë demonstruar se duan lirinë dhe paqen, por dinë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre. Mesazhi i Presidentit Bush ‘ Time is now’ në vizitën e tij historike për kombin tonë në Tiranë,  shpërblen shqiptarët për durimin e treguar dhe besimin e shfaqur tek SHBA në zgjidhjen e të drejtave të tyre. Tani, që kjo çështje është në momentet e fundit, ne të gjithë duhet të tregohemi të duruar dhe të matur, të bashkëpunojmë me ata që na kanë mbështetur dhe të shohim drejt të ardhmes.

Përfitoj nga rasti të përshëndes dhe falënderoj diasporën shqiptare për gjithë kontributin e dhënë për çështjen tonë kombëtare. Ata kanë qenë dhe janë ambasadorët tanë të përhershëm për përhapjen e historisë dhe vlerave shqiptare në botë. I ftoj ata të bëhen pjesë e zhvillimit të kombit tonë, duke investuar në ekonomi dhe fusha të tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku të përhapim vlerat perëndimore të një kombi të vjetër evropian, siç është kombi ynë.

 

Së fundmi,

Falënderoj trupin diplomatik të pranishëm dhe ambasadën tonë për ftesën, i bindur se festa e pavarësisë e vitit tjetër do të na gjejë të gjithë së bashku, ashtu siç dhe himni ynë kombëtar thotë: rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë me një qëllim.

 

Faleminderit.”

28/11/2007


          


Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit