|
Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560
Kryeministri Berisha njeh qeverinė me rezultatet e vizitės zyrtare nė Kosovė
Zotërinj ministra, Unë dua të informoj qeverinë lidhur me vizitën dy ditore në Kosovë. Nuk ka vend tjetër në botë, ku unë shkoj më me kënaqësi se në këtë vend. Këtë herë m’u krijua përshtypja se po udhëtoja një mrekulli shqiptare dhe jo vetëm. Kisha kënaqësinë e madhe të gjej në Kosovë vlerat e mëdha të krijuara nga kombi shqiptar dhe shtyllat solide për të ardhmen e Kosovës, që populli, qeveria dhe shteti i ri i Kosovës kanë vendosur në një kohë të shkurtër 20 mujore. Në Kosovë, m’u rezervua një pritje vëllazërore e shkëlqyer. Vizitën e nisa me takimin me Kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi, me të cilin diskutuam gjerësisht mbi intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruam marrëveshje shumë të rëndësishme për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, për luftën kundër kriminalitetit dhe marrëveshje të tjera. Me Kryeministrin Thaçi ramë dakord të punojmë intensivisht për finalizimin e një kuadri të plotë bashkëpunimi më të gjerë, rreth standardeve më të mira europiane. Ky bashkëpunim do të shtrihet në të gjitha fushat pa përjashtim. Kosova është një vend në ndërtim dhe me gjallëri të pamohueshme, me dinamizëm ekonomik, por, për fat të keq, në krahun verior të saj është e bllokuar, sepse nuk zbatohet marrëveshja e tregtisë së lirë. Kështu që, autostrada ka dhënë një frymëmarrje të madhe dhe meqenëse jam në fushën e transportit, zoti Ministër i Punëve Publike do të ndërmarrësh menjëherë e do të përzgjedhësh kompaninë e konsulencës për të bërë fizibilitetin për hekurudhën. Hekurudha me Kosovën është lidhja më me interes për portet shqiptare, sepse lidhet me Serbinë dhe ecën drejt Europës Qendrore. Ne e kemi lidhjen hekurudhore me Malin e Zi, do ta plotësojmë edhe me Maqedoninë, e cila do të përbëjë një lidhje lindore shumë të rëndësishme. Ne do ta finalizojmë këtë lidhje në 3-4 kilometrat që kanë mbetur dhe do t’i shtrimë shinat deri në kufi. Sikundër edhe Maqedonia do të ndërtoi pjesën e saj, që është më e gjatë. Por lidhja hekurudhore me Kosovën ka rëndësi të jashtëzakonshme, në veçanti pas ndërtimit të portit të Vlorës, i cili për eficencën e tij të plotë kërkon lidhjet më të fuqishme hekurudhore me rajonin, me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ndërsa me Malin e Zi kjo lidhje ekziston, me Maqedoninë është e zgjidhshme, pasi, siç e thashë më lart, janë vetëm 3-4 kilometra, me Kosovën është për t’u ndërtuar. Ne do shohim se nga do të dalë fizibiliteti, nga Miloti drejt Prizrenit apo Vau i Dejës drejt Gjakovës. Por ky studim duhet të fillojë menjëherë. Pas studimit, fillon projekti. Unë nuk mund të them se ndërtimi i saj do të fillojë gjatë këtij mandati, por të jetë gati për mandatin tjetër. Ndonëse nuk përjashtohet kjo mundësi, pas daljes së projektit, pasi miqtë mund të na ndihmojnë, institucionet ndërkombëtare, gjithashtu, mund të na ndihmojnë si një projekt rajonal jashtëzakonisht i rëndësishëm. Gjithsesi, nuk mund të them se do fillojë me buxhetin e këtij mandati, pasi projektet e këtyre katër viteve janë të përcaktuara, por le ta kemi gati se në rast se nuk fillohet në këtë mandat, ky të jetë projekti i parë që fillohet në mandatin 2013-2017. E theksoj se hekurudha është jashtëzakonisht e rëndësishme. Transporti rrugor është i pamjaftueshëm dhe transporti me kontenier, për shkak të përmasave që do të marrë porti i Vlorës që në projektidenë e tij do të jetë porti më i madh i kontenierëve në Mesdhe, ka kusht jetik transportin hekurudhor. Në këtë kontekst, edhe linja Tiranë-Vlorë duhet të ristrukturohet, në funksion të portit të Vlorës. Në Kosovë, unë u prita nga Presidenti i Republikës, zoti Fatmir Sejdiu në një takim shumë të përzemërt. Presidenti Sejdiu më nderoi me Medaljen e Lirisë, të cilën e pranova si nderimin më të madh për kontributin që qytetarët e Kosovës kanë bërë për lirinë e çdo shqiptari. Duhet të jemi realistë se nuk ka sakrifikuar kush, më shumë se ata për lirinë. Dhe ia dolën. Unë isha në Prekaz. Nuk ka ndonjë familje tjetër në kombin shqiptar që të jetë flijuar me 53 anëtarë të familjes si Adem Jashari, në një kohë kur pakkush mendonte se ajo luftë do të sillte rezultatet që solli, duke u shndërruar në legjendë dhe frymëzim. E gjithë familja, me gra dhe fëmijë nuk zgjodhi tërheqjen, por zgjodhi flijimin në një luftë të pashembullt. Ngjitur tij ishte varri i Shaban Polluzhës, në Cerralev familja Berisha me 40 të rënë, më tutje Raçaku. Vlera të jashtëzakonshme lirie janë krijuar në Kosovë. Me Presidentin Sejdiu Ramë dakord që të intensifikojmë të marrëdhëniet në të gjitha fushat. Shqipëria do të ndihmojë me të gjitha mundësitë e saj për promovimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Në Kosovë po bëhet një punë e shkëlqyer për ndërtimin, standardet që po vendosen, standardet më të gjëra të lirive dhe të drejtave të minoriteteve në rajon dhe në Europë, të cilat kanë bërë të ulen shumë tensionet ndëretnike dhe të kthehen të shpërngulurit me besim për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë, decentralizimi i shkëlqyer që po konsolidohet. Atje ishin krijuar 3 komuna të reja dhe sipas projektit, do të krijohen sërish. Unë u shprehu hapur se ne kemi 18 komuna minoritare tërësisht homogjene, por, në mënyrë absolute, nuk ka asnjë dallim kur shkoj në Derviçan, apo Libohovë, gjej të njëjtën pritje, të njëjtën problematikë. Më erdhi shumë mirë që krahas kësaj, një numër deputetësh nga të gjitha pakicat, edhe nga pakica rome dhe nga ajo egjiptiane ishin në parlament. Edhe ne do ta shohim këtë. Ma ngritën këtë çështje përfaqësuesit e romëve dhe egjiptianëve. Ata i njihnin ndjenjat e mia për pakicat, madje u angazhuan që të ndihmojnë për krijimin e forcave politike, sepse p.sh ata kishin edhe dy parti. Në këtë mënyrë, është përfaqësimi më i mirë në parlament dhe unë mirëpres bashkëpunimin midis tyre dhe, absolutisht, në parlamentin e ardhshëm do të ketë edhe romë, edhe egjiptianë të përfaqësuar. Nga pakica turke kishte një ministër në Kosovë, pasi e kanë edhe me ligj. Standardi i vendosur aty është një standard i mrekullueshëm, i cili krijon një klimë të madhe besimi. Një moment shumë i veçantë ishte nderi që më bënë duke më dhënë fjalën në parlament. Përcolla këto mesazhe, të cilat gjykoj se janë interesi më i mirë i dy vendeve tona. U takova me komunitetin e biznesit dhe e gjeta me interes shumë të madh biznesin kosovar për të investuar në Shqipëri, si dhe e ftova biznesin shqiptar që të ishte i pranishëm në Prishtinë. Kosova është para privatizimeve të mëdha. Ndaj ftoj kompanitë shqiptare të tregojnë interes sëbashku, ose me partner për të marrë pjesë në këto privatizime. Një takim të veçantë pata në universitetin e Prishtinës, në të cilin më nderuan me titullin “Honoris Causa”. Aty nuk e lexova dot fjalimin, sepse fjalët ishin shumë larg letrës. Ky universitet në historinë e kombit ka një vend nderi, sepse në kohërat, kur kombi ishte i rënë përtokë, djemtë dhe vajzat e tij mbushnin rrugët e Prishtinës për liri dhe dinjitet kombëtar. E kanë bërë këtë në ’68, për të treguar se shqiptarët nuk mund të pranojnë standardet e Rankovicit dhe nuk pajtoheshin kurrë me to, e kanë shkruar me gjakun e tyre të ri, në rrugët e Prishtinës, fjalën Republikë për Kosovën, kanë themeluar forcat opozitare, janë martirizuar në luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, çdo shqiptar u detyrohet shumë atyre, sepse me shembullin e tyre ata u rikujtonin kombit se rrugë tjetër përveçse për t’u ngritur, nuk ka. Dhe kjo në kohën më të zezë dhe më të errët të tij. Shqipëria atëherë ishte e mbuluar nga revolucioni kulturor kinez i Lin Biao, forma më obskurantiste e diktaturës. Kosova përsëri ishte në shtypjen më të thellë. Gjatë vizitës sime bëra homazhe tek varri i Presidentit Rrugova, si dhe vizitova familjen e tij. Në historinë e këtij kombi dhe jo vetëm të tij, por edhe në mbarë kombet e tjera, Ibrahim Rugova do të mbetet një nga personalitetet më të rralla, për shkak se ai shkriu në mënyrën më të përsosur politikanin me misionarin. Ai nisi dhe mbeti i pakthyeshëm në atë rrugë, në misionin e madh për pavarësisë së Kosovës deri ditën që vdiq, por ruajti shkallën më të lartë të dinjitetit, intelektualizmit, frymës njerëzore dhe në mënyrë të padiskutueshme, është arkitekti i Kosovës së pavarur. Dua të përshëndes këtu udhëheqësit e opozitës, të cilët bëjnë një opozitë konstruktive dhe normal, kërkonin që këto zgjedhje që vijnë të jenë zgjedhjet më të mira, më transparente, më të lira, për t’i bërë nderin më të madh Kosovës së pavarur, zgjedhjet e para pas pavarësisë së Kosovës. Në Kosovë ekziston një përkushtim total për vlerat e demokracisë dhe ky përkushtim është shndërruar në një energji të madhe. Vizioni europian dhe euroatlantik janë udhërrëfyes. Në Kosovë kanë dhënë dhe po japin një ndihmë të jashtëzakonshme institucionet ndërkombëtare. Unë u takova me përfaqësues të tyre, me Komandantin KFOR-it, i cili ka luajtur një rol shumë të madh dhe NATO-ja në paqen dhe stabilitetin. Qëndrimi i për reduktimin e KFOR ka në bazë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, rritjen e stabilitetit. Kosova, para së gjithash, është një vend i sigurt, më tha komandanti i KFOR dhe më shpjegoi të gjithë perspektivën e KFOR në Shqipëri. E garantova se do të ketë mbështetje të plotë dhe totale nga Shqipëria për të gjithë nevojat që mund tu lindin njësive të KFOR në veprimtarinë e tyre. Gjatë vizitës sime u takova me Pieter Feith përfaqësuesin e BE-së. Pata një diskutim shumë të hapur dhe të mirë me zotin Feith. I shpreha mirënjohjen për rolin e tij dhe rolin e misionit të tij EULEX-it, të cilët po kontribuojnë shumë në konsolidimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. Që të dy ishim të mendimit se problemi më kryesor i Kosovës është problemi ekonomik dhe urojmë e dëshirojmë që komuniteti ndërkombëtar të organizojë një konferencë tjetër donatorësh, për ta ndihmuar se sërish ky vend përballet me disa vështirësi të pamerituara, me gjithë përpjekjet shumë të mëdha të qeverisë. Dita e djeshme ishte një ditë shumë e veçantë e jetës sime, edhe pardje, filloi në Prekaz dhe përfundoi në Prizren, kur mua këshilli i Komunës më kishte nderuar me titullin “Qytetar nderi”. Prizreni është një qytet jashtëzakonisht i çmuar për kombin shqiptar, një qytet i lashtë që në kohërat më të vështira të kombit, në kohërat kur të gjithë të tjerët mendonin se ky komb edhe mund të shuhej mblodhi elitën shqiptare nga të katër anët e trojeve shqiptare, krijoi qeverinë shqiptare për të kundërshtuar planet makabre të fuqive të mëdha të asaj kohe të cilat i kishin shpallur shqiptarët si zviceranët e perandorisë dhe tani duhet ti bënin si të donin. Në fakt, në Prizren u themelua pavarësia e Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës. Pa Prizrenin , pa Lidhjen, pa idealin e Prizrenit që është ideali i përjetësisë së kombi shqiptar, Shqipëria nuk do të ishte pavarur, Kosova nuk do të ishte pavarur. Vizita ime u mbyll me një drekë të paharrueshme, një drekë jashtëzakonisht miqësore që shtroi Kryeministri Thaçi, një darkë shumë dinjitoze dhe miqësore më shtroi Presidenti Sejdiu, por unë u kërkoj atyre mirëkuptimin tim se dreka në bjeshkët e Sharrit, do të mbetet dreka më e shijshme që kam provuar ndonjëherë, në një lartësi mbi 1000 e disa metra, me gatimet tradicionale dhe me shijet më fine e vështirë të ndaheshe prej saj ndonëse unë jam i përkorë në ushqim. Me këtë rast unë dua ti shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë Kryeministrit për ftesën që më bëri dhe pritjen që më rezervoi si dhe të shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin që ai dhe qeveria e tij jep në ndërtimin e Kosovës së pavarur. Dua t’i shpreh Presidentit Sejdiu mirënjohjen më të thellë, respektin dhe nderimin më të madh për nderin e madh që më bëri, për pritjen vëllazërore dhe pritjen që bëmë bashkë dhe medaljen që më akordoi. Falënderoj Kryetarin e parlamentit për nderin shumë të madh që më bëri duke më dhënë fjalën në parlamentin e Kosovës së pavarur. U shpreh falënderimet të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës, për të gjitha takimet e shkëlqyera që pata me ta, u shpreh falënderimet deputetëve të parlamentit për mënyrën e përzemërt që më priten, rektorit të universitet dhe senatit për akordimin e titullit të nderit, Zonjës Rrugova, e cila ka qenë bashkëpunëtore, mbështetëse kryesore e Presidentit historik Rrugova në gjithë jetën e tij politike për pritjen që më bri në shtëpinë e saj. U shpreh falënderimet me të ngrohta Rifat Jasharit, Murat Jasharit e të gjithë familjes Jashari për pritjen vëllazërore që më rezervuan në Prekaz. Mbresat që të krijohen në Prekaz janë të një përmase të jashtëzakonshme . Dua të falënderoj rektorin e Universitet të Prishtinës, profesor, Mujë Rrugovën, dua të falënderoj kryetarin e Komunës së Prizrenit, zotin Ramadan Mija, qytetarët e Prizrenit, qytetarët e Prishtinës, për pritjen vëllazërore dhe ti siguroj se kjo qeveri do të bëjë të gjitha përpjekjet që midis dy vendeve të vendoset shkalla më e ngushtë e bashkëpunimit, të vendosen standardet që ekzistojnë midis vendeve anëtare të BE që janë faktuar më të mirat dhe të lirisë më të madhe për kohën e sotme. Kërkoj të falur në se kam harruar ndonjë, mikpritës, bashkëbisedues. Nuk mund të shkosh në Kosovë pa shkuar në Newborn. Ditën e parë jam mahnitur nga gjenioziteti i këtyre artistëve. Takova të gjithë ekipin, bëra një fotografi me ta. Newborn tani është një djalosh i pjekur. Nuk gjendet kurrë një 20 muajsh me histori si ai. Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit |