|
Bulevardi "Dėshmorėt e Kombit", Tiranė. Tel & Fax : ++355 4 257560
Fjala e Kryeministri Berisha nė mbledhjen e grupit parlamentar tė Partisė Demokratike
Së pari, dua t’ju përshëndes dhe, në emër tuaj, në emër të qeverisë, dua të përshëndes në mënyrën më të përzemërt miliona shqiptarë që iu përgjigjën procesit të regjistrimit të popullatës, në mënyrën më qytetare, më dinjitoze, më të shkëlqyer.
Në qoftë se analizon historinë e regjistrimit të popullatës në këtë vend, gjen një proces që në tërësinë e tij ka pasur problematika të shumëllojta. I realizuar në kohën e Mbretërisë, pa diskutim që ishte një proces me standard, por nuk mund te pretendohet se kishte mundësitë reale për të pasur saktësinë e sotme. I realizuar gjatë diktaturës, ky ishte një proces nën presion, siç ishte çdo proces tjetër, një proces që fshihte në vetvete qëllime dhe tendenca politike të qarta dhe të caktuara, një proces i cili kishte si qëllim statistikën për falsifikimin e realitetit. Për fat të keq, edhe regjistrimi i bërë 10 vjet më parë, ishte një regjistrim jo në standard. Në këtë regjistrim, sipas analizës së ndershme, të paanshme, të pavarur, u injoruan disa nga kërkesat më themelore të regjistrimit në një vend të lirë. Në regjistrim pati edhe probleme teknike serioze. Por e shkuara është e shkuar dhe është shumë pozitive ky regjistrim i parë modern i qytetarëve të lirë shqiptarë, me të gjitha standardet. Regjistrimi ka ecur në një mënyrë shumë të përgjegjshme, të qytetëruar. 12 mijë regjistrues në mbarë vendin kanë bërë një punë shumë të madhe, një pune kolosale, pasi siç e dini janë regjistruar edhe pasuritë, shtëpitë dhe pasuri të tjera. Por jo të gjitha, pasi regjistrimi i aseteve bujqësore është i veçantë. Të gjitha këto të dhëna do të përpunohen, analizohen dhe publikohen. Di që vende të tjera të cilat e kanë përfunduar këtë proces në prill të vitit të kaluar, kanë publikuar të dhënat vetëm 2 - 3 javë me parë. Shpresoj që Instituti i Statistikës t’i publikojë ato në kohën e parë të mundshme, pas trajtimit të tyre më serioz. Ky regjistrim do të ndihmojë qeverinë për ndërtimin e politikave më të drejta, duke u bazuar në demografinë aktuale dhe përbërjen e saj. Ky regjistrim do të ndihmojë qeverinë për një vizion më të qartë në politikat e saj, në interesin më të mirë të qytetarëve. Pra, pas reformës së sistemit të Gjendjes Civile dhe të dokumenteve të identitetit, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë përbën një moment dhe një reformë tjetër shumë të rëndësishëm, një akt dhe proces themelor në njohjen dhe vlerësimin e realitetit shqiptar, numrin e popullatës, banesat etj. Dua të shpreh dhe një vlerësim e mirënjohje të veçantë për qytetarët shqiptarë që, me aq përgjegjësi qytetare, iu përgjigjën këtij procesi, i cili certifikon Shqipërinë e tetorit të vitit 2011. Zonja dhe zotërinj deputetë, Mbi këtë bazë, qeveria shqiptare dhe ju, zotërinj deputetë, miratuat ligjin “Për menaxhimin e mbetjeve urbane”, ligj i cili disiplinon një situatë jo të favorshme për qytetarët shqiptarë deri tani. Importi e mbetjeve urbane është një proces konstant i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm, gjatë gjithë këtyre viteve, përfshi këtu edhe 8 vite të qeverisjes socialiste. Kombinati Metalurgjik i Elbasanit funksionon me këto mbetje, si dhe dhjetëra fabrika të tjera. Por përse është ligji i Menaxhimit të mbetjeve?. Qeveria dhe ju zotërinj deputetë, në këtë listë keni përcaktuar qartë se, nga lista prej 300 e ca artikujsh, Shqipëria do të pranojë vetëm 50 prej tyre. Kjo është sot për sot, sepse se çfarë do të ndodhë kur ne të kemi statusin e vendit kandidat në BE dhe të jemi para aderimit, kjo është tjetër gjë, atëherë detyrimet janë reciproke. Askush nuk të imponon, por nëse nuk do, rri aty ku je. Sepse ata nuk mund të krijojnë një standard për Shqipërinë, një për Bullgarinë a Rumaninë, por kanë krijuar një standard për të gjitha vendet. Pra, aktualisht për Shqipërinë është përcaktuar që nga 300 e ca artikuj mbetjesh solide, jo të rrezikshme, në Shqipëri do të importohen vetëm 50 prej tyre. Së dyti, edhe për këto që importohen, në ligjin që ju keni miratuar, theksohet se nuk mund të importohen për ruajtje, pra nuk ka magazinim, nuk ka depozitim. Pra, mund të importohen për procese të cilave duhet t’u nënshtrohen, por jo ruajtje. Ky është fakt që këta anëtarët e “Aleancës së Plehut”, apo zotërinjtë që duan të nxjerrin vota nga plehu, - sepse e nxorën haptas këtë fakt në një emision të fundit-, ua fshehin qytetarëve si fakt dhe u servirin mashtrimin e tyre. Pra, ky ligj nuk lejon ruajtje, as të metaleve, as të letrës e të asnjë prej tyre. Nëse importon, do t’i përpunosh ato dhe do t’i kthesh në produktin për të cilin ke importuar. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme të dihet. Unë e kam theksuar dhe e theksoj; kam shumë respekt për Shoqërinë Civile dhe kontributin e saj thelbësor në jetën dhe demokracinë e këtij vendi. Por dua t’ju garantoj se, në gjithë këtë spektër të gjerë, mbetem jashtëzakonisht mirënjohës ndaj OJF-ve për mbrojtjen e mjedisit, sepse ato kanë një kontribut thelbësor në këtë vend në mbrojtjen e mjedisit, kanë një kontribut thelbësor në krijimin e vetëdijes kombëtare në një shoqëri ku fjala “mbrojtje e mjedisit nuk ekzistonte. Fakti është se para vitit ‘90, në këtë vend nuk ka pasur qoftë edhe vetëm një akt a nën/akt ligjor qeverie a ministrie, që të fliste për mjedisin. Këta gra e burra, këta djem e vajza, kanë bërë dhe bëjnë një punë të mrekullueshme, një punë te shkëlqyer dhe unë dua t’i garantoj se në çdo qëndrim të tyre, pavarësisht se disa prej tyre kanë përcaktim të hapur politik kundër mazhorancës, kjo nuk më pengon dhe nuk do më pengojë për t’u përpjekur dhe për të gjetur racionalen në çështjet që ata ngrenë. Unë jam mjek, formimi im janë doktrinat biologjike, jam e mbetem i bindur se shërbimi më i madh që ne mund t’i bëjmë vendit është një zhvillim në rrugën jeshile, është një zhvillim i tij i qëndrueshëm. Kjo është bindja ime më e thellë për atë proces që flasim çdo ditë. Por ajo që më lëndon shumë është keqpërdorimi i parimeve të mëdha të mbrojtjes së mjedisit për qëllime të mbrapshta politike. Le të rikthehemi pak, pas në kohë, kur në Vlorë, po këta shokë, por me një farë modifikimi, bënë një betejë disamujore për ngritjen e një Termocentrali, i cili e ka ndotjen 2 herë më të ulët, e certifikuar kjo po nga Shoqëria Civile, sesa e përcakton standardi evropian. Por ama, janë këta që i hodhën bojë në fytyrë inxhinierit, janë këta ekstremistë, antiglobalistë - që janë varianti i sotëm i marksizëm-leninizmit ç’është e vërteta -, që organizuan një akt të tillë të shëmtuar në Universitetin e Vlorës ndaj një njeriu që përfaqësonte një nga kompanitë me seriozet në Itali dhe në Evropë, që bënte detyrën e tij dhe që kishte shkuar për të zhvilluar atë që quhet dialog me komunitetin. Asnjëri prej këtyre zotërinjve që shohim tani nuk e dënoi këtë akt të shëmtuar, sepse këta rrëmojnë në plehra për të gjetur vota. Këtë e thanë bukur në debatin e fundit televiziv, pasi pasqyra është jashtëzakonisht e rëndësishëm dhe ata e nxorën ku e kishin hallin. Me një patos të pa përshkruar ata bënë thirrje për votat. Unë ju them këtyre, se nëse i shtroni çështjet në këtë mënyrë, pushteti juaj nuk kthehet më kurrë, ai i përket plehut të historisë dhe kush shqiptarëve, pushtet me mashtrime dhe trillime, nuk do të mund tu imponojë më. Në qoftë se ju keni probleme për mjedisin urdhëroni, thoni çdo gjë konkrete, nëse e keni hallin tek votat, aleanca e plehut është e shkuara. Shqiptarët do tu përmbahen të vërtetave. Çfarë keni përcaktuar në ligj? Është përcaktuar se në këto 50 artikuj, të cilët quhen hekur, letër, plasmas, tjerë e tjerë me radhë, secili prej tyre për të gjitha kushtet të miratohet me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Unë e ftoj shoqërinë civile, të vëzhgojë, të monitorojë, çdo vendim të kësaj qeverie për importin e tyre. Unë e garantoj dhe jam shumë i hapur për vërejtjet e tyre, por unë i garantoj se jam i gatshëm ti bëj pjesë të vendimmarrjes, e konsultës së çdo vendimi, që do të merren nga qeveria . Unë jam vetë mjedisor dhe nuk mund të kem kurrë qëllim tjetër. Këta janë dhe rudimentarë në arsyetim, por cila është ajo qeveri, e cila sjell toksina dhe produkte toksike për qytetarët e vet ? Ku e gjejnë ata një qeveri të tillë? Unë i dëgjoj me vërejtje shqetësimet se ne nuk kemi kontroll. Të dashur miq në këtë vend futen çdo ditë, çdo javë, çdo muaj me qindra dhe mijëra produkte ushqimore, që ushqejnë nga foshnjat e pa lindura akoma, tek të moshuarit 90 apo 100 vjeçar. Kush i kontrollon këto? A duan kontroll këto? A kanë këto ushqime potenciale dëmtimi të plotë? Ne i kontrollojmë dhe i kemi të gjitha mundësitë për ti kontrolluar. Kur na mungon ndonjë mundësi, u adresohemi laboratorëve më të mira në Rajon dhe në Europë. Në qoftë se kontrollojmë me qindra e qindra prodhime ushqimore të përpunuara dhe të pa përpunuara, pse nuk mundemi ne atëherë të kontrollojmë, me përgjegjësi të lartë, 50 artikuj, që do të importohen për qëllime industriale. Megjithatë, ata të cilët dyshimin e kanë në interesin më të mirë të sigurisë, ata i ftojmë të bëhen pjesë e këtij kontrolli. Urdhëroni zotërinj t’ju japim akses të plotë në çdo mall që vjen, por të përpiqeni të mashtroni shqiptarët siç bën një pjesë e tyre dhe këtë për të nxjerrë vota, kjo është absolutisht politike dhe ndaj saj ne kemi qëndrim të prerë politik. Unë këto desha të sqaroja ju për këtë ligj, këtë debat, por ju them këtyre zotërinjve, që flasin me pasion për mjedisin dhe nuk e mohoj se në qëndrimet e tyre ka pasur dhe element racional të tyre dhe mund të ketë edhe në të ardhmen , sepse nuk ka asgjë më të pandershme, sesa të fillosh dy vjet para fushatën elektorale, për të krijuar partinë e aleancës së plehut. Parti këtu mund të krijosh mbi çdo lloj baze, mbi çdo koncept,ky është vend i lirë s’ka asnjë pengesë, po të katandisesh gjer tek mbetjet, ky është mjerim, mjerim i madh politik. Zonja dhe zotërinj deputetë Mazhoranca është e angazhuar në një proces reformash dhe konsolidimi të pa ndërprerë, të institucioneve të vendit. Për ne, shteti ligjor, mbetet kushti i të gjitha kushteve, që të gëzojmë liritë që meritojmë. Funksionimi i institucioneve të tij, është një kusht kryesor. Këto institucione janë në çdo vend me një status të caktuar, janë në çdo vend, mbi ligje të caktuara, por përdorimi i këtyre institucioneve nga zoti Edi Rama, në funksion të krijimit të partive politike duke korruptuar në mënyra të ndryshme drejtuesit e tyre është akti më i rëndë, që ka ndodhur në historinë e këtij vendi në 20 vitet e fundit, absolutisht, ky është akti më i rëndë. Kjo, është kapja më fatale dhe neve nuk duhet të na mungojë realizmi, asnjëherë, ne kemi një gjë, në mënyrë instiktive dhe jua them që është absolutisht shumë e dëmshme, aspak e dobishme për të mos thënë diçka më tepër, gjithçka e projektojnë tek të tjerët. Gedafi mori përgjigjen me ekzemplare, siç mori Millosheviçi disa vite më parë, të dyja këto nuk ishin vende të lira, por rregulli ndërkombëtar nuk lejon kurrë, të nëpërkëmbësh liritë dhe të drejtat. Ndaj dhe çdo njëri këtu mund të krijojë parti politike i ka të hapura, por askush nuk ka të drejtë dhe nuk ka amoralitet politik më të madh, sesa të përdhosësh kushtetutën, institucionin që të është besuar, në funksion të projektit të kryetarit të opozitës dhe pse, se kështu mendon ai se mund të vijë në pushtet. Ore zotëri nuk vjen kështu në pushtet?! Se institucionet nuk janë të Sali Berishës, institucionet janë të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë dëshirë ti respektojnë institucionet e tyre, por nuk ka sot shqiptarë , qytetarë të këtij vendi, që pas 20 vitesh të pranojë që institucionet e pavarura ti kthejë kryetari i opozitës në partiçka. Unë ju garantoj ju se kështu vetëm sa i shton vota mazhorancës. Me këtë projekt, kjo vetëm s anë shton vota ne, po të jetë puna për vota, por ka një gjë tjetër. Dëmi që ju bëhet këtyre institucioneve, shëmtimi që ju behët këtyre institucioneve, është shumë, shumë i pamerituar. Ndaj dhe unë do ti them zotit Rama, i cili ka faktuar në mënyrën më të përsëritur se kurrë ndonjëherë nuk mund të nxjerrë mësime, nuk është kjo mënyra e ardhjes në pushtet, përkundrazi, nëse ti mendon se duke i shndërruar në parti institucionet e pavarura, lufton më me efiçencë mazhorancës? Zoti Rama vetëm e fuqizon më shumë mazhorancë, e bënë atë më të përgjegjshme para ligjit dhe kushtetutës së vendit dhe kjo është historia. Institucionet kushtetuese nuk janë as të tuat, as të miat, janë institucione të të gjithë shqiptarëve. Janë të ndërtuara mbi ligje të votuara mbi të gjitha palët, janë të votuara mbi ligje të respektuara mbi të gjitha palët. Nuk mund të gjesh ti shpëtim, bazuar mbi disa akte që s’ka shqiptarë që i kapërdin. Shqiptarët presin alternativë, por ti ju paraqet anti- alternativë atyre. Zgjedhja është e tij, është e gabuar. Unë u ndala këtu sepse kemi rastin e fundit. Çfarë është zotëria që është propozuar për Kryetar të Kontrollit të Shtetit. Ka një përcaktim kushtetuta, Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimet e saj, është normë kushtetuese, thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentit për kandidaturat që i sjell . Presidenti nuk do ta zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhja e tij, por një gjë është e sigurtë, po ta marrë në këtë formë, sa herë që të mos i përmbahet do të shumëzojnë veten më zero, cilido qoftë, kaq është efekti. Ne respektojmë plotësisht, por ajo që thotë Gjykata Kushtetuese, ajo mbush boshllëkun që ka kushtetuta në marrëdhëniet mes Kreut të Shtetit dhe Parlamentit, dhe në mënyrë absolute, nuk synon ti cenojë pushtetin askurrkujt. Jo. Ajo ka një qëllim të bëjë kushtetutshmërinë të funksionojë, shtyllën ndër më themeloret të një sistemi demokratik. Nuk synon ajo as ti japë pushtet Parlamentit, as ti heq pushtet Presidentit. Ligjet e vendit përcaktojnë disa kritere, për kryekontrollorin e shtetit. Mund të kesh qenë polic i shkëlqyer, oficer policie i talentuar dhe askush në Shqipëri më shumë se unë, nuk i respekton, ju garantoj, njerëzit e uniformës dhe oficerët e policisë në mënyrë të veçantë, jua dimë të gjithë hallin, por kjo nuk do të thotë se, është kontroll policesk ajo që do të bësh, është kontroll tjetër. Ka një tagër tjetër. Unë prisja nga i kandiduari të jepte dorëheqjen, si një akt përgjegjësie para ligjit dhe kushtetutës së vendit , nuk ndodhi, por natyrisht ne i qëndrojmë kushtetutës, ne i qëndrojmë ligjeve të vendit. Ne nuk e bëjmë këtë absolutisht si një akt karshillëku ndaj askujt. Jo, jo. Nëse i shndërrojmë këto në funksione që thashë më parë, se kryetari i opozitës mendon se nëpërmjet disa hibrideve do të kthehet në pushtet llogaritë i ka gabim. Unë prapë i them, ti lëmë institucionet e pavarura kushtetuese në të drejtën e tyre, sepse është interesi më i mirë i të gjithëve, interesi më i mirë i vendit. Urdhëro të bëjmë betejën politike dhe ke përballë një mazhorancë që të premton dialog, të premton frymë bashkëpunimi, tregon interes të madh për të bashkëpunuar për reformat. Gjykoj se kjo është rruga. Unë u ndala në këto probleme, sepse nuk është se nuk e meritojnë një trajtim para qytetarëve shqiptarë. Nuk merremi ne me persona. Jo. Ka rëndësi kuadri kushtetues, ka vendi, kanë përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtuese ka urdhëruar me vendimin e saj Presidentin e Republikës të konsultohen me Parlamentin, çfarë do të thotë me këtë. Thotë se inatet shqiptarçe mënjanë , funksionimi i kushtetutës imponon këtë normë, përndryshe mazhoranca është mazhorancë. Thuhet sot në media pse nuk është konsultuar presidenca me mazhorancën çka lihet të kuptohet se, është konsultuar me opozitën. Ne nuk kemi asnjë keqardhje për këtë, absolutisht jo. Të vetmin problem, jo për ne. Ky projekt i zotit Rama për të shndërruar në partiçka të vogla institucionet kushtetuese shtyllat kryesore te shteti është don kishotesk. Po të jetë për vota ai vetëm sa na shton vota, por nuk na duhet kjo rruge, na duhet që ato të jenë në funksionin e tyre. Faleminderit. Copyright (c) Kėshilli i Ministrave - Zyra e Komunikimit dhe Informimit |